Mesazhet e ngjarjes së Himarës

Aug 9, 2011 | 11:17

MENTOR NAZARKO

Ngjarja e pardjeshme në Himarë, ku një grup organizatorësh shqiptarë dhe të ardhur nga Greqia vendosën në oborrin e kishës një bust të të ndjerit Aristotel Guma, i kapërceu përmasat e një përvjetori mortor. Ajo ngjarje parathotë shumë mesazhe për prirjen që po marrin zhvillimet në Himarë, por jo vetëm në Himarë. Megjithëse disa media e vunë theksin në arrogancën e organizatorëve, të shfaqur me bllokimin e gazetarëve për të kryer punën e tyre apo lëvizjen e disa truprojave nëpër rrugët e Himarës, në të vërtetë ata u karakterizuan nga një lloj burracakërie, e kundërta e trimërisë dhe e arrogancës.  Organizatorët nuk guxuan ta vendosnin bustin atje ku e kishin planifikuar, as me forcë dhe as duke insistuar për të marrë leje. Kjo duhet të ketë ndodhur për dy arsye: së pari, për shkak të refuzimit të autoriteteve zyrtare, Këshillit Bashkiak të Himarës, apo atyre të rendit publik dhe, së dyti, për shkak të refuzimit të familjes së të ndjerit që mbajti qëndrim shumë dinjitoz. Kjo mungesë kuraje e organizatorëve tregon se sa i madh dhe sa negativ ka qenë roli i autoriteteve të zgjedhura në Himarë në improvizimin e ngjarjeve të ngjashme me karakter përplasës, sfidues të shtetit, përçarëse të komunitetit himarjot. Me fjalë të tjera, sikur në krye të Bashkisë së Himarës të ishte Bollano, në atë qytet ne mund të kishim një zhvillim krejt tjetër të ngjarjeve. Në atë rast, dhe qytetarë të tjerë himarjotë të orientuar prej tij do të ishin pjesë të asaj mase kritike pjesëmarrësish duke provokuar incidente që i nevojiten kauzës së rreme të helenizimit në Shqipërinë e Jugut. Është e vërtetë se drejtuesit e dikurshëm lokalë të Himarës kishin humbur jo vetëm besimin e komunitetit, siç njoftuan mediat që folën edhe për kritika të mitropolitit të Gjirokastrës në lidhje me abuzimet me pronat, por gjithsesi, në krye të zhvillimeve të tilla mbetej gjithnjë ai, i famshmi Bollano. Ai, mjerisht, ishte qendra e gravitacionit të politikës greke në një nga vendbanimet më të kulturuara urbane të Shqipërisë.
Të dekurajuar nga distancimi i autoriteteve vendore prej veprimtarive të tilla provokuese të segmenteve të caktuara të politikës greke, organizatorët me shumë gjasa u përpoqën që ky distancim të mos ishte i qartë, siç do të bëhej prej ndonjë përplasjeje të mundshme për vendosjen e bustit gjetiu. Ndaj ata kishin vendosur të mbanin atë profil që mbajtën: zhvillim të ngjarjes brenda oborrit dhe mureve të kishës së Himarës dhe largim të mediave shqiptare nga ngjarja. Jo rastësisht mediat greke e kishin vendosur theksin te mungesa e bashkëpunimit të autoriteteve lokale dhe te mosprania e tyre në një ngjarje të tillë. Ishte ky momenti përcaktues, që aktiviteti të kishte atë rrjedhë që pati. Madje, aq thelbësore, aq e rëndësishme ka qenë kjo mungesë bashkëpunimi, sa organizatorët e aktivitetit në fjalë vendosën të bëjnë diçka akoma më komprometuese. Ata vendosën një bust në kishën lokale të Himarë-Fshatit, duke implikuar në një veprimtari të tillë provokative Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Nuk ka asnjë dyshim se klerikët e zonës nuk mund të ndërmerrnin një hap si ky pa kontaktuar qendrën, Kishën Autoqefale, në krye të së cilës është një shtetas grek. Të vendosësh një bust të tillë në oborrin e kishës, në përpjekje për t’i dhënë tiparet e një shenjtori, një qytetari të vrarë pse fliste greqisht, por që hëpërhë nga autoritetet zyrtare konsiderohet si i vrarë aksidentalisht, do të ngjante si sfidë e Kishës për autoritetet zyrtare, për autoritetet lokale, por dhe për ato qendrore, për gjyqet e këtij vendi, për institucionet e tij. Askush prej klerikëve lokalë nuk mund të ndërmerrte një hap të tillë paprecedent të vendosjes në oborrin e kishës, qoftë dhe si masë provizore, të një busti si ky. Ndërkohë, autoritetet, në respekt të autonomisë së Kishës, s‘mund të ndërhynin në oborrin e “greqizuar” të kishës. Ngjan se kjo arsye e ka shtyrë mitropolitin grek të Gjirokastrës që ta kundërshtojë vendosjen e bustit në oborrin e kishës dhe ta zhvillojë liturgjinë për nder të Gumës në një kishë tjetër, siç njoftojnë disa media greke. Ndaj dhe organizatorët kanë dashur t’i mbajnë mediat shqiptare larg këtij fërkimi me Kishën, të cilën ata e përdorën kaq jotrimërisht.
Të dyja këto momente kryesore të ngjarjes së Himarës tregojnë se në atë qytet aq të rëndësishëm për Shqipërinë e djeshme dhe të sotme po fillojnë kohëra të tjera. I ashtuquajtur proces helenizimi i Himarës ka pësuar një goditje të rëndë pardje. Më saktë, pardje u vu re kaq qartësisht. Ndryshimi me votë i autoriteteve lokale, tkurrja për shkak të krizës ekonomike greke e parasë publike për qëllime helenizuese në formën e pensioneve apo në forma të tjera, janë dy shkaqe kryesore të kësaj goditjeje.
Në rrethana të tilla, ndaj Himarës duhet politikë e zgjuar. Më së pari, nuk duhet bërë presion i madh publik ndaj autoriteteve të reja që ato të mbajnë të vetmuara flamurin e shqiptarisë në atë zonë, pa një angazhim tërësor të të gjitha autoriteteve, të shoqërisë civile etj.
Së dyti, shteti shqiptar, duke luajtur me instrumente të ligjshme, me atë të interesit ekonomik etj., duhet të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë transparente në zhvillimin real të zonës. Siç është kuptuar qartë tashmë, Greqia në këto 20 vjet nuk ka treguar ndonjë interes për ta zhvilluar Himarën si zonë turistike, përveç politikës asistenciale, ndërsa Shqipëria i ka të gjitha interesat për ta zhvilluar Himarën dhe gjithë Bregun nga kjo perspektivë. Ndërkohë, një nga arsyet e humbjes së pushtetit lokal prej heroit të helenizmit, siç paraqitet Bollano nga gazetat e diasporës greke, janë pikërisht dyshimet që iu thanë në sy atij dhe drejtuesve të OMONIA-s nga mitropoliti i Gjirokastrës: abuzimet me pronat. Rruga për kthimin e Himarës atje ku meriton të jetë kalon pikërisht nga kjo rrugë: ndalimi i abuzimeve me pronat e himarjotëve dhe dhënia e një perspektive zhvillimi turistik të qartë Bregut. Këtë s’mund ta bëjë vetëm kryebashkiaku Goro, por duhet ta bëjnë të gjithë.

© Panorama.al

Te lidhura