Mendime piramidale

Jul 29, 2011 | 9:25

GJERGJ META

Politizimi i skajshëm i jetës shqiptare është një e keqe e madhe që duhet shkulur me rrënjë. Kjo, pasi nuk lejon rrjedhjen e mendimit dhe lirinë
e tij. Duket absurde, por kështu është. Pse? Politizimi i gjithçkaje të çon drejt një situate të tillë që, nëse shprehesh për apo rreth diçkaje, menjëherë rreshtohesh apo të rreshtojnë me një krah. Ndoshta në Shqipëri vetëm dukuritë e natyrës kanë mbetur ende ekskluzivitet i Zotit, por edhe këtu kam frikë se, nëse bie shi gjatë mitingut të ndonjë krahu politik, ka gjasa që dikush, sadopak, të mendojë që po na hedhin ujë nga sipër. Përtej ironisë, ka disa gjëra që ndodhin në këtë vendin tonë dhe që do të kishin nevojë për një debat më të çlirët dhe më të çiltër, por që fatkeqësisht, nëse futesh e merr pjesë, je
i rreshtuar. Megjithatë, duke marrë përsipër rrezikun, do të mundohem t’i kaloj për skaj e të flas për një çështje, që në mënyrë fare ideologjike po na mundon: Piramida e Enver Hoxhës. Unë e kam parë atë godinë edhe nga brenda kur kam qenë pak më shumë se 10 vjeç. Për një djalë nga fshati që vinte për herë të parë në Tiranë, ishte një mahnitje. I mësuar përditë me ara, punëtorë ferme, shat, stalla lopësh, kopshtije të vogla që na lejonte regjimi, hyrja në një “tempull” të tillë të krijonte mrekullim. Dhe ajo ishte krijuar
për të na treguar neve jetën dhe veprën e njeriut kinse më të dashur të shqiptarëve, atij që e mbajti Shqipërinë shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut për 40 vjet.  Kam parë atëherë revolver, fotografi, makinë, pushkë e gjëra që edhe koha i ka fshirë nga kujtesa. Nga ajo kohë nuk ka mbetur (faleminderit Zotit!) asgjë tjetër, përveç mureve. Piramidat në lashtësi ishin një instrument për të bërë të pavdekshëm faraonin e kjo logjikë (në këtë rast jo religjioze, por ideologjike) ka përshkuar tejpërtej edhe logjikën e Piramidës mu në zemër të Tiranës. Ngritja dhe forma e asaj piramide duket sikur ka mbledhur nga gjithë Shqipëria plehnajën e një regjimi antinjerëzor dhe e ka ngritur si një grumbull në mes të kryeqytetit. Duke logjikuar a posteriori, se atëherë isha fëmijë e arsyetoja si fëmijë, ajo strukturë ishte një artific i ngritur në këmbë për të ideologjizuar një popull e për të bërë të përjetshëm kujtimin e një makabriteti njerëzor. Gjërat artificiale ngrihen në funksion të koniunkturave të momentit dhe, kur koniunktura mbaron, nuk kanë më arsye ekzistence. Ajo Piramidë nuk rri natyrshëm kurrkund e çka nuk rri natyrshëm, natyra duhet ta nxjerrë jashtë vetes. Kur them nuk rri natyrshëm, e kam fjalën jo aq në proporcionet arkitektonike për të cilat nuk jam ekspert, por pikërisht te natyra e fillimit të ekzistencës së saj. Ajo Piramidë ka humbur funksionin e saj qysh në vitet 1990-1991 kur ra sistemi dhe busti i Enver Hoxhës. Dhe nuk kemi të bëjmë me piramidat e Egjiptit që janë një pasuri botërore, të cilat fshehin brenda
histori, religjion, konceptime të jetës dhe të njeriut, punën e shumë njerëzve, sigurisht madhështinë e përmasave dhe mendjet gjeniale. Nga të gjitha këto,
Piramida e Enver Hoxhës nuk ka asgjë. Nuk fsheh ndonjë konceptim të njeriut a të jetës që është për t’u studiuar. Modeli komunist shqiptar ka qenë më i
trashi nga të gjitha pikëpamjet. Realizmi socialist nuk na ka lënë asgjë për t’u admiruar. Në krahasim me simotrat e tij në Ballkan e gjetkë, ka qenë më i tmerrshmi, por më i pashije, më i paekuilibruari në përmasa e proporcione, më i pamendi në ide e filozofi, më i pakulturuari, sepse vrau njerëzit e kulturës dhe më i pashpirti, sepse vrau edhe njerëzit e shpirtit. Komunizmi
në Shqipëri ka nxjerrë dhe ka sjellë vetëm rrënim shpirtëror. Ishte trashëgimtari më i denjë i anadollizmit 500-vjeçar që e çoi Shqipërinë në greminë. Dhe Piramida është shprehja më tipike dhe më e qartë e kësaj shëmtie ideologjike të sistemit të kaluar. Ajo nuk përcjell e nuk thotë asgjë, është e heshtur si një varr plot eshtra, është pa kripë, nuk të jep asgjë. Më vjen natyrshëm një pyetje: Përse ithtarët e ruajtjes së Piramidës (sikurse edhe ata që duan ta shembin) nuk bëjnë një protestë apo nuk japin një
fond që burgu i Spaçit, Burrelit, Tepelenës, Porto Palermos etj., të kthehen në muze për të kujtuar atë kohë? Pse u dashka pikërisht kjo Piramidë të na kujtojë një histori të kaluar? Në qoftë se duam të kujtojmë për të mos harruar, është e nevojshme që studentët tanë t’i çojmë shëtitje në këto burgje dhe shteti të përkujdeset për ta, sepse aty u konsumua tragjedia më e tmerrshme e atyre burrave dhe grave që, po të kishin qenë të lirë, Shqipëria do të ishte
ndryshe tani. Piramida është një tempull idhujtarie e tempujt e idhujtarisë nuk kanë fund tjetër përveçse të shkulen me rrënjë që të mos i shkojë kujt
ndërmend të adhurojë më idhuj. Çka sigurisht, të gjithë ata që kanë për zemër atë shesh të kryeqytetit, ç’duhet të bëjnë është të kontrollojnë se çfarë do të ndërtohet aty. Të kërkojnë llogari pse janë shpenzuar më shumë se një herë
para nga buxheti i shtetit (d.m.th nga taksapaguesit shqiptar) për një ambient të tillë. Edhe sa para do të shpenzohen në të ardhmen? Do të ndërtohet Parlamenti i ri? Atëherë e dini çfarë duhet të bëjmë ne qytetarët për një vepër të tillë? Të kontrollojmë preventivat, punimet, planet, projektet dhe fituesit. Që do të thotë: përveçse projektit, që i rri apo jo rrethinave, të kontrollojmë nëse e gjithë sasia e betonit do të hidhet aty, të gjitha shufrat e hekurit dhe me përmasat e duhura të vendosen, pllakat dhe mermerët të vendosen me çmimet më konkurruese dhe me cilësinë më të mirë, pikërisht sikurse është  shkruar në preventiva. Që të mos abuzohet me centimetrat e shtresave sikurse me ato të asfalteve. Telat dhe pajisjet elektronike e amplifikimet të jenë mall origjinal, e jo kinez. Druri të jetë dru, dhe jo MDF apo kompensatë. Pikërisht këtë duhet të kontrollojmë që ka pak gjasa t’i kontrollojë kush dhe në mënyrë të përsëritur do të bëhen ndërtime e punë sikurse janë bërë pjesa më e madhe e punimeve në Tiranë dhe në Shqipëri, publike dhe private. Ne duhet të interesohemi që ndërtesa e ardhshme të njohë rreptësinë e
një ndërtimi të mirëfilltë. Këtu duhet synuar që gjithashtu ajo ndërtesë e re nesër të funksionojë brenda e jashtë, me mure e me banorë që të dinë të vendosin më të mirën për popullin tonë larg klientelizmit dhe mafiozitetit.

© Panorama.al

Te lidhura