
Kredia e fundit që mbyll edhe vazhdën e marrëveshjeve të qeverisë për financimin e autostradës Tiranë-Elbasan, jepet nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka nënshkruar dy ditë më parë në Vjenë marrëveshjen për kredinë 20.4 milionë dollarëshe me drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të OPEC-ut, Suleiman J. Al-Herbish. Në një njoftim të Financave vlerësohet se kjo kredi mbyll paketën e plotë të financimit të tri segmenteve të autostradës Tiranë-Elbasan, e cila do të ketë një kosto mbi 290 milionë dollarë. Kredia që qeveria po merr nga fondi i OPEC-ut, vlerësohet si një kredi me kushte mjaft të favorshme. Ajo ka një interes vjetor 3.3 për qind me një tarifë shërbimi prej 1 për qind, si normë vjetore e aplikuar mbi shumën që disbursohet apo nuk shlyhet. Afati i maturimit të kësaj kredie është 20 vjet, ku 5 vjet janë pa pagesë principali. Sipas Ministrisë së Financave, kredia e OFID do të përdoret për të financuar segmentin e tretë të autostradës, i cili ka gjatësi 11.7 kilometra dhe fillon në daljen e tuneleve në kilometrin 15.2 dhe përfundon në kilometrin e 27-të të rrugës në hyrje të qytetit të Elbasanit. Më herët, për ndërtimin e autostradës qeveria kontaktoi me një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, nga të cilat morri edhe hua ,siç janë fondi i Abu Dhabit apo Banka Islamike për Zhvillim. Nga pesë banka të huaja zhvillimi të ofruara për financim, qeveria kontaktoi vetëm me tri, edhe për shkak të uljes së kostos së rrugës pas tenderimit.
20.4 milionë USD
është vlera e kredisë që ministri i Financave nënshkroi me Fondin e OPEC-ut për Zhvillim. Kjo kredi do të ketë interes 3.3 për qind dhe një afat maturimi prej 20 vitesh.











