Menaxhimi financiar në institucionet publike

Aug 19, 2011 | 11:14

NEZIR HALDEDA

Është pothuajse e pamundur të gjendet ndonjë  veprimtari publike që nuk ka implikime financiare. Sipërmarrjet apo veprimtaritë që agjencitë shtetërore apo institucionet buxhetore, siç jemi mësuar t’i quajmë, dhe realizimi i misioneve që këto kanë është i pamundur pa mbështetjen me burime financiare. Nëse do të ketë ndonjë agjenci/institucion pa kosto, vështirë është të vërtetohet se këto agjenci/institucione gjenerojnë ndonjë dobi publike.
Menaxhimi financiar luan një rol të domosdoshëm në përmbushjen e objektivave të organizatës, agjencisë apo institucionit. Është karburanti që i jep jetë dhe substancë gjithë “motorit” të tërësisë së strukturave të sferës publike: administratës shtetërore, institucioneve jashtë strukturave shtetërore, si ato të pavarura, njësive vendore, shkollave e universiteteve, spitaleve etj., etj. Në kuptim më të gjerë, çdo njësi organizative apo entitet që ka një mision në bazë të ekzistencës së tij, menaxhimi financiar është i vetmi aktivitet që prek çdo anëtar/punonjës në një institucion.
Ambienti tejet konkurrues, në çdo nivel e dimension, ka bërë të rritet kjo konkurrencë edhe midis juridiksioneve apo dhe me agjencitë që ofrojnë shërbime, por që janë private ose jashtë skemave tradicionale nga buxheti i shtetit apo ato lokale. Për më tepër, nga njëra anë kemi rritje të kostos së shërbimeve që qeveria duhet të ofrojë (sepse rritet cilësia), nga ana tjetër qëndron sfida tjetër ku qytetarët/taksapaguesit kërkojnë gjithnjë e në rritje përdorim kost-efektiv të këtyre burimeve financiare. Ky ambient dhe këto sfida i vënë menaxherët e këtyre institucioneve në tërësi (agjencitë/institucionet shtetërore, njësitë vendore etj.) që të jenë krijues në përdorimin  e këtyre burimeve dhe të maksimizojnë dobinë publike në funksion të misionit që çdonjëra ka.
Në Shqipëri, pas viteve ’90, institucionet publike u orientuan duke reflektuar ndryshimet fondamentale të sistemit politik, por vetëm 5 vitet e fundit ka pasur një fokusim në këtë çështje, duke rezultuar shumë produktive dhe e suksesshme në fushën e menaxhimit financiar publik.
Menaxhimi financiar në institucionet publike është një temë shumë e gjerë, por do të ishte shumë e rëndësishme për të evidentuar disa nga karakteristikat që kanë shoqëruar këtë proces transformimesh në këto 5 vitet e fundit. Kjo evidencë do të shërbente edhe për të përcaktuar më qartë hapat për përsosje të mëtejshme drejt konsolidimit dhe adaptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare. Në analizë të fundit, i gjithë ky proces synon përdorim sa më me eficiencë, efektivitet dhe ekonomi të parave publike dhe garantimi i cilësisë së shërbimeve për taksapaguesit shqiptarë. Në një analogji të thjeshtë, është i njëjtë me principin e sektorit privat ku aksionerët/investitorët kërkojnë maksimizimin e vlerës së kompanisë për kapitalin e investuar, veçse këtu nuk është motiv fitimi, por ofrimi i shërbimeve etj.
Në mënyrë të përmbledhur, le të listojmë disa nga arritjet më kryesore në këtë proces duke pasur bindjen se dobia e një informacioni të tillë do të ishte edhe për individët apo institucionet që nuk kanë lidhje direkte me çështjen në fjalë.
Së pari, në këto vite të fundit kemi një përmirësim cilësor të kuadrit ligjor që përbëjnë boshtin tek i cili themelohen, funksionojnë dhe menaxhohen institucionet. Këto ligje përbëjnë rregullimet themelore, si dhe parimet e standardet bashkëkohore duke iu përgjigjur zhvillimeve të shpejta të vendit, përafrimit të legjislacionit me atë të EU Acquis Communitaire. Në këto ligje përmendim veçanërisht atë të sistemit buxhetor në Shqipëri, të auditimit, të menaxhimit financiar, të inspektimit etj. Kjo tërësi ligjesh, e asistuar dhe mbështetur nga EU, përbëjnë parimet dhe orientimet kryesore në menaxhimin financiar të institucioneve dhe u shfuqizuan disa ligje dhe vendime që paradoksalisht ishin akoma në fuqi, dhe disa herë, edhe referoheshin si baza ligjore. Absolutisht vlerësojmë që këto përbëjnë themelet e rregullave dhe mbi të cilat, në mënyrë solide, mund të ndërtojmë pritshmëri shumë ambicioze për të ardhmen e institucioneve e të vendit në tërësi. Ndërkohë që implementohen këto, zhvillimi ecën me shpejtësi shumë të madhe, ndaj puna jonë konsiston në ndërtimin e modelit për të siguruar vazhdimësi për të ndjekur këtë realitet që transformohet me shumë shpejtësi.
Së dyti, është punuar duke krijuar një kulturë të re pune, një standard profesional më i avancuar e bashkëkohor. Tashmë praktikat buxhetore të instaluara dhe që zbatohen rigorozisht që prej vitit 2006 në buxhetin e shtetit nga institucionet buxhetore, janë shprehje më e qartë e tyre. Këtu kam parasysh, veç të tjerave, buxhetimi me programe, i cili bën të mundur lidhjen e misionit, objektivave dhe produkteve që çdo institucion duhet të sjellë/ofrojë bazuar në misionin që ka. Në këto 5 vite që prej prezantimit në 2006-n, është formalizuar dhe instaluar tashmë programi buxhetor afatmesëm, i cili bën të mundur jo vetëm qeverinë qendrore, por çdo institucion dhe njësi vendore të ndjekë këtë procedurë ligjore dhe teknike. Mund të duket teknike në dukje, por në fakt ka një rëndësi të qenësishme sepse jo vetëm demonstron, por siguron në mënyrën më racionale vazhdimësinë e institucioneve, të misioneve të tyre, të çfarëdo lloj natyre qofshin këto.
Është standardizuar dhe harmonizohet në shkallë kombëtare fusha e auditimit dhe menaxhimit financiar që, bazuar në ligjet përkatëse, janë ngritur struktura harmonizuese në Ministrinë e Financave, që harmonizojnë këtë proces dhe përhapin njohuritë profesionale dhe standardet më të mira të EU në këto çështje. Është bërë një revolucion tërësor në shërbimin ndaj institucioneve nga Thesari dhe ku çdo transaksion që lidhet me përdorim të fondeve buxhetore kryhet elektronikisht, pa qenë nevoja e përdorimit të letrës dhe kursyer kohë dhe burime financiare në masë të konsiderueshme. Për më tepër, kjo ka bërë që të rritet edhe shpejtësia e raportimeve dhe publikimi i tyre në nivel kombëtar në mënyrë sistematike dhe cilësore.
Pjesë e këtyre standardeve bashkëkohore në këto vite është se, për herë të parë në historinë e institucioneve publike shqiptare, është siguruar lidhja organike e misionit, funksionit dhe produkteve/shërbimeve që çdo institucion realizon me buxhetin, me burimet financiare. Këto janë formalizuar dhe strukturuar në mënyrë që principet bazë të jenë edhe të unifikuara në shkallë kombëtare, por janë pasur parasysh edhe veçoritë e specifikat që ka çdo grup institucionesh apo agjencie që t’u përmbahen në mënyrë të plotë standardeve e praktikave më të mira ndërkombëtare, përfshirë këtu pavarësinë institucionale, përgjegjshmërinë etj.
Kjo është shumë e rëndësishme në aspektin kyç të menaxhimit financiar që është përgjegjshmëria e titullarit/titullarëve. Tashmë titullarët bëhen pjesë e hartimit të buxhetit dhe janë të detyruar të argumentojnë çfarë do të sjellin/ofrojnë për qytetarët, banorët, studentët, pacientët etj. sipas rastit. Kjo është njëra anë e përgjegjësisë, nga ana tjetër, titullarët do të jenë përgjegjës përpara trupës mbikëqyrëse, këshillit, entit etj. sipas rastit. Nuk mund  të lëmë pa përmendur prezantimin dhe elaborimin e konceptit të riskut që deri në këto vite nuk ishte në terminologjinë e përditshme të titullarëve/menaxherëve, të institucioneve tona publike. Ka një sërë aktesh dhe sistemesh që formalizojnë strukturat e mbikëqyrjes së tyre, të përfaqësimit, të monitorimit, përgjegjshmërisë e komunikimit të këtyre institucioneve me palët e interesuara dhe me publikun në përgjithësi. Absolutisht që edhe këtu hapësira për përmirësim ka dhe një sërë projektesh nga me të ndryshmet që asistojnë këtë axhende në shkallë kombëtare e rajonale.
Së treti, institucionet publike janë përmirësuar dhe po konsolidohen.
Këtu kemi parasysh decentralizimin dhe konsolidimin e pavarësisë së tyre në menaxhimin në tërësi, por dhe atë financiar. Institucione të tilla shtetërore, si: universitetet, spitalet, njësitë vendore etj., kanë një shkallë të plotë pavarësie në buxhetet e tyre. Por, jo vetëm këto në fakt të gjitha institucionet kanë një nivel që s’e kanë pasur më parë dhe tashmë janë vet institucionet që formulojnë programet dhe alokojnë burimet financiare disponibël.
Në këtë kuadër dhe atë të kapaciteteve të përmirësuara, tashmë institucionet janë bërë të afta të tërheqin financime të huaja nëpërmjet dhjetëra programeve nga më të ndryshmet dhe që përbëjnë pjesë të rëndësishme në buxhetet e tyre, por dhe ndihmojnë përmbushjen e misioneve që kanë. Kjo i shërben më së miri gjithë misionit dhe angazhimit tërësor të qeverisë për ndërtimin e fuqizimin e institucioneve. Një pjesë e këtyre, dhe kryesisht pushteti vendor, tashmë është ligjërisht, por dhe praktikisht në gjendje të marrë hua në tregun e brendshëm dhe më gjerë. Ka disa shembuj në këtë risi që ka vetëm 2-3 vjet me hyrjen në fuqi të ligjit për huamarrjen e njësive të pushtetit vendor.
Gjithashtu, në këtë rrugë progresi, institucionet në tërësi po përfitojnë dhe marrin eksperiencat më të mira nëpërmjet kooperimit me institucionet homologe europiane, si: shkëmbime eksperiencash, aktivitete të përbashkëta etj. duke sjellë kështu përmirësimin e tyre drejt standardeve më të mira.
Pjesë e këtyre eksperiencave dhe transformimeve që kalojnë institucionet publike janë dhe përshtatja me ndryshimet e prioriteteve dhe politikave bazë të qeverisë në afat mesëm dhe afatgjatë. Këtu kam parasysh që një institucion i caktuar duhet t’i përgjigjet përmbushjes së një politike ekonomike sociale dhe të gjejë misionin dhe objektivat për arritjen e tyre. Në këtë mënyrë, ka pasur dhe do të ketë shume raste kur institucione të tëra janë krijuar, ristrukturuar apo dhe “likuiduar”, sepse në kushte të reja tashmë të krahasueshme denjësisht me ato europiane nuk ishin në ato nivele e standarde që mund  të ofronin shërbimet e duhura.
Kjo është pjesë e reformave ekonomike e sociale në tërësi dhe nuk mundet që institucionet të mbeteshin jashtë. Ndaj, të ambientuarit me këtë lloj lëvizjeje e reformimi të vazhdueshëm është dhe vazhdon të mbetet sfida kryesore e institucioneve tona. Këto institucione duhet t’u përshtaten zhvillimeve tona të shpejta, nevojës për reformë në kulturën menaxheriale në mënyrë që të arrijmë standarde me të mira europiane e ndërkombëtare. Dhe pjesë e kësaj kulture është pranimi i sfidës, i ndryshimit dhe adaptimit të shpejtë me realitetin, me modelin më të avancuar. Ky adaptim, në jo pak raste kërkon sakrifica që në disa raste janë jo të lehta për t’u implementuar, pasi pas çdo reforme është dhe faktori njerëzor dhe ai kulturor.
Vetëm kështu garantohet që qytetarët dhe taksapaguesit shqiptarë të marrin maksimumin nga taksat e tyre dhe të mbajnë nën monitorim të vazhdueshëm performancën e institucioneve në tërësi, modernizimin e tyre.
*Autori është zëvendësministër i Financave

© Panorama.al

Te lidhura