Mes luftës së ftohtë dhe çështjeve të hapura

May 12, 2012 | 11:32

AGRON BAJRAMI

Edhe pse zgjedhjet e Serbisë në Kosovë konsiderohen si ngjarje e huaj që nuk duhet të ketë asnjë efekt në proceset e brendshme në vend, në Prishtinë ka kohë që pothuaj të gjithë e kanë të qartë se çdo ngjarje politike në Serbi ka ndikime të shumanshme në Kosovë, sado që një gjë e tillë zyrtarisht nuk pranohet as nga qeveria e Kosovës, as nga faktorët relevantë ndërkombëtarë.
E janë së paku katër efekte të rëndësishme që mund t’i kenë në Kosovë zgjedhjet presidenciale, parlamentare e lokale serbe, që do të mbahen më 6 maj.
Efekti i parë, i qartë, i zgjedhjeve serbe është te vetë komuniteti serb në Kosovë dhe përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët, përgjithësisht dhe na masën më të madhe, varen prej asaj se kush sundon në Beograd dhe çfarë politike ndaj Kosovës ka ai që sundon me Beogradin. Sado që pushteti serb të insistojë se nuk ka kontroll ndaj serbëve në Kosovë, posaçërisht grupacioneve ekstreme në veri, fakt mbetet se këto struktura paralele të pushtetit serb, sikur edhe pjesa më e madhe e grupimeve kriminale në veri të Kosovës, financohen nga buxheti i Republikës së Serbisë dhe janë të ndihmuara nga organet shtetërore dhe institucionet e Republikës së Serbisë. Që gjërat të jenë edhe më keq, pjesa më e madhe e aktiviteteve të dhunshme në Veri të Kosovës – përfshirë vendosjen e barrikadave në rrugët që e kanë bllokuar atë pjesë të Kosovës qysh nga shtatori i kaluar. Dhe inicimit të konfliktit të hapur madje edhe me misionet paqësore ndërkombëtare – drejtpërdrejt janë ndihmuar nga struktura të ndryshme të partive politike nga Serbia, madje jo vetëm nga radhët e opozitës; sekret publik është se, përveç opozitës së përparimtarëve të Tomislav Nikoliçit, radikalëve të Vojislav Sheshelit dhe demokratëve të Vojislav Koshtunicës, në veri janë shumë aktivë edhe segmente të partnerit në koalicionin qeverisës, socialistët e Ivica Daçiçit, si dhe forcat e Policisë së Serbisë ministër i të cilave është pikërisht Daçiçi, të cilat vazhdojnë që ilegalisht të veprojnë në Kosovë.
Efekti i dytë, po aq i dukshëm, është te bashkësia ndërkombëtare, e cila në vitet e kaluara, sa i përket rajonit, më së shumti është e drejtuar nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, andaj edhe është e rëndësishme për të se kush e mban pushtetin në Prishtinë dhe kush në Beograd. Për këtë arsye ekziston një presion i madh ndaj Prishtinës që veprimet e veta t’i koordinojë me Perëndimin, në mënyrë që kjo të jetë ndihmë për Boris Tadiçin dhe Partinë e tij Demokratike, meqë ata shihen si të vetmit partnerë në shumicën e kryeqyteteve perëndimore, posaçërisht për proceset e ardhshme të rëndësishme në raport me Kosovën, sikur që është hapja tashmë e paralajmëruar e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për veriun e Kosovës dhe gjetjen e marrëveshjes funksionale për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Dhe, sado që kjo të jetë e çuditshme, qeveria e Kosovës, përkundër deklaratave “të forta” kundër zgjedhjeve serbe, në masën më të madhe ka vepruar në mënyrë që ka qenë ndihmesë për Tadiçin. Një pozicion i tillë i Qeverisë kosovare tashmë ka nisur të reflektohet edhe në rejtingun publik të Kryeministrit Hashim Thaçi, të cilin çdoherë e më tepër e sulmojnë se punon më tepër në favor të Tadiçit se sa për interesa të Kosovës. Një trend i tillë kundër Thaçit me shpejtësi ka fituar peshë kur ekipi kosovar ka pranuar marrëveshjet me Serbinë – sikur që është dakordi tashmë i njohur për paraqitje rajonale të Kosovës me fusnotë – që Beogradit i kanë siguruar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Efekti i tretë – po aq i qartë dhe i dukshëm – është tensionimi i situatës në Kosovë, posaçërisht në veri të vendit, për shkak të dozës së shtuar të deklaratave nacionaliste e populiste të zyrtarëve dhe politikanëve serbë në fushatën zgjedhore, ku Kosova dominon si temë nacionale vite me radhë.
Shumëkush madje i sheh edhe arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga ana e policisë së Serbisë në kalimet kufitare – sikur edhe incidentin në kufi kur dy pjesëtarë të patrullës kufitare kosovare u rrëmbyen nga njësiti i policisë speciale serbe – si pjesë të fushatës parazgjedhore me të cilën ministri serb i policisë, Ivica Daçiçi, përpiqet të fitojë votat për Partinë e tij Socialiste. Efekt jo më pak të vogël, por që mund të jetë më pak i dukshëm, është situata rreth mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës. Pasi që misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, konfirmoi se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë do të ishte në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, Komisioni Zgjedhor serb ka vendosur që zgjedhjet lokale mos të mbahen për komunat në Kosovë. Por, në terren, posaçërisht në veri, serbët lokalë tashmë janë përgatitur që t’i mbajnë edhe këto zgjedhje, një gjë të cilën duket se askush edhe nuk është shumë i vullnetshëm ta ndalojë. Dhe, sado që ato zgjedhje të konsiderohen jolegale, mbajtja e tyre do të mund të prodhonte liderë lokalë të cilët do të “legjitimonin” mandatet e veta për procesin tashmë të nisur të shkëputjes së veriut të Kosovës nga Prishtina, një gjë që nga prapavija megjithatë drejtohet prej Beogradit.
Me këtë situata do të mund të përkeqësohej edhe më shumë, ndërsa nuk përjashtohet se një zhvillim i tillë do të mund të rriste edhe tensionet në mjediset serbe në Kosovë, jo vetëm në veri, gjë që është arsyeja kryesore për vendimin e NATO-s që me 700 ushtarë rezervë të shtojë numrin e trupave në Kosovë në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe.
Në fund të fundit, për Prishtinën do të jetë gjithmonë e rëndësishme se kush janë njerëzit në krye të shteteve fqinje dhe cilat janë politikat e atyre liderëve ndaj Kosovës. Por, në rastin e Serbisë është e qartë se nuk mund të flitet për një fqinj normal të Kosovës; bëhet fjalë për një vend që vazhdon të ketë pretenzione territoriale ndaj Kosovës.
Për këtë arsye këto zgjedhje serbe, madje edhe nëse në pushtet i sjellin elementët vërtet progresivë të politikës serbe sikur që është Çedomir Jovanoviçi dhe koalicioni i tij “Ndryshimi”, Kosovës do t’i hapin më shumë çështje seç do t’ia mbyllin.
Në rastin më të mirë, gjendja ekzistuese e “luftës së ftohtë” mes Prishtinës dhe Beogradit do të mbetet në masën më të madhe e pandryshuar me lëvizje pozitive vetëm nën presion të Bashkimit Europian. Në rastin më të keq, një ndryshim më radikal në majë të Serbisë do të sillte një raport edhe më negativ mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në tërë rajonin, ndërsa në terren kjo shumë lehtë do të mund të shndërrohej në jostabilitete të reja – dhe atë, para së gjithash, në Veri!

© Panorama.al

Te lidhura