Merkel-Tadiçit: Zhdukni strukturat paralele nga Kosova

Aug 24, 2011 | 10:55

Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, gjatë vizitës në Beograd ka parashtruar një sërë çështjesh për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën përpara se Serbia të marrë statusin e kandidatit për hyrjen në BE gjatë këtij viti. Merkel, gjatë takimit me presidentin serb, Boris Tadiç, ka kërkuar rezultate në dialogun e ndërmjetësuar nga BE në mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka insistuar që Beogradi të heqë dorë nga strukturat paralele që funksionojnë në Veri të Kosovës (shërbimet postare, shkollat, administratat komunale), duke lejuar EULEX-in të punojë në të gjithë territorin. “Nëse Serbia dëshiron të marrë statusin e kandidatit, ajo duhet të fillojë dialogun me Kosovën dhe të arrijë rezultate në këtë dialog, EULEX-i të punojë në të gjitha rajonet e Kosovës, si dhe t’i shpërbëjë strukturat paralele”, është shprehur Merkel. “Dëshirojmë rezultate gjatë dialogut. Kemi pasur një verë, që nuk ka qenë aq e mirë, ka sjellë disa gjëra që ne kemi menduar se i kemi tejkaluar. Dua të theksoj edhe një herë: Gjermania dërgon numrin më të madh të ushtarëve në kuadër të KFOR-it dhe prania jonë i shërben atij qëllimi ku të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë serbët ne Veri, të jetojnë në një atmosferë të qetë. Dëshirojmë që të ketë rezultate dhe përparime”, tha ajo, duke porositur që të gjitha temat të hapen dhe diskutohen që tani e të mos lihen më vonë, përfshirë edhe Veriun. Merkel pranoi se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë proces i gjatë, por i padiskutueshëm. ‘Vendi i Serbisë është në Europë’, u shpreh ajo në konferencën për shtyp, bashkë me Presidentin Boris Tadiç. Ky i fundit tha se është i mendimit se çdo zgjidhje për konfliktet individuale në hapësirën e Europës Juglindore duhet të marrë parasysh stabilitetin e gjithë rajonit. ‘Ne edhe sot po përballemi me shumë çështje të komplikuara e një prej tyre është edhe Kosova”, tha Tadiç. Presidenti i Serbisë tha se duket qartë se strategjia e Prishtinës është që, me aksione të njëanshme, të ndryshojë situatën në terren. Madje, sipas tij, deklarata e ardhur nga Prishtina se autoritetet janë të gatshme për aksione të reja, “është pjesë e kësaj strategjie”.

© Panorama.al

Te lidhura