Pesëdhjetetre njerëz u vranë në një sulm ndaj një kazinoje në Meksikë, ku një burrë i armatosur hyri në ndërtesë dhe e lagu atë me benzinë, e më pas i vuri flakën. Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse në Meksikë qëkur Presidenti Felipe Kalderon nisi ofensivën kundër karteleve të drogës në vitin 2006. Kasino Royale në Monterrej u shkatërrua. Skuadrat e shpëtimit vazhduan për një kohë të gjatë të nxirrnin trupat nga mbetjet e ndërtesës. Autoritetet besojnë se kazinoja është sulmuar pasi pronarët e saj kanë refuzuar të paguajnë kartelet e drogës. Gjatë muajve të fundit Monterrej ka parë beteja të përgjakshme mes karteleve Zetas dhe Gulf.











