Vizita e kancelares Anxhela Merkel në Ballkan shihet si një ndikim i fortë i Gjermanisë për politikat e integrimit në BE, por edhe si një kërkesë për zbutjen e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.Vizita e kancelares gjermane në Kroaci dhe Serbi, aktualisht politikania më e rëndësishme e vendit më të fuqishëm të BE-së, vjen pas vizitës së ministrit të Jashtëm, Guido Vestervelle, i cili premtoi në Prishtinë mbështetje për Kosovën dhe pandryshueshmëri të kufijve aktualë të saj. Bisedimet për perspektivën europiane të Kroacisë dhe Serbisë do të jenë në agjendën e kancelares gjermane. Ndërkohë, Merkel pritet të bëjë thirrje edhe për “ftohje të fërkimeve” mes Serbisë dhe Kosovës. “Gjermania është kthyer në Ballkan”, tha analisti Davor Gjenero për të përditshmen kroate “Vijesnik”. Kjo është hera e parë që nga viti 2003 që një udhëheqës i qeverisë së Gjermanisë viziton Zagrebin dhe Beogradin. Merkel do të takohet të hënën në Zagreb me presidentin kroat, Ivo Josipoviç, dhe kryeministren Jadranka Kosor. Sipas së përditshmes “Jutarnji List”, ajo do t’u kërkojë autoriteteve kroate të vazhdojnë reformat dhe masat kundër korrupsionit. Kroacia pritet t’i bashkohet BE-së në verë të 2013-s. Ndërkaq, sipas REL, Kosova do të jetë temë kryesore e diskutimit me zyrtarët serbë në Beograd të martën. Vizita e Merkelit pritet të ndodhë pak ditë para rifillimit të bisedimeve midis palës serbe dhe asaj kosovare, më 2 shtator, në Bruksel. “Një nga detyrat e mia do të jetë të bind Serbinë se ajo duhet të rinisë dialogun me Kosovën”, ka thënë Merkel në fjalimin e saj javor. Disa në Serbi kanë shprehur frikën se Merkel do të ushtrojë presion mbi liderat serbë që “të braktisin plotësisht Kosovën”. “Vendet me më ndikim europian, si: Gjermania, Britania, Franca, duan një zgjidhje të shpejtë në Kosovë dhe ato e shohin atë në lënien e Veriut të Kosovës në duart e Prishtinës”, tha për mediat serbe Milan Nikoliç, nga Qendra e Studimeve Politike në Beograd.
Hapet rruga
Është liruar rruga në fshatin Leshan të Leposaviçit, pasi EULEX dhe serbët kanë bërë një marrëveshje të shkruar. KFOR dhe EULEX kanë përmbushur kërkesat e serbëve, duke u treguar urdhrin nga Prokuroria ndërkombëtare dhe për të konfiskuar ekskavatorin, të cilin policia e EULEX-it kishte shkuar ta konfiskonte. Më pas, ata u lejuan të kalojnë dhe situata është qetësuar pas protestës së serbëve.
Debati i teksteve të historisë
Tekstet e historisë në Kosovë kanë marrë reagimin dhe pakënaqësinë e një prej vendeve më mike të Republikës së re, Turqisë. Ministrit turk i Arsimit, Omer Dinçer, kërkoi ndryshimin e disa paragrafëve në librat e historisë, pasi sipas tij ata fyenin popullin turk. Por, autorët e librave të historisë kanë reaguar për kërkesën e ministrit turk të Arsimit, që ka kërkuar në Prishtinë heqjen e “paragrafëve fyes” në librat shkollorë. Historiani Frashër Demaj tha se sundimi i perandorisë osmane, nga beteja e Kosovës e deri në pavarësimin e Shqipërisë, ka ndodhur 523 vjet më parë. Dhe në atë kohë, turqit ishin pushtues dhe kjo nuk mund të ndryshohet.
© Panorama.al











