XHEVAT MUSTAFA
Duke u përkujdesur të mos mërzis mikeshat e miqtë e mi të shumtë berishianë të flaktë e për të mos gëzuar antiberishianët e tërbuar, dëshiroj të deklaroj qysh në fillim se rezervat, kontestimet, kundërshtimet, kritikat e mia në adresë të PD- së, pa përjashtuar edhe individualisht Berishën, do të jenë ashtu si qysh nga pranvera 1991, edhe në shkrimet e botuara në RD e deri më sot e në ato të ardhshëm, objektive, dashamirëse, konstruktive, emancipuese, demokratizuese…, në dobi të rikthimit të PD-së në një forcë rrotacion sjellëse dhe qeverisëse! Ndryshe nga plot miq të mi që mendojnë se kritikat duhen lënë për pas zgjedhjeve, unë mendoj se ato i bëjnë vetëm mirë PD-së dhe kryesisë së saj! Përndryshe, ka më shumë rrezik e të ngjarë që gabimet 33-vjeçare të ripërsëriten për kushedi të satën herë! Për më keq, duke i shkaktuar PD-së një humbje të re dhe demokratëve një zhgënjim të ri, të vështirë përballueshëm!
Njëkohësisht, duke “i falur” Ramës një “fitore” të re të padëshiruar masivisht e të pamerituar! Kjo ambicie e çmendur u shpreh pa pikë turpi e vrasjeje në ndërgjegje për gjëmat e shkaktuara Shqipërisë dhe shumicës së shqiptarëve gjatë këtyre 11 viteve edhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së në Durrës më 8 shtator 2024, nga “goja e pacensurueshme dhe e paredaktueshme” e kryeministrit Edi Rama!? Nuk mund të mos merret në konsideratë edhe fakti se përsëritja e shpeshtë e të njëjtëve gabime jep arsye të mendohet se këto nuk janë krejt të rastit e rrjedhoja humbjeje vigjilence, vëmendjeje, kontrolli apo mbingarkese me 101 apo 1001 probleme të përditshme…! Duke iu referuar titullit, fare hapur e në shqip kjo mendësi, ky kriter, parim apo detyrim nuk gjendet në formë të shkruar në statutet e asnjërës prej partive kryesore në Shqipëri… Por, nga jeta dhe veprimtaria e tyre qysh nga lindja apo sajimi e deri më sot, është i lehtë kuptueshëm se është i zbatuar dhe i detyrueshëm. Sipas tekstit të pashkruar e më shpesh zbatuar, edhe sipas nëntekstit të “fjalimit programatik” të Edi Ramës në Durrës, më 8 shtator 2024, çdo anëtar partie, kryesie vendore e qendrore, çdo pushtetar në të 3 nivelet e piramidës partiake, por edhe çdo zyrtar e vartës, duhet të jetë “ushtar besnik”, servil, i bindur ndaj shefave! Edhe pa e vrarë mendjen se bie në pështirosje dhe përbuzje si dhe deri në nëpërkëmbje të personalitetit dhe dinjitetit të vet…!
Nënkuptueshëm: pa e çuar ndërmend të mendojë e jo më të shprehet ndryshe ose kundër! Kështu, si “kukulla a kone” të Ramës, Berishës, Metës…, duhet të mbeten edhe kur të jenë të bindur se kryetarët dhe ata që mbajnë më afër, më së shumti “partizanë të flaktë” për poste e përfitime sa më të mëdha individuale e familjare prej tyre, që mplaken nëpër karrige pushtetesh, që e lejojnë veten t’i tërheqë era e karrierës, edhe brenda 1 mandati e 1 viti, sa majtas e djathtas, ia fusin hapur ose pas kurrizit sa krahu partisë, qytetarit, demokracisë, Shqipërisë…!? Si përjetues kohë gjatë, sa pak popuj të tjerë në botë, të respektimit dhe zbatimit masiv të këtij parimi e të kësaj mendësie jemi të bindur se ka pjellë kulte, klane, diktat, autokratizëm…, kukulla e skllevër të kryetarëve dhe shefave! Për më keq, jo vetëm në partira, por edhe në institucione publike e shtetërore, formalisht jo partiake. Të mirëkuptohemi: nuk është demokratike dhe e dobishme një besnikëri absolute dhe e përhershme ndaj kryetarit. Në të kundërt, është më e vlefshme dhe konstruktive një besnikëri relative! Kjo nënkupton edhe mosbindje e “kryengritje” ndaj kryetarit, kur disa vendime, veprime, deklarime, kompromise… të tij mbajnë erë të keqe autoritarizmi, klani, skenari, biznesi e pazari të pistë politik… Ama, koha, realiteti, veprimtaria e përditshme kanë ndihmuar për t’u bindur se të kërkohet pastërti dhe besnikëri politike e plotë dhe e përhershme ndaj kryetarit dhe partisë së zemrës nëpër parti, në politikë, parlament, qeverisje, biznese, OJQ, sidomos në ato sorosiane… është ngjashëm sikur të mendohet se mund të gjenden femra të virgjëra nëpër shtëpi publike…!?
Po kështu është iluzion apo mashtrim i vetvetes që të besosh se një politikan dhe partiak me funksione drejtuese nuk ka përjetuar dhe nuk përjeton periudha mëdyshjeje në bindje e pozicionim, zhgënjimi, mërzitnie, lodhjeje… në partinë e tij, sidomos nga thashethemet dhe intrigat e brendshme për zili e ligësi apo për interesa meskine karrieriste ose me burim nga jashtë, domethënë nga partia tjetër e gjetiu…! Gjithashtu, nuk mund të përjashtohet kategorikisht se nuk ka qenë, herët apo më vonë, objektiv joshjesh e tërheqjeje me dhurata vështirë refuzuese nga pala kundërshtare…! Prandaj, më të përfituarit, në këta rreth 33 vjet, sikur kanë qenë e janë ata partiakë apo funksionarë, që i kanë bërë zemrat dhe mendjet e kryetarëve si han pa porta, duke hyrë për poste e duke dalë disa herë prej tyre, për të marrë “dhurata politike e pushteti” nga “kryetari kundërshtar”!
Domethënë, që nuk kanë fare vrasje në ndërgjegje ta braktisin kryetarin, kur e shikojnë se nuk kanë ç’ të përfitojnë prej tij dhe ta lajnë me jargë lëvdatash dhe betimesh për “dashuri dhe besnikëri”, kur e kuptojnë se kryetari nuk është më i pari dhe prej tij mund të rimarrin “dhurata prej ari”!? Është e lehtë kuptueshme se kjo mendësi dhe traditë biznesesh edhe me idealin, teserën, postin, votën, besimin dhe shpresën e atyre që të kanë zgjedhur dhe presin me depresion dhe padurim, të përmbytur nga varfëria e korrupsioni, fitoren dhe kthesën e madhe, dëmton shumë më rëndë PD-në, prej 11 vitesh në opozitë! Për më tepër, përballë një Edi Rame me plot pushtete të hapura e të fshehta; me ortakë dhe mbështetës të shumtë, shqiptarë e ndërkombëtarë…! Por, edhe me mbështetje të fortë e shumëformëshe, edhe të pistë e jo ligjore, nga brigadat me nostalgjikë të enverizmit; nga bandat e mafies nga ushtria e sorosianizmit dhe e globalizmit majtist… Edhe nga “çetat” e oligarkisë pasuruar brenda pak viteve shumë më shpejt se pjesa më e madhe e miliarderëve më të mëdhenj në botë; edhe nga taborët e lashtë e të sotëm të antishqiptarisë…!
Pra, fitorja mbi Edi Ramën me ambiciet e pafre shprehur edhe në fjalimin e tij, ngjashëm si ato të Enverit… Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS në Durrës, më 8 shtator 2024, kërkon një PD të vërtetë dhe një opozitë unike! Natyrisht, homogjene e unike jo nga ana formale, për nga strukturimi dhe funksionimi, por mbi të gjitha, nga njëmendësia dhe bashkimi i sinqertë në strategji dhe veprime! Nënkuptohet, pa përjashtuar edhe debatin e kulturuar, demokratik dhe konstruktiv dhe përfundimin e tij me konsensus masiv e të sinqertë! Edhe me ekip drejtues të ri, jo aq nga mosha, se sa nga pastërtia dhe vlerat e shumta të figurës, karrierës, CV-ve…! Por, edhe me idealizëm të sinqertë, të pashitshëm, të vendosur për çdo sakrificë, përjashtuar atë me jetë, në përballjet shumëformëshe me neodiktaturën dhe diktatorin e ri, i ndryshëm me paraardhësin dhe homologët e sotëm nga atletet “Adidas”…!
Natyrisht në kryesinë e re dhe grupin parlamentar të ri të PD-së është në të mirë të saj nëse mbizotërojnë edhe drejtues dhe kandidatë për deputetë me diploma dhe doktorata universitetesh prej djerse, me erudicion të lartë; të aftë për të zbuluar me kohë e për t’i bërë të pavlefshme të gjithë skenarët dhe intrigat e mendjes demoniane apo monstruoze të Edi Ramës dhe të këshilltarëve të tij ndërkombëtarë, bujarisht të mirë paguar, jo vetëm për t’u ndjerë borxhlinj ndaj tij…! Largimi nga ekipet drejtuese të PD-së, në 3 nivelet e piramidës së saj, i atyre që janë vetëdjegur me kohë, edhe për lojë të dyfishtë pas kulisave, që e kanë katandisur në gjendjen e këtyre viteve të fundit, që e kanë çuar nga humbja në humbje, hap plot vende për kontingjentin e drejtuesve të rinj demokratë, të përkushtuar me zemër e vepra të ndershme dhe me dobi masive si dhe vizionarë për të sotmen e të ardhshmen! Këta janë e gjenden pa vështirësi, edhe në shtresën e të përndjekurve politikë, nipa e bij të denjë të gjyshërve dhe baballarëve të vrarë nga diktatura!
Më konkretisht, edhe që nuk u thyen nga joshjet dhe presionet e diktaturës enveriane: “Doni shkollim, jetesë, punësim… në qytete, bëhuni spiunë në shërbimin tonë!” Por, politikanë dhe pushtetarë me nivele të larta arsimimi, profesionalizmi, intelektualizmi, emancipimi demokratik… gjenden me bollëk edhe në familjet e vërteta demokrate, të pa asnjë teserë, me shqiptari të sinqertë dhe qytetari të natyrshme në jetesë, sjellje, veprime, bindje e votë politike…! Për më tepër: të papërfshirë në skenarin “katovician” apo ramizian të marrjes dhe mbajtjes sa më gjatë e me të gjitha forcat e mënyrat të të gjitha pushteteve nga PKSH-PPSH-PSSH…! As në “ushtrinë e patronazhistëve”, që Edi Rama i mban pas vetes si kope me kërkesën apo kushtin, e përsëritur kushedi për të satën herë edhe në fjalimin e tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së në Durrës, më 8 shtator 2024: “Doni 2-3 vende punësh në bordero, doni të pasuroheni familjarisht, doni të bëni qejfe në Shqipëri e nëpër botë, keni vetëm një alternativë! Punoni, propagandoni, hidhni familjarisht, blini e vidhni sa më shumë vota për kandidatët tanë; spiunoni kudo e kurdoherë për ne…, se vetëm kështu unë, ne e ju do të jemi shumë gjatë në pushtet, pavarësisht se Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve katandisen për ditë e më tepër për ibret”! Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al