Meksi: PS të afrojë intelektualët, të bëjë debatin në Kuvend

Jun 27, 2011 | 11:44

Anëtarja e kryesisë socialiste, Ermelinda Meksi, kërkon riorganizimin e elitave politike në PS, si një mundësi për t’i dhënë politikës një dimension të ri.Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, zonja Meksi tregon dhe arsyet e debatit të ofertave politike në Parlament, ndërsa për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, ajo sheh si zgjidhjen më të mirë përsëritjen e zgjedhjeve.
Zonja Meksi, në mbledhjen e Asamblesë kombëtare, ju keni folur për një aktivizim të elitave politike, të cilat duhet të merren me projektin e ardhshëm të PS, por edhe opozitëbërjen e saj… Cili është koncepti rreth këtij qëndrimi?
Gjithmonë më ka shqetësuar mendimi i shprehur edhe publikisht se nuk mungojnë njerëzit e aftë në shoqërinë tonë, por ata nuk e kanë thënë fjalën e tyre sa duhet për tranzicionin dhe problemet që ka kaluar shoqëria jonë, sepse nuk janë vlerësuar si dhe sa duhet nga klasa politike.
Edhe pyetja juaj tregon se nevoja për aktivizimin e elitës politike të një force si PS ngacmon e nuk mund të kalojë në heshtje. Elita politike ka vlerë për të gjitha partitë, por në mënyrë të veçantë në PS, si partia më e madhe në vend dhe me elektoratin më të madh në këto 20 vjet, ku një numër i madh intelektualësh, specialistësh mbështesin alternativën e majtë. Ata janë nga të gjitha fushat, njerëz të cilët kanë përvojë në drejtimin e shtetit, njohës të mirë të politikës dhe ekonomisë, Kushtetutës, sistemit juridik e gjyqësor dhe sidomos në funksionimin e administratës. Shumica e tyre janë publikë dhe personalitete jo rastësore. Kujtoj se edhe tradita e mendimit të lirë në PS kërkon të fuqizohet mendimi intelektual. PS ndërkaq e ka këtë fond personalitetesh, të cilët nuk e kanë braktisur atë, pavarësisht situatave që kemi kaluar në vite, por veçanërisht vështirësive në opozitë. Kam qenë në bindje kërkuese në këtë drejtim, por tani është momenti i një lëvizje politike të së majtës, për të pasur më afër saj intelektualët e shquar shqiptarë me synim një vitalitet të ri të opozitës në kushtet e përkeqësimit demokratik dhe krizës politike që kalon vendi. Thelbi i kësaj ideje ka të bëjë me shfrytëzimin e gjithë kapaciteteve intelektuale të PS, përtej atyre që gjenden në forumet tona apo Grupin Parlamentar, në mënyrë që mendimi intelektual në PS të ndikojë më shumë në opozitëbërjen pra në politikëbërjen, përfaqësimin dhe vendimmarrjen politike, duke përpunuar më tej veprimet politike afatshkurtra/mesme dhe të gjata të saj.
Mendimi i lirë në PS duket se është rrudhur vitet e fundit në opozitë… Si i shikoni propozimet e z.Braçe dhe z.Malaj në mbledhjen e Asamblesë?
Liria e mendimit kërkon liri brenda institucionesh, ku mendimi dëgjohet dhe me argumente debatohet mbi të. Në këto 6 vjet në opozitë, PS ka pranuar me ndërgjegje që mendimin e saj të lirë ta disiplinojë disi në kushte kur përballë ka pasur një maxhorancë agresive që, megjithëse brenda vetes nuk ka guxuar kurrë të ketë mendim ndryshe, mezi pret të provokojë e bëjë diversion mbi kundërshtarin. Prandaj, PS në përgjithësi këto vite ka adoptuar qëndrimin e shprehur nga kryetari i saj, i cili gjithsesi është pranuar me votim.
Në mbledhjen e Asamblesë së javës së shkuar, kolege si z.Braçe apo z.Malaj sollën një risi… Ata ishin të përgatitur dhe shpalosën disa ide para Aasamblesë që kërkojnë më tej reflektim e vendimmarrje në atë se: si t’i bëjmë më funksionale strukturat e partisë në funksion të fitores së alternativës sonë në zgjedhjet e ardhshme dhe të mirëqeverisjes në pushtetin lokal, ku ne fituam të drejtën për të qeverisur shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Debati dhe diskutimi dyjavor me bazën do të jetë në funksion të këtij qëllimi, sepse situata paszgjedhore kërkon një debat politik edhe më produktiv. Por liria e mendimit kërkon të zbatohen më mirë se deri më tani disa rregulla procedurale, ku funksionimi i institucioneve të kryesisë, sekretariatit apo Asamblesë kombëtare janë parësore. Ato përpunojnë idetë politike shkallë-shkallë, që të frymëzojnë socialistët apo mbështetësit tanë, në vend të konfuzionit anarkik që herë-herë është krijuar kur mungojnë këto rregulla.Liria e mendimit kërkon të kuptohet qartë raporti midis shfaqjes në media dhe shfaqjes në institucionin e partisë apo në gazetën përkatëse. Ku e para është pasojë e së dytës.Liri mendimi do të thotë liri për përpunimin e alternativës dhe nuk duhet perceptuar si liri në emër të lirisë për t’i bërë diversion forcës sate politike në emër të lirisë, siç ndonjëherë ka ndodhur. Nëse dikush nuk e gjen veten brenda forcës politike, është çështje tjetër. Por liria në shoqërinë shqiptare ndryshon nga liria e mendimit në kuadrin e një partie, ku ajo kërkon formësimin e alternativës politike, ekonomike-sociale, duke mos qenë qëllim në vetvete.
Kanë munguar këto elita në PS deri tani apo nuk u është dhënë sa duhet hapësirë dhe mundësi për të hartuar strategjitë e programet?
Jeta është dinamike, po ashtu edhe politika. Pranë PS kanë funksionuar komisionet e fushave të ndryshme, ku janë angazhuar politikanë dhe specialistë të fushave respektive, mendimi i të cilëve është konsideruar në formulimet tona politike. Vlen të përmendet funksionimi dhe aktivitetet e organizuara nga bordi i ekonomisë së PS, por herë-herë ka pasur dhe mungesë vëmendjeje, funksionim të ngadaltë apo mosvlerësim të këtyre komisioneve për shkak të aktualiteteve dhe luftës politike të tendosur, që shpesh nuk na ka lënë të marrim frymë apo të diskutohen qëndrime konkrete. Sot, sfida e PS ka në thelb racionalitetin për ta fuqizuar atë si forcë që di të pohojë më shumë se të mohojë, duke ofruar për çështje të caktuara më shumë se më parë qëndrimin opozitar, për të rritur besimin e qytetarëve tek PS si parti e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Meritë e PS është të bëjë pronë të saj mendimin e përparuar intelektual që nuk mungon. Ish-Presidenti Meidani apo kryetari i PS Rama, janë shembull se si një parti e hapur si PS, personalitete të spikatura intelektuale i ngriti në nivelet më të larta të drejtimit të saj apo institucioneve të vendit. Kjo kërkon vlerësim e mirënjohje ndaj brezave në PS që adoptuan këtë politikë hapjeje progresive. Kjo nuk ka të bëjë me hapjen dhe lançime artificiale, që nuk sjellin rezultate në politikë, aq më pak diferencë cilësore në alternativën socialiste kundrejt asaj të PD-së.
Më lejoni të jap një shembull mbi rritjen e të ardhurave që demonstrohet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për 2000-2009, të cilat nga 0,9 miliardë në 2001 u rritën 5,9 miliardë lekë ose 6 herë më shumë, duke pasqyruar politikën socialiste me një alternativë të qartë për decentralizimin dhe mbështetjen e pushtetit lokal, kurse në 2009-n kundrejt 2005-s, ato ranë në nivelin e 4,3 miliardë lekëve ose rreth 27% më pak. Vlerat e shtuara intelektuale të Bashkisë së Tiranës kanë qenë në sinergji me politikën e PS dhe kjo meritë i takon qeverisjes së PS në ato vite, kundrejt asaj të PD-së që i ka zënë frymën autonomisë lokale që solli uljen e të ardhurave kudo në pushtetin lokal.
Prandaj ka vlerë debati i lirë në institucionet e partisë apo në Parlament, i cili kur angazhon mendimin me të mirë profesional, i shërben çmontimit të demagogjisë së pushtetit dhe, së bashku me protestat, krijojnë veprimin opozitar që frymëzon për ndryshim.
Procesi zgjedhor në Tiranë ende nuk është mbyllur duke përshkuar fazën e ankimimeve. Si i konsideroni dy vendimet e Kolegjit dhe ato të KQZ-së lidhur me fletët e pavlefshme? Rrezikojmë të shkojmë në një pavlefshmëri të rezultatit të Tiranës?
Të gjithë kanë parë ‘live’ shfaqjen e shëmtuar te numërimit, sjelljen arrogante të kryetarit të KQZ-së, vendimet politike të këtij institucioni që duhej të ishte i pavarur, por që për të nxjerrë fitues kandidatin e maxhorancës nuk u ndal para asnjë skrupulli, duke u zbuluar përfundimisht para publikut si i kapur nga pushteti dhe kështu i pabesueshëm në vendimmarrjen e tij. Kemi ndjekur me dhimbje dhe me neveri këtë proces të dështuar e të diskretituar përfundimisht: kuti të hapura, kode që nuk përputhen, kuti të shkallmuara e të nxjerra jashtë përdorimit, fletë votimi që fluturojnë nga një qendër votimi në një qendër tjetër, me kilometra larg njëra-tjetrës. E të gjitha këto quhen normale nga KQZ-ja e PD-së, ndërsa nga përfaqësuesit dhe vëzhguesit e PD… quhen thjesht “gabim njerëzor”. Në këto kushte, integriteti i zgjedhjeve lokale është prishur, për fat të keq nga institucioni i KQZ-së, i cili nga institucion garancie u shndërrua në të kundërtën, duke prishur standardet e demokracinë dhe vonuar aspiratën për integrimin, të ardhmen e shqiptarëve. Minimumi i drejtësisë që mund të japë Kolegji Zgjedhor pas kësaj maskarade në Tiranë, është përsëritja e zgjedhjeve, në mënyrë që të kthejë besimin dhe respektin për institucionet. Kjo mendoj se do ishte zgjidhja pragmatiste midis një qëndrimi të hapur flagrant për shtrembërimin e votës që të gjithë e panë ‘live’ nga KQZ dhe çështjes së respektimit të institucioneve që na këshillojnë ndërkombëtarët.
Ministrat e jashtëm të BE-së kërkuan nisjen urgjent të dialogut mes maxhorancës dhe opozitës. Mbi ç’baza mund të ndërtohet ky dialog në një periudhë akuzash dhe mosbesimi reciprok?
Dialogu mbetet i munguar dhe në kuadrin e retorikës, nëse maxhoranca për demagogji fton opozitën, por asnjëherë nuk reflekton asnjë propozim të saj. Kujtoj se si opozitë morëm pjesë në debatin për 12 rekomandimet e planit të veprimit të qeverisë dhe diskutuam duke dhënë sugjerimet përkatëse, veçanërisht për rekomandimin e parë, atë për një Parlament funksional. Për fat të keq, në variantin final të qeverisë, nuk ka asnjë masë reflektimi për propozimet e bëra nga opozita, veçanërisht për rishikimin e rregullores së Parlamentit. Kjo rregullore me ndryshimet e njëanshme, të bëra nga maxhoranca gjatë vitit 2009-2010(më parë ajo është aprovuar me konsensus), është bërë shkak për thellimin e diskriminimit të hapur dhe si asnjëherë më parë të opozitës parlamentare, duke shkelur rëndë pavarësinë e saj dhe për ta kthyer atë në një fasadë të pluralizmit shqiptar. Të gjithë janë dëshmitarë të diskriminimit të socialistëve në Kuvend, ku ata përjashtohen arbitrarisht nga salla e Kuvendit, shahen, fyen dhe kërcënohen deri me jetë dhe, për të ruajtur dinjitetin, detyrohen deri në veprimin ekstrem, bojkotin. Prandaj, dialogu në këto kushte të pabarabarta dhe diskriminuese për opozitën kërkon reflektim serioz dhe të besueshëm nga maxhoranca, e cila është shkaktare e këtij realiteti. Kam dëgjuar Kryeministrin të flasë edhe këto ditë për “oferta” për opozitën. Kjo është demagogjia e radhës. Me vazhdimin e të njëjtit qëndrim manipulues e përbuzës ndaj opozitës, ai ka treguar se nuk do opozitë në Shqipëri. Megjithëse betohet e përgjërohet për të kundërtën, ai nuk e do opozitën në Parlament. Politika fyese, provokuese dhe mbytëse ndaj opozitës ka qenë vijë politike e qeverisjes së tij, që ka demonstruar veçanërisht në këto dy vite vetëm egërsi politike, institucionale e morale ndaj opozitës, duke demonstruar një dëshirë të munguar për progres real në vend.
Jemi dëshmitarë se si Kryeministri dhe maxhoranca po pushtojnë të gjitha institucionet e pavarura, duke u kthyer në rrezik real, serioz për demokracinë integrimin dhe të ardhmen europiane të shqiptarëve. Kjo tregon se realisht përtej demagogjisë, kjo maxhorancë dhe Kryeministri i saj nuk e duan Shqipërinë në Europë, nëse pushteti i tyre absolut do të cenohej apo do të ishte i pasigurt nga kërkesat europiane, zbatimi i të cilave është së pari, në interes të demokracisë në vend dhe të qytetarëve të saj. Kjo është arsyeja që asnjë nga 12 rekomandimet e KE nuk është zbatuar në Shqipëri. Zgjedhjet lokale treguan në mënyrë transparente se pushteti aktual është gati të sakrifikojë demokracinë në Shqipëri e, bashkë me të, si pasojë edhe integrimin e saj. Pushteti i sotëm nuk mund të shpëtojë veten me manipulimet e gjithfarë lloji. Legjitimiteti i pushtetit pa moral që ka eksperimentuar një keqqeverisje na kujton periudhën e mbrapshtë ‘96-’97 dhe e bën emergjent ndryshimin në vend. Këtë ndryshim pozitiv dhe ripërtëritës mund ta bëjë vetëm opozita. Ndryshimi është i domosdoshëm për të kapërcyer vonesat e tejzgjatura në rrugën integruese dhe për të ringjallur besimin popullor te vetë demokracia, te parimet dhe mekanizmi i saj. Jam e bindur se ky ndryshim do të ndodhë shpejt.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura