Jahjaga ngushëllon Topin
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentes Jahjaga.
“Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë”, thuhet në telegram.
Thaçi ngushëllon Berishën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëlloi kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.
“Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me studentë, afër Himarës, ku humbën jetën 11 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata”, thuhet në telegramin e z Thaçi.
“Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta. Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një jetë më të mirë,” ka thënë kryeministri Thaçi në telegramin e ngushëllimit
Lëvizja Vetëvendosje mesazh ngushëllimi për familjet
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjeve të viktimave të aksidentit tragjik të Himarës.
Me dhimbje të madhe pranuam lajmin për aksidentin e sotëm rrugor në Qafën e Vishës, me ç’rast humbën jetën 12 studentë dhe shumë prej tyre u lënduan.
Një humbje kaq e madhe e jetëve të reja na ka prekur thellë!
Në këto moment mendja dhe zemrat tona janë tek familjet e viktimave, të cilave iu shprehim ngushllimet tona më të sinqerta, si dhe shërim sa më të shpejtë të plagosurve.
© Panorama.al











