“Mellaraj”, përgjimet u dekonspiruan

Feb 8, 2012 | 12:21

Gjykata e Fierit

Në dijeni për sekserët e Gjykatës së Lartë ishte Gjykata Fier dhe Policia e Shtetit.

Prokuroria e Fierit hap dosje hetimi për të implikuarit.

Një tjetër çështje e fortë pritet të marrë udhë nga Prokuroria e Fierit, pas zbulimit të sekserëve të Gjykatës së Lartë. Përgjimet e personave të përfshirë në pazarin për të ndikuar në vendimin ndaj të dënuarit me 20 vjet për vrasje, Vilson Mellaraj, janë mësuar nga ana e tyre disa ditë më vonë. Sipas organit të akuzës, do të thotë dekonspirim nga përfaqësues të institucioneve që kishin dijeni për vënien në përgjim të shtetasve Agron Lumeshi, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj. Pikërisht dekonspirimi i hetimit ka çuar Prokurorinë e Fierit të ndërmarrë të tjerë hapa lidhur me përgjimet në rastin “Mellaraj”. Burimet e organit të akuzës në Fier bëjnë me dije se në ditët që vijnë, do të startojë një hetim gjithëpërfshirës. Ende nuk jepen detaje se cilët persona do të përfshihen nën hetim, por ajo që dihet është fakti që në dijeni të fillimit të procesit të përgjimit për tre të akuzuarit Agron Lumeshi, Enard Lushakaj dhe Mariglen (Renato) Mellaraj kanë qenë dhe Gjykata e shkallës së Parë Fier dhe Policia e Shtetit. Nisur nga ky fakt, hetimet mund të përfshijnë edhe gjyqtarë, policë apo prokurorë që dyshohen si të implikuar në rrjedhjen e informacionit. Gjithçka erdhi pas konstatimit të implikimit të tre shtetasve, se po ndërhynin për të kthyer një vendim të Gjykatës së Lartë që kishte të bënte me shtetasin Vilson Mellaraj. Nga hetimet, Prokuroria konstatoi se i dënuari Mellaraj informohej nëpërmjet komunikimeve telefonike nga vëllai i tij, i pandehuri Renato Mellaraj me banim në Fier, për gjithçka që punohej për t’i hequr dënimin për vrasjen në Greqi, për të cilën nga dy shkallët e tjera të Gjyqësorit ishte dënuar me 20 vjet burg. Nga komunikimet telefonike rezultoi se i pandehuri Renato, në bashkëpunim me shtetasin me emrin “Nardi”, i cili më vonë u identifikua se ishte i pandehuri Enard Lushakaj, interesoheshin tek të njohurit e tyre për të mbledhur shuma të konsiderueshme të hollash, të cilat duhet t’i paguanin për të zgjidhur çështjen në favor të të dënuarit në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, nga hetimet ka rezultuar se personi që premtonte zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë, ishte i pandehuri Agron Lumeshi, i cili ishte i afërm i kryesuesit të trupit gjykues. Ndaj tyre Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit, por Gjykata e Fierit e ka hedhur poshtë, duke thënë se kjo i takon për kompetencë Tiranës, ku dhe ishte vendndodhja e dy të pandehurve. Të tre janë në hetim në gjendje të lirë.

Përgjimet e transkriptuara
Datë: 11 Maj 2011, ora 13:37′:00″, i dënuari Vilson Mellaraj bisedon

me të pandehurin Enard Lushakaj që i thotë:
Vilsoni : Po ça ishte ky zarar, o vlla.
Enardi: Po e kam dëgjuar vet njëqind herë, o vlla po s’është nga ata është nga gjë tjetër o burrë i dheut, ti e di shumë mirë për ça është.
Vilsoni: Po ça është?
Enardi: Nuk është nga këta o vlla!
Vilsoni: Po të ma kishin kthyer të paktën.
Enardi: Po nuk është nga këta o burrë, se ata ishin në rregull.
Vilsoni: Po ta kthenin të paktën.
Enardi: Po nuk kanë pasur b… me, o të kam vlla nuk kanë pasur b… më të bëjnë asnjë gjë!
Vilsoni: Po pse s’e kthyen.
Enardi: Po ky numri jot është lexuar komplet o burrë ça ke folur, ça është br, ça s’është dëgjuar, e kupton vllain tënd, që nuk kishte asgjë o vlla ate kan qen gjithmonë me mua, ore ishte çdo gjë o vlla e kopsitur, vetëm nga ata ça kemi folur, jo i jan dhënë kaq, jo avokati kaq, nuk ka shanse të ket gjë nga ata të mitë, hiqe nga mendja!
Më pas, të pandehurit Renato dhe Enardi komunikojnë:
Enardi: psshhhhhh (shfryhet…)
Renato: ..Fol s’ka problem. Vetëm thoj, ku kam folur me njeri o vlla??? Ky më tha mua, ishte ajo gruaja tha, që ta thashë që në fillim, se ma tha mua që në fillim, ishte ajo gruaja që nuk deshte, ishte nji çik kshu tha, e pashë aty tha …s’mund t ‘luhet… Mund “t’kem ose ketë”, mund t ‘jetë dhe ktu tha ai, un nuk e di se ça ka thënë, mund t’ jetë dhe ktu, që ka dashur Renato dhe nuk e dine ça th …. se une si kam thënë fare ktij, se ça m’kan thënë.
Enardi: S’kan shanse o vlla, nuk ka shanse o vlla, nuk ka shanse o vlla!!!! Ti i pe vetë gjërat o vlla. Nuk ka shanse n’botë o vlla. Ti ishe vetë me mua 100 herë o burrë. s ‘ka shense n’botë….
Renato: …Nuk i takojmë dot, mo na bëjnë kët nder t’paktën ????
Enardi: Po s’por….. nuk as nuk po flas dot në telefon un, me atë, kupton vllanë ???? Kan problem për gjëra të tjera, mos e vrit mendjen për asnji gjë o vlla. …. Ata nuk flasin në telefon.

© Panorama.al

Te lidhura