Menaxheri i Cambridge, vjen në Shqipëri

Jul 16, 2012 | 14:50
Gjatë njërës prej intervistave nga menaxheri Chris Broadhurst me studentët shqiptarë

Chris Broadhurst është menaxheri rajonal i Cambridge Education Group. Ai ndodhet këtu për të zhvilluar disa intervista me studentët shqiptarë që duan të studiojnë në sezonin e ardhshëm në Cats College, Angli. Chris tregon se ka një interes nga studentët shqiptarë dhe se këta të fundit i kanë të gjitha mundësi për të qenë pjesë e këtij udhëtimi drejt universiteteve më me emër në botë. Ndaj ai sqaron kriteret që duhet të plotësojnë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij kolegji, si dhe mundësitë për të përfituar bursa nga 5–40%.
Z.Chris Broadhurst, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri?
Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë. Qëllimi i vizitës sonë në Tiranë është që t’u mundësojmë studentëve të aplikojnë për sezonin 2012-2013 në Cats College. Ne po intervistojmë studentët dhe po i pranojmë aplikimet e tyre sipas kritereve të vendosura. Gjithashtu ne po ofrojmë bursa si pjesë e kësaj vizite.
Cilat janë kriteret për të qenë pjesë e Cats College?
Ne kërkojmë që studentët shqiptarë të kenë një nivel të lartë të gjuhës angleze. Me sa kemi parë, ata kanë një nivel të lartë njohjeje të gjuhës angleze. Krahas kësaj, ne gjithashtu kërkojmë që të jenë të zotë edhe në disa lëndë të tjera. Ne duam që ata të jenë të zotë në atë lëndë që kërkojnë të ndjekin në të ardhmen. Për shembull, nëse duan që të studiojnë për Mjekësi, atëherë duhet që të jenë shumë të përgatitur në matematikë, kimi dhe biologji. Një nga ndryshimet e sistemit britanik dhe sistemit shqiptar të studimit është se kur ne jemi në shkollë të mesme ne studiojmë vetëm katër lëndë, ndërsa në Shqipëri studiojnë shumë lëndë. Kështu që sistemi britanik u lejon atyre që të specializohen në ato lëndë të cilat preferojnë, që janë mirë në ato lëndë dhe që mbështetën në atë që duan të vazhdojnë në të ardhmen.
Si mund të përfitojnë studentët shqiptarë nga bursat që ju ofroni?
Ne ofrojmë një numër bursash për studentët duke u bazuar tek aftësitë e tyre dhe në karakterin e tyre. Kështu që, ne duam të sigurohemi se do të jenë mirë nga ana akademike dhe gjuhësore. Por gjithashtu duhet të kenë dhe një pasion të lindur për lëndët që ata preferojnë. Nëse studentët kanë atë pasion dhe aftësinë akademike për të studiuar atë lëndë, më pas ata mund të merren parasysh për pjesën e bursës. Ata pastaj mund të marrin bursë nga 5-40%.
Cilat janë prioritet e Cats College dhe çfarë ofron ajo për studentët?
Cats College është një shkollë shumë prestigjioze në Britaninë e Madhe, që u mundëson nxënësve që janë nga Britania dhe nga vendet e tjera të botës që të shkojnë në universitetet më të mira. Pra aty mund të shkojnë në Gazetari, Mjekësi, Inxhinieri, Ekonomi, Drejtësi… Pak a shumë që nga artet dhe deri tek fizika.
Nga intervistat që keni pasur me studentët shqiptarë, ç’përshtypje ju kanë lënë?
Nuk është vizita ime e parë në Shqipëri. Arsyeja që unë vazhdoj të vij, është për shkak të studentëve shqiptarë. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, u inspirova shumë nga dy studentë shqiptarë që shkuan në shkollën tonë në Cambrridge e studiuan atje. Që të dy studiuan në një program 2-vjeçar dhe morën A+. Më pas të dy shkuan në London School of Economic, që është një nga shkollat më të mira për ekonominë. Ata më inspiruan që në fillim që të vij këtu dhe unë tani vazhdoj të inspirohem vazhdimisht nga studentët shqiptarë për të ardhur këtu. Studentët shqiptarë kanë disa avantazhe në shkollën tonë. Si fillim, anglishtja e tyre është mjaft e avancuar, mjaft e mirë. Gjithashtu lënda e matematikës që bëhet këtu është e fortë dhe na ndihmon në shkollën tonë. Së fundmi, studentët shqiptarë janë shumë të aftë të përshtaten. Ata janë përfaqësues shumë të mirë për Shqipërinë.
Cili është mesazhi juaj për studentët shqiptarë dhe pse duhet të zgjedhin Cats College?
Cats College është i fokusuar në tërheqjen e atyre studentëve që kanë ambicie, aftësi dhe aftësi personale. Me këto atribute që ata kanë, studentët mund të jenë të aftë më pas të arrijnë shumë gjëra të mëdha. Dhe në bazë të eksperiencës sonë, është një numër i madh i studentëve shqiptarë që kanë këto aftësi dhe që kanë mundësinë të kenë shumë sukses. Kështu që, fokusi ynë është që Cats College t’u mundësojë atyre një rrugë për t’i kaluar në shkollat më të mira në botë. Ne jemi pra pjesë e këtij udhëtimi drejt universitetit, që është e ardhmja dhe destinacioni i tyre.

© Panorama.al

Te lidhura