Meta: Diktatori i Zimbabves takohet me kreun e opozitës

May 27, 2012 | 11:04

Kreu i LSI-së bën apel për dialog mes maxhorancës dhe opozitës.

“Ngritja mbi të kaluarën, një kërkesë imediate e politikanëve edhe në Shqipëri për proceset integruese”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, apeloi dje për takim dhe bashkë-punim mes maxhora-ncës dhe opozitës. Duke folur në Konventën Kombëtare të Lëvizjes së Grave për Integrim, Meta kërkoi mirëkuptim dhe fleksibilitet mes palëve për të mirën e vendit. “Na duhet pak mirëkuptim dhe fleksibilitet që të mbyllim reformën zgjedhore, që të mbyllim reformën e procedurave parlamentare, që të zgjidhim çështjen e imunitetit për të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë dhe njëkohësisht që të zgjedhim një President që t’i kontribuojë procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, tha Meta para grave të LSI-së. Duke sjellë në vëmendje takimet që Presidenti dhe kreu i opozitës në Zimbabve bëjnë çdo javë në këtë vend të trazuar nga luftërat civile, Meta i kërkoi si Kryeministrit Berisha, ashtu dhe kreut të opozitës Rama që të lenë të kaluarën pas dhe të shohin drejt së ardhmes. “Nuk mendoj se kjo është ndonjë sakrificë e pamat, kur kujtoj se para një jave në Vjenë, në një aktivitet ndërkombëtar, takova një figurë të njohur për mua, ndoshta jo shumë për ju, por e njohur edhe në të gjithë botën e cila e ndjek politikën në dinamikën e saj. Takova Morgan Tsvangirai, i cili është sot Kryeministri i  Zimbabve dhe që ka qenë për vite të tëra kreu i udhëheqjes së Lëvizjes për Ndryshim, forcës kryesore opozitare në një nga regjimet më çnjerëzore të Afrikës dhe gjithë botës. Sekretari ynë Ndërkombëtar, Ralf Gjoni, më tha: “Po ky si ulet me Mugaben çdo javë dhe diskutojnë për të ardhmen e Zimbabve-s, duke pasur parasysh se sa shumë njerëz janë vrarë, se sa shumë njerëz ka humbur Tsvangirai gjatë viteve të rënda të opozitës, kur humbi edhe bashkëshorten, nënën e gjashtë fëmijëve, kur humbi shumë e shumë përkrahës dhe militantë, ku mund të kishte humbur edhe jetën e tij nga atentatet e panumërta”. Natyrisht që Tsvangirai ulet me Mugaben, i cili ende vazhdon të jetë Presidenti i  Zimbabve-s, jo sepse ka harruar të kaluarën, jo sepse ka harruar të vrarët, jo sepse ka harruar manipulimin e zgjedhjeve, por sepse ai e di se në rast se nuk do të ulen, nuk do të bisedojnë, nuk do të bashkëpunojnë, akoma më shumë njerëz do të vriten në Zimbabve, akoma më shumë fëmijë do të mbeten jetimë, akoma më shumë gra do të mbeten të veja. Ndaj ngritja mbi të kaluarën është një kërkesë imediate e politikanëve kudo. Është një kërkesë imediate edhe për ne politikanët këtu në Shqipëri. Një vend tërësisht europian, një vend i cili kërkon me një shumicë dërrmuese gati 95 për qind bashkimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Europën e bashkuar”, u shpreh Meta.
Negociatat
Dy ditë më parë, pas takimit që zhvilloi me kreun e LSI-së, Ilir Meta, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk do të takojë Edi Ramën në negociatat për Presidentin e ri të vendit. Kryeministri kërkoi që takimet të zhvillohen në nivel negociatorësh dhe jo mes dy krerëve të partive kryesore. “Unë do të vazhdoj negociatat. Më vonë unë do të takoj dy aleatët e tjerë të mi dhe më tej do të zhvillohen takime me Partinë Socialiste dhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Me PS-në, siç kam theksuar, takimet do të jenë në Parlament. E ftoj zotin Rama të tregojë besim te bashkëpunëtorët e tij dhe të mandatojë edhe ai dy bashkëpunëtorë në këtë drejtim. Unë kam mandatuar dhe kam ngarkuar zotin Patozi dhe z.Edmond Spaho në bisedimet me PS-në. Edhe me PBDNJ-në dhe zotin Dule do të bëjmë takime gjithashtu”, u shpreh Kryeministri Berisha pas takimit me Metën. Burime nga takimi mes Metës dhe Berishës pohuan se shkak për shmangien e Ramës nga negociatat direkte për Presidentin kanë qenë ngjarjet e 21 janarit, kur opozita protestoi dhunshëm para godinës së Kryeministrisë e për pasojë pati katër viktima. Por për Berishën, nëse Rama do të ketë vullnet që të zgjidhin bashkërisht çështjen e Presidentit, kjo mund të bëhet edhe pa takime mes tyre, si në 2008 me ndryshimin e Kushtetutës. “Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese, ne nuk bëmë një takim që t’u deklaronim gazetarëve se ja se çfarë mund të bëjmë ne, por ne ia lamë fjalën veprave dhe unë uroj që kjo trashëgimi të vazhdojë. Nuk ekziston asnjë lloj problemi, përveç asaj që të ecim me rezultate konkrete dhe unë them se rruga është e shtruar. Ju e shikoni se të gjitha ndryshimet e reformës zgjedhore janë bërë pa ndonjë takim, por janë bërë me autorizim. Zoti Rama ka autorizuar zyrtarët e tij dhe unë kam autorizuar zyrtarët e Partisë Demokratike. Nuk mendoj se duhet të merremi me format, por me thelbin”, u shpreh Berisha pas takimit me dy aleatët e tij, Idrizi dhe Mediu.

Konventa e LGI-së
Dje në Pallatin e Kongreseve, 1800 delegate nga e gjithë Shqipëria votuan për kryetaren e re të këtij forumi. Në garë ishin Luzhiana Abazaj dhe Klajda Gjosha. Pasi zhvilluan një fushatë zgjedhore në të gjitha rrethet e vendit dhe prezantuan platformat e tyre, dy kandidatet paraqitën para delegateve vizionin e tyre për drejtimin e këtij forumi.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura