Meloni në Pekin dhe marrëdhëniet Itali-Kinë pas ndarjes nga BRI

Aug 9, 2024 | 9:30
SHPËRNDAJE

NGA DR. VALBONA ZENELI valbonazeneli

Shpjegoni objektivat kryesore të Kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për udhëtimin e saj të fundit në Kinë dhe nëse ajo i arriti ato.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Kryeministres Giorgia Meloni në Kinë (dhe e para e një lideri italian në pesë vjet), që synonte kryesisht forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke rigjallëruar marrëdhëniet dypalëshe në sektorë me interes të përbashkët. Në rendin e ditës u përfshinë edhe diskutime për çështjet globale, veçanërisht situatën në Ukrainë. Duket se vizita pesëditore ishte mjaft e suksesshme, duke pasur parasysh kontekstin e përgjithshëm. Meloni ka qenë e qartë dhe e vendosur në distancimin e saj nga Kina për çështje të rëndësishme gjeopolitike dhe të të drejtave të njeriut, duke përfshirë tërheqjen nga Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI) dhe duke kritikuar pozicionin e Pekinit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Megjithatë, ajo ka qenë e kujdesshme dhe pragmatike për të shmangur rrezikimin e marrëdhënieve tregtare midis Kinës dhe Italisë. Meloni udhëtoi në Kinë për të shënuar 700-vjetorin e vdekjes së Marco Polos, me ekspozitën “The Travels”, duke theksuar rëndësinë historike dhe vlerën simbolike të Marco Polo në ndërtimin e urave dhe krijimin e një shtegu nga Italia në Kinë. Pika kryesore e vizitës ishte inaugurimi i Forumit Itali-Kinë, i mbajtur për të shënuar 20-vjetorin e Partneritetit Strategjik Global, një forum tregtar i nisur fillimisht nga ish-Kryeministri Silvio Berlusconi në vitin 2024 për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve.

Në këtë kuadër, besoj se rezultati kryesor i vizitës së Melonit ishte plani i nënshkruar trevjeçar (2024-2027), i krijuar për të forcuar bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë tregtinë, inovacionin shkencor dhe teknologjik, zhvillimin e gjelbër dhe bashkëpunimin institucional. U nënshkruan edhe gjashtë marrëveshje që mbulojnë një sërë fushash nga bashkëpunimi industrial deri te siguria ushqimore dhe arsimi.

Analizoni sfidat dhe mundësitë kryesore për Romën në rivendosjen e marrëdhënieve me Kinën pas tërheqjes nga Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI).

Vendimi i Italisë për të mos rinovuar planin pesëvjeçar të bashkëpunimit dhe për t’u tërhequr nga BRI ishte një nga lëvizjet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kryeministres Meloni, duke reflektuar qasjen e saj transatlantike dhe synimin për të riorganizuar politikën e jashtme të Italisë në linjë me atë të vendeve të tjera të G-7. Ajo e përsëriti edhe gjatë vizitës së saj në Kinë se zgjedhja e saj për të dalë nga BRI ishte një çështje konsistence. Anëtarësimi i Italisë në BRI në vitin 2019, një lëvizje e kritikuar dhe e ndërmarrë qeveria populiste të Giuseppe Contes, i dha Kinës akses në industritë, tregjet dhe teknologjitë e përparuara të Italisë.

Megjithatë, ajo nuk dha përfitimet e pritura për Italinë dhe zbuloi gjithnjë e më shumë kufizimet e saj. Ndërsa Kina fitoi avantazhe të konsiderueshme tregtare, eksportet italiane nuk u rritën siç pritej, duke rezultuar në një deficit tregtar me Kinën prej 41 miliardë eurosh për Italinë në vitin 2022. Në vitin 2023, tregtia dypalëshe ishte 67 miliardë euro në 2023, duke e bërë Kinën partnerin e dytë më të madh tregtar joevropian për Italinë pas Shteteve të Bashkuara. Duket se Meloni e sheh planin e ri të bashkëpunimit si dukshëm të ndryshëm nga ai që lidhi të dy vendet përmes BRI-së, veçanërisht i fokusuar në marrëdhëniet ekonomike “të ndershme dhe reciprokisht të dobishme” me objektivat e “konkurrencës së ndershme dhe tregtisë së lirë”. Në forumin e biznesit Itali-Kinë, ajo u ndal në nevojën për të përmirësuar aksesin në treg për kompanitë italiane, pasi mbi 1600 prej tyre operojnë tashmë në Kinë me një vëllim investimesh me mbi 15 miliardë euro.

Si po e përdor Roma këtë vizitë në Kinë për të projektuar lidershipin evropian përballë pozitës së dobët të lidershipit në Paris dhe Berlin?

Unë besoj se vizita ishte një sukses diplomatik për Kryeministren Meloni duke nënshkruar një sërë marrëveshjesh të rëndësishme ekonomike, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin më të gjerë me disa faktorë të rëndësishëm për t’u marrë parasysh. Së pari, dalja e Italisë nga Nisma Brez dhe Rruga në dhjetor 2023 u pa si një pengesë e rëndësishme për politikën kryesore të Kinës në çështjet globale. Së dyti, presidenca e G-7 e Italisë dhe roli i zgjeruar i Melonit në zhvillimet globale ishin të rëndësishëm, veçanërisht në dritën e gjuhës së fortë mbi Kinën në disa deklarata përfundimtare të G-7.

Së treti, ka gjithnjë e më shumë kritika dhe shqetësime të qarta në lidhje me mbështetjen e Kinës për luftën ruse në Ukrainë, siç pasqyrohet në komunikatën përfundimtare të Samitit të fundit të NATO-s. Së katërti, Italia ka rritur rolin e saj aktiv në rajonin Indo-Paqësor me vendosjen e anijeve individuale detare dhe një grupi aeroplanmbajtëse së bashku me Francën dhe Spanjën, duke thelluar gjithashtu bashkëpunimin e sigurisë me Korenë e Jugut, Japoninë, Filipinet dhe Vietnamin. Së pesti, vizita e Melonit erdhi pas atyre të Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, duke treguar se marrëdhëniet me vendet europiane janë shumë të rëndësishme për Pekinin dhe roli i Italisë mund të jetë vendimtar.

Vlerësoni përpjekjet e Melonit për të ruajtur marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën përballë tensioneve tregtare BE-Kinë.

Politika e BE-së për Kinën është një akt balancues midis nevojave ekonomike dhe shqetësimeve politike dhe të sigurisë. Italia është një nga vendet e BE-së që ka një qasje të qartë, duke njohur domosdoshmërinë dhe rreziqet e partneritetit dhe duke balancuar tensionet mes sektorit publik dhe privat. Besoj se një nga çështjet në të ardhmen do të jetë marrëveshja e Italisë me Kinën për automjetet elektrike, si pjesë e memorandumit të bashkëpunimit industrial të nënshkruar javën e kaluar. Si kujtesë, ato janë bërë një simbol i tensioneve tregtare BE-Kinë, pasi BE-ja vendosi tarifa të përkohshme deri në 37 për qind për automjetet elektrike te prodhuara ne Kinë në korrik te 2024 dhe Pekini që u kundërpërgjigj me tarifat hakmarrëse ndaj eksporteve europiane të mishit të derrit.

Vlerësoni implikimet strategjike të udhëtimit të Melonit në Kinë pas përshkrimit të Kinës nga NATO-ja si një “mundësues vendimtar” i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Komunikata përfundimtare e Samitit të NATO-s theksoi fuqimisht thellimin e partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Kinës, duke kritikuar përpjekjet e tyre për të minuar dhe riformuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në përputhje me këtë, Kryeministrja Meloni ka qenë e qartë dhe konsistente në trajtimin e mbështetjes së Kinës për Rusinë, duke deklaruar gjatë vizitës së saj në Pekin se Kina aktualisht nuk ka asnjë avantazh në forcimin e kapacitetit industrial të Rusisë. Ajo përsëriti se Kina mund të luajë një rol vendimtar dhe dërgoi mesazhin se do të dëshironte të shihte “hapa që duhen ndërmarrë në drejtimin e duhur” pas deklaratave të Presidentit Xi Jinping se, “Kina gjithmonë përpiqet për bashkëjetesë paqësore mes njerëzve”.

Autorja e “The Diplomat”, Mercy Kuo, angazhon rregullisht ekspertë të çështjeve, praktikues politikash dhe mendimtarë strategjikë anembanë globit për njohuritë e tyre të ndryshme në politikën e SHBA-ve për Azinë.

Kjo bisedë, me Dr. Valbona Zeneli – eksperte e lartë në Qendrën Evuopiane dhe Qendrën “Scowcroft” për Strategjinë dhe Sigurinë te “Atlantic Council”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura