Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi 20-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste si një ditë nga e cila duhet të nisë reflektimi ndaj qëndrimeve të kësaj partie sa i takon bojkotit. Gjatë një deklarate televizive, Meta nuk e komentoi faktin që nuk kishte marrë një ftesë nga PS-ja për përvjetorin e krijimit të saj, si një nga protagonistët e asaj kohe. “Të dielën jam ndjerë shumë mirë sepse isha me familjen time, me fëmijët e mi, duke pushuar dhe ka qenë vërtet një ditë e mrekullueshme. Përsa i takon 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ky ishte një moment i rëndësishëm për politikën shqiptare dhe pavarësisht nga diferenca midis PS-së, që u krijua 20 vjet më parë e që kontribuoi për një dekadë e gjysmë në inkurajimin e proceseve demokratike dhe organizuese të Shqipërisë dhe PS-së që shfaqet sot si një parti bllokuese e këtyre proceseve dhe tejet konfliktuale, unë përsëri mendoj që ka qenë një moment për të shprehur një mirënjohje për kontributin që kanë dhënë të gjithë ata që ndikuan jo vetëm në themelimin e kësaj force politike, por edhe në kontributet pozitive që ajo dha për të mirën e vendit. Njëkohësisht shpre-soj që ky 20-vjetor të jetë një ditë reflektimi që kjo forcë politike të mos vazhdojë të bojkotojë traditat europiane të socialistëve shqiptarë”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së komentoi dhe rezultatin e arritur nga kjo forcë politike në zgjedhjet administrative të 8 majit. “Zgjedhjet e 8 majit janë vetëm një stacion në të gjithë strategjinë e LSI-së, jo vetëm për t’u fuqizuar si një alternativë e komunitetit, por edhe si një alternativë politike që kontribuon për stabilitetin e vendit, për integrimin e tij dhe, mbi të gjitha, si një forcë politike, e cila synon të sjellë dhe të shtojë energjitë pozitive në politikën shqiptare, që ka kaq shumë nevojë për t’u detoksikuar nga një filozofi dhe retorikë destruktive dhe konfliktuale. Në këtë drejtim unë besoj se 8 maji përbën dhe një bazë shumë të mirë për analizën tonë se çfarë duhet të përmirësojmë më tej në të ardhmen, në mënyrë që rezultati i sfidës më të afërt, asaj të qershorit të vitit 2013, të jetë akoma dhe më i mirë për LSI-në”, u shpreh Meta.
Deklaratat e Ramës
Kreu i LSI-së i cilësoi dje shantazhe deklaratat e Edi Ramës ndaj Kolegjit Zgjedhor lidhur me rezultatin e Tiranës. “Mendoj se shantazhe të tilla të rëndomta ndaj institucioneve, aq më tepër ndaj gjykatave, janë të papranueshme, aq më tepër kur bëhen nga një përfaqësues i një force politike të rëndësishme, sikurse është Partia Socialiste. Shantazheve të tipit, nëse nuk më lini Bashkinë e Tiranës do të bëhet kiameti, mendoj se u ka ikur koha. Besoj se është e domosdoshme që gjykatat, në rastin konkret edhe Kolegji, të vendosin bazuar mbi ligjin dhe jo mbi dëshirat apo mbi presionet e kandidatëve”, u shpreh Meta.











