Mesi-Iniesta, sërish leksion Murinjos

Aug 24, 2012 | 13:35

Është sërish Barcelona ajo që fiton në ndeshjen e parë të Superkupës. Murinjo nuk arrin që të fitojë ndaj kësaj skuadre edhe pse tani në stol nuk është më Pep Guardiola, por ish-ndihmësi i tij, Tito Vilanova. Gjithsesi është e njëjta Barcelonë. Pas një pjese të parë të dominuar totalisht nga balaugranat, ku Ronaldo nuk u pa thuajse fare dhe ku Reali u mbyll totalisht në mbrojtje vjen një pjesë e dytë e gjitha për t’u shijuar. Fillimisht është Reali që kalon në avantazh. Buskets gabon në mbrojtje pas një goditjeje këndi, duke lënë Ronaldon të vetëm në zonë dhe ky i funidt i pashqetësuar kalon madrilenët në avantazh në minutën e 55-të. Por, gëzimi i Realit do zgjaste vetëm një minutë, pasi Pedro Rodriguez do barazonte për Barcelonën. Nga aty nis valsi i vendësve. Në minutën e 70-të, Iniesta, më i miri në fushën e lojës, arrin të kalojë mrekullisht në zonë Serxhio Ramosin, i cili nuk bën gjë tjetër veçse e pengon. Penallti për Barcelonën dhe nga pika e bardhë shkon Mesi: Kasijas në të djathë, topi në të majtë dhe Barcelona në avantazh. Nuk mbaron këtu. Barcelona është një skuadër e papërmbajtshme dhe një kombinim i jashtëzakonshëm Iniesta-Ksavi Hernandez nxjerr këtë të fundit të lirë në zonë dhe 3-1. Ndërkohë në minutën e 84-t është Mesi që del përballë me Kasijasin, por ky i fundit tregon se është portieri më i mirë në botë duke pritur. Menjëherë rast për Realin, dhe Viktor Valdes bën gafën teksa mban më shumë se duhet topin në këmbë dhe aty vjen Di Maria që ia merr dhe shënon golin e dytë. Mbaron me kaq, në pritje të ndeshjes së kthimit pas një jave në “Bernabeu”.

© Panorama.al

Te lidhura