
Ish-presidenti reagon ndaj Kodit Zgjedhor.
Meidani: S’patëm reformë zgjedhore, por retushim të Kodit.
“PD qëndroi në istikamin e vet, kurse PS zeroi brenda pak ditësh rezistencën e saj”
Meidani komenton moskandidimin e ish-kreut të PS për kreun e shtetit: “PS e votat e LSI mund ta
zgjidhnin Nanon President”
Ish-presidenti Meidani, në një analizë të plotë për reformën zgjedhore, shprehet se në fakt u bë vetëm një retushim në Kodin aktual. Sipas tij, PS u tërhoq nga kërkesat e saj parimore, ndërsa u qëndroi deri në fund kushteve të saj. I pyetur rreth kandidimit të Fatos Nanos për President, Meidani shprehet se PS nuk i kishte votat, por, nëse do t’i kishte dhënë firmat dhe Nano do të gjente mbështetje edhe nga LSI, mund të shpresohej në raundin e pestë. Ish-kreu i shtetit mbështet çdo lëvizje brenda së majtës që do ta gjallëronte atë si nga ana organizative, ashtu dhe strukturore.
Zoti Meidani, nga reforma zgjedhore e cila mori konsensusin e dy partive të mëdha, mendoni se Partia Socialiste mori ato garanci që do ta bëjnë atë të sigurt në zgjedhjet e 2013-s dhe mbrojtëse të votës së shqiptarëve?
Njihen dy rrugë në kryerjen e një ndryshimi; nuk po them një reforme, sepse ajo nënkupton shumë më shumë. Njëra është rruga për realizimin e një ideje të rëndësishme, bazuar mbi disa shtylla bazë të mirëkonceptuara dhe qartësisht të deklaruara brenda një projekti të madh politik. Ajo është, pra, rruga e deklarimit parimor e qëndrimit konsekuent, e pozicionimit të qartë dhe të prerë ndaj kërkesave aspak parimore (deri abuzive), të brendshme apo të jashtme, për lëshime të llojllojshme mbi vetë këto shtylla ose parime bazë, publikisht të shpalosura që në fillim. Natyrisht, edhe duke ofruar të gjithë gatishmërinë e nevojshme në përafrimin e zgjidhjes brenda këtyre parimeve bazë! Rruga e dytë është ajo e paqartësisë, konfuzionit dhe e hezitimit. Ajo është rruga, më saktë gjarpërimi politik-ligjor, në mungesë të një “rezistence” të mjaftueshme kohore e politike, rruga e paqëndrueshmërisë ndaj parimeve bazë. Nuk ka rëndësi se në çfarë poze ekspozohet (kombëtare ose europiane, bizantine ose demokratike)! Sepse ajo që flirtohet aty janë vetë parimet bazë, të bëra publike me vite e muaj të tërë, janë lëshimet e njëpasnjëshme, me merakun e vetëm të një teatraliteti të gjoja “fitores”. Nisur nga ky klasifikim, mund të pohohet se PD-ja rezistoi e qëndroi në istikamin e vet, kurse PS-ja e “zeroi” brenda pak ditësh rezistencën e saj parimore.
Pas këtij “klasifikimi” dhe ilustrimit përkatës, nuk mund duket e vështirë që përgjigjen e pyetjes suaj ta japë më mirë vetë lexuesi. Sepse, në fakt, me sa kuptohet nga shtypi, në materialin e përbashkët të miratuar nga përfaqësuesit e dy partive kryesore janë bërë vetëm disa retushime pa peshë, pa arritur në diçka thelbësore që të lejonte pagëzimin e veprimtarisë së këtij komisioni parlamentar si reformë zgjedhore!… Dhe tani t’i kthehemi konkretisht pyetjes suaj. Në gjykimin tim, me pak ndryshime të vogla, PS-ja, në zgjedhjet e vitit 2013 ka po ato garanci që ajo kishte edhe në zgjedhjet e vitit 2009. Madje dhe deklarimet përkatëse, me një diferencë kohore gati 4-vjeçare, janë të njëvlershme…
Pas shtatë muajsh negocime për reformën zgjedhore mes dy palëve, personalisht si qytetar, ndiheni më i garantuar në votën tuaj dhe a pati ky proces transparencën e duhur, e cila mungoi katër vjet më parë në reformën e shkuar?
Pyetja juaj flet më “bukur” se përgjigjja ime. Siç ka ndodhur edhe më parë, është pretenduar për një periudhë intensive angazhimesh e negociatash në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Në të vërtetë, të dhimbset gjithë ajo kohë, energji dhe nerva thjesht për disa retushime. Aq më tepër, gjithë ato intervista, emisione, panele, vizita e takime në selitë e partive kryesore, lloj-lloj deklarimesh e rekomandimesh nga përfaqësues ndërkombëtarë në Shqipëri apo jashtë saj. Dhe të jeni të sigurt që pas zgjedhjeve do të përsëritet e njëjta histori e mëparshme me termin “reformë zgjedhore”, ndoshta edhe me emra e protagonistë të tjerë. Ndërkohë që konsensusi apo një energji bipartizane është bërë më se e domosdoshme në rrafshin ekonomik, në kushte krize apo recensioni teknik…
Siç e kam theksuar disa ditë më parë po në gazetën tuaj, për qytetarët e thjeshtë mund të jetë krijuar përshtypja se anëtarët e këtij komisioni janë “bërë telef” duke punuar “pa pushim” për reformën zgjedhore. Në fakt, nuk është fare ashtu. Vonesa është fare tjetër. Herë duke sajuar lloj-lloj “hilesh”, herë duke u “mirëkuptuar” në shtyrjen apo diskutimin e korrigjimeve të rekomanduara! Problemi do të rezultonte krejtësisht i thjeshtë po të kishte vullnet politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përfaqësuesit kryesorë politikë në Komision apo ekspertët bashkëshoqërues të tyre, po të liheshin të lirë, të gjitha korrigjimet e rregullimet ligjore do të arrinin t’i mishëronin, t’i formulonin dhe përfshinin në Kod brenda pak ditësh (në fakt, retushimet ligjore i arritën brenda disa orëve!)…
Për t’iu përgjigjur në mënyrë më të detajuar pyetjes suaj nëse do ta kem më të garantuar votën time në zgjedhjet e ardhshme, më duhet të ripërsëris këtu disa çështje që, në gjykimin tim, duhet të kishin gjetur zgjidhje të plotë në kuadrin e një reforme zgjedhore demokratike e gjithëpërfshirëse, por jo në kushte retushimi. Ato janë:
Reduktimi i pabarazisë së votës kërkonte si rregullimin e aspektit administrativ zgjedhor (në nivel prefekture) për mënjanimin e diferencave të mëdha në lidhje me përqindjen e nevojshme për marrjen e një mandati parlamentar (kjo mund të realizohej nëpërmjet bashkimit të disa qarqeve), ashtu dhe korrektimin kombëtar për vlerësimin e votës kombëtare, sidomos për partitë e vogla. Por, këtij korrektimi iu tremb PD-ja, ndërkohë që as PS-ja nuk u imponua në mbrojtje të kësaj kërkese. Me sa duket, edhe interesi i LSI-së, në thelb, nuk ishte për këtë korrigjim, thjesht me arsyetimin e humbjes së pozicionit çelës në qeverisjen pas zgjedhjeve!…
Garantimi i votës mund të arrihej me anë të votimit dhe numërimit elektronik. Kështu, votimi elektronik në qytete mund të realizohej “online”, si në rastin e shërbimit bankar, ndërkohë që në zonat rurale, në pamundësi të shtrirjes së shërbimit “online”, mund të aplikohej sistemi “offline”. Po aq i rëndësishëm është dhe numërimi elektronik (në nivel qarku), pse jo dhe i shoqëruar edhe me mbikëqyrje vizive. Në fakt, ajo që u vendos ishte sa për të mbyllur “gojët e këqija”, pra ishte thjesht diçka minimale, me projekte pilot përkatësisht në Tiranë dhe në Fier!…
Besueshmëria e procesit lidhet ngushtësisht me infrastrukturën zgjedhore, p.sh. me përfaqësimin në komisionet e qendrave të votimit, zonave zgjedhore deri në nivelin e KQZ-së. Konkretisht, ndryshe nga formula e dikurshme kushtetuese e KQZ-së (2 anëtarë nga Kuvendi, 3 nga KLD-ja dhe 2 nga Presidenti) e propozuar në vitin 1998 nga specialistë amerikanë, apo ndonjë model tjetër me origjinë gjyqësore, te pseudo-reforma e fundit u la ajo bipartizane si në zgjedhjet e mëparshme (që refuzohet sot edhe në mjaft vende afrikane!). Bile, me një “përrallë” konkursi në përcaktimin e kryetarit të KQZ-së (që, në thelb, mbyllet me zgjedhje të tij nga PD-ja, si në rastin e ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e katërt apo të pestë me 50%+1 vota!). Meqë sistemin zgjedhor proporcional rajonal e kemi huazuar nga Spanja, mund të kujtoj se atje, komisionet, deri në nivelin e qendrës së votimit, hidhen me short në një listë të përzgjedhur qytetarësh.
Në kuadër të transparencës së votës, një çështje po aq e rëndësishme është hapja e kutive me kërkesë të 2 anëtarë të KQZ-së dhe vendimmarrja përkatëse. Një gjë e tillë ekzistonte edhe në Kodin e mëparshëm, por tani pretendohet se kjo është fiksuar më mirë me retushimet e fundit. Nuk është përmirësuar ndonjë gjë e veçantë në sistemin e ankimimit apo procedimin partiak e individual për shkeljet financiare, abuzimet mediatike apo të kodit të etikës, procedimin ligjor ndaj anëtarëve të komisioneve të niveleve të ndryshme (të votimit, numërimit apo ankimit) etj.
Tani, ju apo lexuesi, pasi t’i analizoni këto radhë, besoj se e keni në majë të gjuhës dhe përgjigjen time…
Partitë e vogla, aleate të dy partive të mëdha, ndihen të tradhtuara prej tyre dhe nga fakti se vetë zoti Berisha dhe Rama kishin firmosur kërkesën dërguar Komisionit të Reformës, ku angazhoheshin për ta diskutuar. Ata kanë paralajmëruar krijimin e një poli të ri brenda opozitës për të garantuar votat e tyre. A janë të justifikuar në këtë qëndrim?
Them se po, në të dy krahët e politikës. Në fund të fundit, kërkesa e tyre për korrektim kombëtar u miratua nga mbledhja e përfaqësueseve të 26 partive politike, përfshirë dhe dy partitë përgjegjëse për reformën zgjedhore: PD dhe PS. Përfaqësuesi i PS-së e firmosi kërkesën menjëherë, kurse përfaqësuesi i PD-së, i ndodhur në takime të rëndësishme në SHBA, e miratoi atë i detyruar, pas disa orësh, në mënyrë elektronike. Për mua, situata të tilla josinqeriteti, demagogjie dhe teatraliteti, vazhdojnë ta mbajë “në hekura” çështjen e besueshmërisë së ndërsjellë në gjirin e politikës shqiptare, ndërveprimin real midis partive politike. Në gjykimin tim (por dhe nga deklaratat në media të partive të vogla të dy krahëve të politikës), pakënaqësia është po aq e madhe në të dy kampet. Për partitë e vogla të koalicionit qeveritar (si PR, PDIU), prania në qeverisje i bën ato më pak “agresive”, por ama, qartësisht goditëse. Të tjerat nuk janë ndjerë qoftë dhe për të mbijetuar. Ndërkohë që pakënaqësia e partive të vogla në opozitë (si PSD, PDS etj.) është shpalosur në formë shumë më “kërcënuese”. Në fakt, të dyja palët kanë të drejtë, jo vetëm për shkak të cungimit të theksuar të përfaqësimit, por sepse ato po përjetojnë dhe një situatë të rënduar financiare; ato ose kanë mbështetje minimale ose nuk kanë fare mbështetje nga shteti, ndërkohë që nga votat e qytetarëve për partitë e tyre, në koalicionin me PS-në apo me PD-në kanë përfituar përfaqësuesit e tyre. Meqë jemi në këtë pikë, sipas meje, për koalicionet duhet parë dhe mënyra e shpërndarjes së parave të buxhetit të shtetit, pikërisht në përputhje me përqindjet e votave të fituara brenda koalicionit, jo mandateve parlamentare të fituara.
Po ashtu, për mendimin tim, çdo pol i partive të vogla, majtas apo djathtas, mund ta emancipojë e stabilizojë politikën shqiptare, mund të reduktojë apo shmangë autoritarizmin dhe arrogancën qeveritare, dhe, mbi të gjitha, t’iu kundërvihet prirjes së dy partive kryesore në vend për ndërtimin e një sistemi dypartiak, që në kushtet e brishtësisë së demokracisë shqiptare është jo vetëm i pajustifikueshëm, por dhe mjaft i rrezikshëm.
Sidoqoftë, ajo që unë do të sugjeroja, për të dy krahët e politikës, në vend të polit si koalicion partish të vogla, mund të ishte një listë apo lëvizje me emrin e vet, e miratuar në gjykatë. Natyrisht, edhe me propagandën e nevojshme për kompozimin konkret të partive përbërëse. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, me një kombinim të mençur mund të ulej deri diku niveli i pabarazisë së votës për këto parti dhe, nga ana tjetër, çdo lëvizje e tillë ka mundësinë e përfshirjes në koalicionin përkatës me partinë e madhe të krahut të vet, gjë që bën të mundur dhe korrektimin tjetër të votës (dhënie-marrjen e saj) brenda koalicionit…
Partia Socialiste, në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri nuk arriti të artikulonte një kandidat të saj. A duhet ta kishte kandiduar Fatos Nanon, i cili, nga ana e tij, të përballej në një garë me kandidatin demokrat?
PS-ja nuk i kishte numrat! Tri raundet e para ishin thjesht të pakuptimta për të. Madje, edhe PD-ja, për të mos pasur probleme kuorumi apo shqetësime të tjera kushtetuese që mund të shoqëroheshin deri me ankime në Gjykatën Kushtetuese, i shmangu të tria këto raunde, duke mos paraqitur asnjë kandidat. Deri duke luajtur padrejtësisht me emrat e bërë publikë! Në këto tri raunde mund të arrihej të zgjidhej Presidenti vetëm po të pranohej ideja e propozimeve të PS-së dhe e miratimit të tyre prej PD-së (si në zgjedhjen e Presidentit më 2002-shin, me propozimin e PD-së dhe miratimin e PS-së), apo ajo e një dinamike të përbashkët PD-PS (që nuk dha ndonjë rezultat). Kështu që, F. Nano, duke mos gjetur mbështetjen e PD-së, edhe sikur të kishte firmat për të kandiduar, nuk mund të ishte kandidat në këto tri raunde. Problemi mund të ishte ndryshe, në raundin e katërt apo të pestë, por për këtë duhet të ishin çelës 4 deputetët e LSI-së. Me sa duket, në thelb, ata nuk ishin dakord, ose, të paktën, ata nuk bënë ndonjë veprim konkret për të mbështetur kandidaturën e F. Nanos. Sepse ata, po të mos jepnin të katra votat e tyre (në fakt, vetëm tre prej tyre), zgjedhja e Presidentit do të kalohej në raundin e pestë…
Tani, le t’i kthehemi dhe thelbit të pyetjes suaj. Në një vend realisht demokratik, deputetët, në zgjedhjen e individëve të ndryshëm në poste kryesore, kanë votën e pavarur, mendimin dhe personalitetin e tyre; në rastin aktual shqiptar, vota e deputetit, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë në historinë mbi 20-vjeçare të Parlamentit, është votë partie apo, e thënë më thjeshtë, votë kryetari! Atëherë, po të mos kesh atë votë kryetari (të shumicës), a ka kuptim apo mundësi kandidimi?! Përgjigjja është e thjeshtë dhe e qartë: “Jo”. Madje, po të mendohet ndryshe, sidomos për rreshtimin brenda PD-së, ajo është thjesht utopi!…
Ish-kreu socialist ka fajësuar Edi Ramën për dështime të njëpasnjëshme elektorale në krye të PS, madje ka ndërmarrë një nismë statusore mosbesimi. Si e vlerësoni këtë lëvizje brenda PS?
Çdo lëvizje emancipuese është gjithmonë e mirëpritur. Ndryshe është puna kur flitet për marifete dhe interesa thjesht çasti, për përfitime ose përafrime individi. Pra, kushdoqoftë politikani konkret, angazhimi i tij me nismë statusore, nëpërmjet një lëvizje politike apo qytetare, që kërkon të ndihmojë vendin e shoqërinë në përgjithësi apo që synon, p.sh., gjallërimin organizativ e strukturor të opozitës (p.sh., të PS-së), gjen pa dyshim mbështetjen time; por jo patjetër duke qenë pjesë e saj. Aq më tepër që një veprim opozitar i fuqishëm brenda një partie apo vetë politikës vetëm e ndihmon demokracinë dhe qeverisjen. Madje, në një vlerësim intelektual, sot ajo që nevojitet më shumë në funksionim të zhvillimit të vendit dhe integrimit të tij europian, është rrotacioni partiak e politik, qoftë i plotë, qoftë dhe i pjesshëm, në të gjithë hallkat dhe nivelet e qeverisjes.
Nëse kjo nismë referendare do të dështojë, Nano ka deklaruar me aleatët e PS se do të përpiqet, përmes një platforme, të bashkojë të gjithë të majtën, partitë aleate dhe të gjithë socialistët e pakënaqur me kryetarin aktual të saj. Do ta dëmtonte një lëvizje e tillë PS në zgjedhjet e 2013-s?
Ka dallim midis së thënës dhe së bërës. Siç ka dallim edhe midis energjisë kinetike dhe asaj potenciale. Problemi është pikërisht te transformimi i tyre, te kalimi prej njërës formë te tjetra, suksesi i këtij kalimi. Veçse unë preferoj të respektoj me besnikëri proverbin kinez, sipas të cilit “personi që thotë se kjo gjë nuk mund të bëhet, të paktën të mos e ndërpresë ose të mos e pengojë personin që po përpiqet ta bëjë atë”. Nga ana tjetër, si në çdo aspekt të jetës, edhe në politikë, sidomos në procesin zgjedhor e qeverisës, çdo bashkim e rrit shansin e fitores apo të suksesit…
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











