ARTAN HOXHA
1. Më së fundmi, pas përmbylljes së zgjedhjeve vendore, opozita duket sikur po tërhiqet nga qasja e saj radikale e jokonstruktive drejt një qasjeje të re, ende në formësim. Lideri Rama u shpreh se “…vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur”, që lë të kuptohet një tërheqje të opozitës nga përdorimi i formave të dhunshme të protestës.
2. Pjesë e qasjes së re opozitare po shfaqet edhe një nismë për një reformim të gjerë e të thellë të Kushtetutës. Për liderin Rama kjo përbën edhe një reflektim ndaj një “gabimi” të tij në prillin 2008 kur, në kohë rekord, dhe në komunikim ekskluziv e të mbyllur me liderin Berisha, ndryshuan Kushtetutën lidhur me sistemin zgjedhor si dhe përzgjedhjen e Presidentit, e lidhur me mocionin sfidues ndaj Kryeministrit.
3. Reflektimi i liderit Rama mbi ndryshimet e gabuara kushtetuese, me atë bashkautor, u mirëprit nga disa politikanë të majtë, si dhe analistë e opinionistë, që në fakt janë shprehur kundër këtyre ndryshimeve asokohe. Sipas këtyre, e keqja për demokracinë e shtetin ligjor buron nga ato ndryshime të Kushtetutës. Për më tepër, edhe humbjet e opozitës në 2009-n e 2011-n përmes “manipulimit të votave dhe certifikimit të manipulimit nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor” e kanë burimin në këto ndryshime. Po kështu edhe pafuqia e drejtësisë të ndëshkojë autorët e tragjedisë së Gërdecit apo të megavjedhjes në “Rrugën e Kombit” e kështu me radhë.
4. Ky këndvështrim i burimit të të gjitha të këqijave tek ndryshimet kushtetuese, të cilat e paskan bërë kryeministrin Berisha të patundshëm dhe të aftë të pushtojë e komandojë të gjitha institucionet e pavarura, çon pashmangshmërisht tek ideja se korrigjimi i këtij gabimi do të sjellë edhe korrigjimin e pasojave. Pra, Berisha s’do jetë më i plotfuqishëm, institucionet do të çlirohen prej diktatit të tij, drejtësia do ketë kurajën të ndëshkojë, zgjedhjet nuk do të mund të manipulohen, opozita për pasojë do fitojë zgjedhjet e të tjera si këto.
5. Ky vlerësim i ndryshimeve kushtetuese si të gabuara dhe pasojave deterministike prej tij i ngjan mënyrës se si trajtohet mëkati fillestar biblik i Adamit, Evës, Gjarprit dhe Mollës. Bota do kish qenë krejtësisht ndryshe pa atë mëkat fillestar. Shumë më e mirë besohet. Sikur të mund të ktheheshim mbrapsht e ta korrigjonim, sa mirë do ish! Ky këndvështrim mbi ndryshimet e gabuara kushtetuese, domosdoshmërisë së korrigjimit të këtij gabimi dhe pritshmërisë së efekteve pozitive nga opozita, s’ka se si të mos sjellë reagimin kundërshtues e simetrik të maxhorancës.
6. Për maxhorancën, Presidenti, Prokuroria, Gjykatat, nuk janë nën kontrollin e saj. Përkundrazi, në vlerësimet e saj, Presidenti e Prokuroria tashmë janë palë të anshme e në shërbim a bashkëpunim, për interes reciprok politik dhe/ose karrierë me opozitën. Maxhoranca nuk kontrollon as Shërbimin Informativ, as Këshillin e Lartë të Drejtësisë, as gjykatat për pasojë, as Avokatin e Popullit që e ka ofruar për opozitën gjithsesi dhe as institucione të tjera të shtetit.
7. Për maxhorancën zgjedhjet nuk janë vjedhur as në 2009-n dhe as në 2011-n, ndërsa institucione si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor kanë vendosur në përputhje me ligjin duke i rezistuar presionit të opozitës apo të Presidentit. Sipas maxhorancës, “Rruga e Kombit” ishte një vepër madhore, por edhe e ndërtuar me transparencë e ndershmëri, ndërsa procesi gjyqësor ishte veçse pjesë e strategjisë për pengimin e saj dhe/ose lojë për interesa politikë dhe/ose karriere. Po kështu edhe procesi hetimor e gjyqësor i Gërdecit e të tjera kësisoj.
8. Ndaj, edhe përgjigjja e liderit të maxhorancës, kryeministrit Berisha, ishte e qartë për liderin Rama “Të kërkosh ndryshime kushtetuese, sepse do ta fusësh presidentin gjysmë në xhep, ndërkohë që e ke në xhep plotësisht dhe nuk të dha asgjë, më thoni ju lutem, sa racionale është kjo?”. Një këndvështrimi naiv apo manipulativ të opozitës mbi ndryshimet e Kushtetutës do t’i kundërvihet një qëndrim i ngjashëm i maxhorancës dhe anasjelltas. Shitja si parimore e qëndrimit të njërës s’ka pse të mos përballet me një shitje të ngjashme të tjetrës. Dhe po aq sa ç’i jep të drejtë vetes opozita, që rreket për demokracinë dhe shtetin ligjor, po aq të drejtë ka maxhoranca që të pretendojë se rreket për të njëjtën gjë. Kjo qasje nuk çon kurrkund.
9. Një proces nismëtar për ndryshimin e Kushtetutës nuk do të duhej të bazohej e të nxitej nga vlerësime të këtilla, qofshin këto naive për disa, e hileqare për të tjerë. Ndryshimet e Kushtetutës nuk bëhen një herë me idenë se mund të përfitosh prej tyre, po qe se do të vije në pushtet dhe, kur nuk munde të fitosh, t’iu kthehesh mbrapsht atyre ndryshimeve për të rikrijuar një pikë mbështetjeje për krizë institucionale, ndarjen e influencës mbi institucionet apo bipartizanizmi i tyre në emër të ekuilibrit politik e deri tek mundësimi artificial i zgjedhjeve të parakohshme. Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për të mposhtur kundërshtarin dhe as për t’u bërë vetë i pamposhtur.
10. Ndryshimet e Kushtetutës janë të dobishme vetëm kur ato bazohen në arsye të shëndoshë, nevojiten për të përmirësuar ndarjen e balancimin e pushteteve dhe për të forcuar natyrën demokratike të sistemit e forcën ligjore të tij. Këto synime mund të arrihen me modele të ndryshme, ku asnjë model nuk shfaq avantazh dominant ndaj tjetrit. Aq më shumë nuk qëndron ideja se njëri model është antidemokratik dhe ndaj duhet ndjekur antimodeli, me qëllim arritjen e demokracisë. Ndryshimet e Kushtetutës së prillit 2008 lidhur me Presidentin dhe mocionin sfidues ndaj Kryeministrit nuk janë antidemokratike. Prej tyre as ka buruar humbja zgjedhore e opozitës dhe as ndonjë fuqi magjike e Kryeministrit. Presidenti Topi, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, ndonëse u zgjodh pa konsensusin e opozitës, për më tepër u kundërshtua dhe u përgojua fillimisht prej saj, nuk është nën diktatin e Kryeministrit. As ndryshimet e Kushtetutës, as ligji për prokurorinë dhe as afati 5-vjeçar i mandatit nuk e vunë Prokurorinë nën kontrollin e Kryeministrit.
11. Në rastin e Presidentit ndryshimet ishin një reflektim mbi nevojën e evitimit të një krize artificiale të Parlamentit dhe qeverisë për shkak të një institucioni tjetër. Në rastin e Kryeministrit ato ishin ndryshime që siguronin një koherencë mes sistemit të ri zgjedhur proporcional rajonal, me figurë qendrore liderin përkatës të krahut politik, njëherazi kandidat për Kryeministër dhe, qëndrueshmërisë qeverisëse post-zgjedhore.
12. Qasja e re opozitare nuk bën keq të përfshijë edhe një nismë reformuese ligjore. Në radhë të parë ajo duhet të përfshijë paketën ligjore nga e cila varet marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Krahas, por pavarësisht këtyre, mund të ndërmerren edhe nisma të tjera, përfshirë ato kushtetuese, por me arsyetimin dhe motivin e duhur dhe jo për lojë kulisash, aq më shumë për të kushtëzuar paketën ligjore, tashmë e gatshme për miratim. Për më tepër, qasja konstruktive opozitare kërkon plotësimin e tri kritereve bazë: i) nuk duhet të bazohet në stisje të tipit “zgjedhjet u manipuluan”; ii) nuk duhet të nxitet nga interesa partiakë që konfliktojnë e deri asgjësojnë interesin publik, në veçanti bllokimin e progresit të anëtarësimit në Bashkimin Europian; iii) nuk mund të bazohet në frymën e ndarjes së popullit në të opozitës dhe të regjimit e të tjera ndarje kolektive si këto. Ndryshe, qasja e re e opozitës nuk do të jetë as konstruktive dhe as e suksesshme.
© Panorama.al











