Mëneri: Dhuratat e deklaruara në ILDKP, trashëgimi nga babai

Sep 4, 2012 | 11:37
Zv.ministri i Mjedisit, Auron Mëneri

Zv.ministri i Mjedisit, Auron Mëneri, reagon pas akuzave të deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri, për një hetim të plotë mbi zyrtarët që kanë deklaruar miliona nga dhuratat. Tri ditë më parë, gazeta publikoi një listë me rreth 100 zyrtarë që në deklaratat e pasurisë në ILDKP kanë bërë publike marrjen e dhuratave me vlera të ndryshme. Vlera e dhuratës së zv.ministrit të Mjedisit ishte rreth 24 milionë lekë të rinj. Në deklaratën për gazetën, ai shprehet se “miqtë dhe të njohurit që dinë origjinën time mbase do ta gjenin të tepërt këtë sqarim, por sidoqoftë unë mendoj se u detyrohem lexuesve të kësaj gazete dhe opinionit që me të drejtë është mjaft i ndjeshëm ndaj fshehjes së të ardhurave e fenomeneve të tjera që rëndom mbushin faqet e medias”. Sipas Mënerit, e gjithë vlera e dhuratës është nga trashëgimia familjare. “Sigurisht që si çdo qytetar mbështes me forcë transparencën e plotë për të ardhurat e funksionarëve politikë apo nëpunësve në detyrë. Në deklarimin e të ardhurave unë nuk kam fshehur dhe as kam përse të fsheh gjendjen time financiare, sepse të gjitha “dhuratat” janë produkt i trashëgimisë familjare, të gjitha këto lehtësisht të verifikueshme, të dhuruara nga babai im dhe askush tjetër, që më takojnë ligjërisht dhe njëkohësisht nuk kanë absolutisht asnjë lidhje në kohë ose hapësirë me pozicionin politik që unë mbaj”, shprehet më tej zv.ministri. Sipas tij “për të sqaruar shqetësimin e deputetit Tahiri, dua të theksoj se unë nuk i përkas klasës së langonjve apo pinjollëve të Bllokut që përpiqen të rrëmbejnë një kockë të hedhur nga politika dhe e lëpijnë në ndonjë skutë të errët, por jam pasardhës i një prej familjeve më të pasura dhe të njohura të Tiranës, që ekzistencën e saj e ka të lidhur me punën dhe ndershmërinë dhe aspak me bëmat e Partisë së Punës apo Sigurimit të Shtetit”. Zyrtari i lartë i Ministrisë së Mjedisit shton gjithashtu se pasuria e deklaruar do të ishte më e madhe, nëse regjimi komunist nuk do ta godiste familjen e tij. “Së fundmi gjej rastin të theksoj se zbatimi i parimit ‘hidh baltë sa të mundesh, se të gjithë njësoj jemi’ u shkon për shtat vetëm atyre që pengojnë rrëzimin e murit të imunitetit dhe integrimin e Shqipërisë në Europë”.

© Panorama.al

Te lidhura