
Dy vëllezër nga fshati Lufaj i komunës Selitë në Mirditë që kishin humbur që prej ditës së djeshme janë gjetur mëngjesin e sotëm në një lokal në Burrel. Dy vëllezërit, Roland dhe Serxhio Loci, 13 dhe 11 vjeç janë gjetur në lokal nga një mësues, i cili siç mësohet, u kishte dhënë mësim fëmijëve në fshat. Familjarët e fëmijëve të shqetësuar për vonesën e kthimit të fëmijëve në shtëpi, pasi kishin dalë për kullotjen e bagëtive, kanë njoftuar policinë.
“Me date 21. 08. 2012, rreth orës 03.00, jemi njoftuar nga Salla Operative Mirdite, se në fshatin Lufaj të Komunes Selitë të rrethit Mirditë, që me date 20. 08. 2012, rreth orës 11.00 janë larguar nga shtëpia dy fëmijë të mitur të quajtur Roland Mirash Loci 13 vjeç dhe Serxhio Mirash Loci 11 vjeç banues në këtë fshat dhe nuk janë kthyer në banesë”, thuhet në një njoftim të policisë.
Nga hetimet e para, policia konstatoi se në banesën e familjes Loci mungonin 100 mijë lek të reja, të cilat dyshohet se janë marrë nga fëmijët. Policia po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.











