Merkel e Holande: Do të bëjmë gjithçka për euron

Jul 28, 2012 | 13:01
Merkel e Holande

Besimi në monedhën europiane u rrit për të dytën ditë radhazi, pas deklaratës së liderëve të dy vendeve më të fuqishme të eurozonës, Angela Merkel dhe Fransua Holande, mbi “luftën” për euron. Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez u zotuan se do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur euron. Kjo deklaratë solli një reagim të menjëhershëm pozitiv në tregje për monedhën europiane, por rezultoi me benefite edhe për kompanitë e mëdha të eurozonës. Deklarata e Merkel dhe Holande erdhi një ditë pas asaj të guvernatorit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, i cili tha se “BQE do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbështetur euron”. Dragi u shpreh në një konferencë të suksesshme për shtyp se “Brenda mandatit tim, BQE-ja do të bëjë gjithçka ka në dorë dhe më besoni, jam i sigurt që kjo do të jetë e mjaftueshme”. Fjalimi i tij i dha një nxitje vetë monedhës së përbashkët dhe bursave europiane. Dje, Kryeministri i vendit më të dobët të eurozonës, Greqisë, Antonis Samaras, takoi përfaqësuesit e Trojkës në përpjekje për t’i bindur pas inspektimit të tyre se Greqia do të jetë në gjendje t’i përmbushë angazhimet e saj. Greqia pret miratimin e një kësti prej më shumë se 31 miliardë eurosh brenda muajit shtator ose, në të kundërt, përballet me falimentimin. Vendimi i Trojkës do të shpallet në shtator, nëse Greqia do ta marrë këstin, apo do të shkojë drejt daljes nga eurozona.

Dy javë kohë
Gazeta britanike “The Economist” shkruan se Greqia ka vetëm 2 javë kohë, nën dyshimet se qeveria greke nuk do të arrijë të bindë inspektorët mbi aftësinë për të rivendosur programin fiskal. “Greqia ka vetëm dy javë për të bindur huadhënësit se mund të hyjë përsëri në rrugën e duhur”, shkruan gazeta. Sipas saj, nëse Trojka vlerëson se Greqia nuk mund të zbatojë planet e reja për shkurtimet prej 11.5 miliardë eurosh gjatë dy viteve të ardhshme, atëherë kësti tjetër prej 31.5 miliardë nuk do të jepej, ekonomia greke do të tkurrej dhe si rezultat pagat e pensionet do të ngrinin duke provokuar daljen e vendit nga euro brenda pak javësh.

© Panorama.al

Te lidhura