Mësuesit, provimi i shtetit në tetor, 3000 pyetje për testin

May 27, 2012 | 11:38

Pas mjekëve, mësuesit e rinj do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në tetor. Ata do të testohen, përveç lëndëve për të cilat janë diplomuar, edhe për drejtshkrimin. Pyetjet e këtij grupi do të zënë 40% të tezës. Me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, janë ngritur grupet e punës për të hartuar fondin e pyetjeve, të cilit do t’i nënshtrohen mësuesit që janë duke zhvilluar praktikën profesionale nëpër shkolla. Provimi i shtetit zhvillohet në tetor të këtij viti. Janë angazhuar rreth 50 pedagogë të shkollave të larta që do të hartojnë fondin e pyetjeve për rreth 15 lëndë. Për çdo lëndë parashikohet të hartohen rreth 2000 deri në 3000 pyetje. “Veçoria e këtij privimi është se për çdo mësues, pavarësisht nga lënda, një pjesë e tezës do të jetë drejtshkrimi dhe përgatitja didaktiko-pedagogjike. Pjesa tjetër do të jetë nga lënda ose lëndët ku kandidatët japin mësim, e ndarë kjo në 40 për qind me 60 për qind”, bëri me dije dje Ministria e Arsimit. Provimi do të organizohet, ashtu si dhe provimet e tjera të shtetit, për profesionet e rregulluara në mënyrë dixhitale. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtoritë arsimore rajonale. Vetëm mësuesit që kalojnë me sukses provimin e shtetit do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit. Ky është një standard i ri që synon rritjen e cilësisë së përgatitjes së mësuesve të rinj.
Pak kohë më parë MASH ka nxjerrë rregulloren për praktikën profesionale. Ajo zgjat një vit dhe për këtë periudhë mësuesve do t’u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Në praktikë nuk futen  të diplomuarit pa master. Vetëm pasi të kenë mbyllur praktikën, kandidatët do të japin provimin e shtetit. “Praktika profesionale është një procedurë, e cila zhvillohet nën mbikëqyrjen e mentorit ose mësuesve më të mirë. Do të jenë ata që do të mbikëqyrin praktikantin, i cili zhvillon praktikën profesionale njësoj si një mësues tjetër i shkollës. Me mbarimin e praktikës profesionale në mënyrë të suksesshme, pasi merr certifikatën që e ka kryer me sukses praktikën profesionale, ai i nënshtrohet provimit të shtetit”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Këtë vit, në të gjithë sistemin parauniversitar do të zbatohet dhe testimi i të gjithë arsimtarëve që dëshirojnë të konkurrojnë për postin e drejtuesve të shkollave. Deri tani autoritetet e Arsimit janë në fazën e përgatitjes së rregullores për zhvillimin e testimit.

Vlerësimi
Vlerësim me pikë për të gjithë ata kandidatë që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Është përcaktuar pragu i pikëve për të marrë notë kaluese. Kandidatët duhet të grumbullojnë më shumë se 50 pikë nga 100 të mundshme. Është detajuar edhe shkalla e vlerësimit për notat e tjera. Në të kundërt, duhet ta japin sërish provimin. Në rregullore saktësohet edhe mënyra si do të aplikojnë kandidatët. Dosja e aplikimit duhet të dorëzohet brenda afateve që cakton Ministria pranë urdhrave profesionalë. Pasi të kenë kryer praktikën pranë këtyre urdhrave, kandidatët do t’i nënshtrohen testimit në një fazë të dytë. Vlerësimi do të bëhet me pikë sipas një skeme të caktuar.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura