Merkato, PSG-ja shpenzoi më shumë se e gjithë Spanja

Sep 4, 2012 | 14:54

Vera ka qenë mjaft e nxehtë në merkaton e futbollistëve. Klube me probleme financiare që u munduan të evitojnë largimin e yjeve, lojtarë që u transferuan në “gjirin” e sheikëve të futbollit dhe sheikë që kanë kryer blerje të çmendura. Një verë me transferime të bujshme dhe njëkohësisht e shoqëruar me shumë kursim. Ndërsa dëgjon lajme “të frikshme” nga PSG-ja në Francë, nuk dëgjon asgjë nga Spanja apo Italia. Klubi parisien ka shpenzuar më shumë sesa i gjithë kampionati spanjoll, pikërisht 142 milionë euro për PSG-në dhe vetëm 132 për La Liga-n. Pronarë të rinj klubesh, me pasuri të tejskajshme dhe me një dëshirë të madhe për të konkurruar të gjithë gjigantët e futbollit. Tashmë, “lufta” e re e futbollit është shndërruar në milionat kundër traditës…
Shpenzimet – Kampionati që ka bërë më shumë shpenzime ka qenë Premier Liga. Pothuajse të gjitha skuadrat e saj kanë dalë me deficit në merkaton e zhvilluar, duke shpenzuar më shumë nga sa kanë shitur. Janë plot 627 milionë euro të hedhura në blerjen e lojtarëve, ndërkohë që prej largimeve janë përfituar vetëm 292.4 milionë. Një bilanc, që ia ka dalë mbanë të kthejë gjithë vëmendjen e sportdashësve drejt kampionatit anglez, i cili e ka rritur ndjeshëm, si rivalitetin, edhe cilësinë e futbollit. Ndërkohë, si rrallëherë ka ndodhur që edhe Gjermania të ketë bilanc negativ. Janë 241 milionë euro të shpenzuara për përforcime dhe 139 të përfituara, pra me një humbje prej rreth 100 milionë eurosh. Gjithsesi, rreth 1/3 e parave të shpenzuara e ka bërë vetëm Bajerni i Mynihut, një nga klubet me ekonominë më të sigurt në Europë.
Kursimtarët – Ju kujtohet koha kur nga Italia dhe Spanja dëgjoje transferime të çmendura apo luftë të fortë për të afruar yjet e futbollit? Tashmë, ato mund të duken shumë larg. Dikur, Reali i Madridit realizonte blerjet më të shtrenjta në histori, por tani mendon të rregullojë bilancet. La Liga ka investuar vetëm 132 milionë euro për përforcime, në një kohë që janë përfituar plot 185 milionë nga largimet, duke bërë që pjesa më e madhe e skuadrave të mendojë më shumë për shlyerjen e borxheve të akumuluara në vitet e shkuara, sesa për të rritur cilësinë. Të njëjtin fat ka pasur edhe Seria A. Edhe pse janë shpenzuar 374.8 milionë, të ardhurat kanë qenë 392 milionë, pra një përfitim prej afro 17 milionësh. E të mendosh që vetëm Milani (dikur një nga klubet që shpenzonte më shumë) ka arkëtuar 69 milionë euro vetëm nga shitjet. Duket se kampionatet kanë kaluar stafetën. Dorëlëshuarve të dikurshëm, tashmë u kanë mbetur kujtimet dhe një listë e madhe me borxhe për të shlyer.

Bilancet e ligave në merkaton e verës
Premier Liga (Angli)

Shpenzime: 627.135 mln euro
Të ardhura: 292.4 mln euro
Bilanci: -334.735 mln euro

Seria A (Itali)
Shpenzime: 374.855 mln euro
Të ardhura: 392.430 mln euro
Bilanci: +17.575 mln euro

Bundesliga (Gjermani)
Shpenzime: 241.530 mln euro
Të ardhura: 139.470 mln euro
Bilanci: -102.06 mln euro

Liga 1 (Francë)
Shpenzime: 219.85 mln euro
Të ardhura: 164.450 mln euro
Bilanci: -55.4 mln euro

La Liga (Spanjë)
Shpenzime: 132.1 mln euro
Të ardhura: 185.570 mln euro
Bilanci: +53.470 mln euro

Premier Liga (Rusi)
Shpenzime: 126.170 mln euro
Të ardhura: 39.580 mln euro
Bilanci: -86.59 mln euro

“Mbretërit” e shpenzimeve
1. PSG, 142 milionë euro

Sheikët që morën pronësinë e PSG-së janë “mbretërit” e merkatos së verës, pasi kanë afruar lojtarë si Ibrahimoviç, Tiago Silva, Laveci apo Lukas Moura.
2. Çelsi, 103.8 milionë euro
Kampionët në fuqi të Europës nuk u kursyen në merkato, duke rigjeneruar pjesën më të madhe të skuadrës. Blerja më e shtrenjtë ishte ajo e Eden Hazardit, për 40 milionë euro.
3. Bajern Mynih, 70.3 milionë euro
Bavarezët zhvilluan një merkato tepër aktive, duke afruar lojtarë tepër cilësorë. Vetëm H.Martinez u kushtoi 40 milionë.
4. Totenhemi, 65.4 milionë euro
Andres Vilas Boas udhëhoqi një “bum” largimesh dhe afrimesh në skuadër. U shpenzuan shumë para, ku blerja më e shtrenjtë ishte Dembele për 19 milionë euro.
5. Mançester Junajtid, 65.7 mln euro
Aleks Ferguson po fërkon ende duart nga gëzimi, për faktin se arriti të afrojë lojtarë si Van Persi apo Kagaua.

Klubet që përfituan
1. Milani, 69 mln euro

“Djalli” është klubi që përfitoi më shumë nga largimet sivjet, pasi vetëm Ibra dhe Tiago Silva u sollën atyre 62 milionë euro.
2. Totenhemi, 67.38 mln euro
Anglezët kryen një numër të madh transferimesh, por Luka Modriç ishte ai që i “ngopi” më tepër.
3. Arsenali, 57.8 mln euro
Van Persi e Song ishin dy largime të rëndësishme, por edhe fitimprurëse për Vengerin, duke e bërë atë klubin e tretë për nga përfitimet e kësaj vere.
4. Xhenoa, 54.3 mln euro
Është shembulli perfekt se si një klub mund të jetë fitimprurës. Edhe pse i merr lojtarët me kosto të ulët dhe të rinj në moshë, Xhenoa ka arkëtuar 54.3 milionë euro vetëm nga shitjet sivjet.
5. Sao Paolo, 40 mln euro
Klubi brazilian përfitoi shumë, por vetëm nga një shitje. Pikërisht nga ajo e Lukas Mourës te PSG-ja.

© Panorama.al

Te lidhura