Meha-Kukeli, edhe dy kosovarë në Kombëtare

Aug 23, 2012 | 14:30
ALBAN MEHA dhe BURIM KUKELI

Burim Kukeli dhe Alban Meha janë dy përforcimet e fundit të Kombëtares shqiptare. Që të dy kosovarët do pajisen së shpejti me pasaporta shqiptare. Kukelit i kanë nisur procedurat e përshpejtuara për t’u pajisur me pasaportë dhe gjatë ditëve të ardhshme do të marrë dokumentin. 28-vjeçari, i cili luan te skuadra e Zyrihut, pritet të jetë partneri i Ervin Bulkut në qendër të mesfushës. Kukeli, një lojtar me tipare shkatërruese, është pëlqyer nga trajneri italian i përfaqësueses sonë që disa muaj më parë. De Biazi e pati ftuar atë që në maj, që të mund të luante në miqësoret ndaj Katarit dhe Iranit, por duke qenë se nuk ishte i pajisur me pasaportë shqiptare nuk mundi të grumbullohej. Kukeli konsiderohet si një futbollist me potencial të madh dhe, për më tepër, këmba e tij e preferuar është e majta, çka mund ta ndihmojë atë që të përshtatet më shpejt me Bulkun. Pas largimit të Lalës nga ekipi përfaqësues, ka mbetur bosh vendi i mesfushorit para mbrojtjes që di të ndërtojë aksione. Në këtë rol është provuar shpesh Lila, por ai është më i zoti në fazën mbrojtëse sesa në ndërtimin e aksioneve. Spostimi përfundimtar i Canës në qendër të mbrojtjes e ka bërë Bulkun që të vuajë dhe të mos japë maksimumin e tij. Ndërsa burime pranë FSHF-së kanë konfirmuar dje se sot do të dërgohen në presidencë dokumentet për ta pajisur me pasaportë shqiptare edhe mesfushorin shqiptar nga Mitrovica, Alban Meha, i cili luan te skuadra e Paderbornit në Gjermani. “Është një futbollist i shkëlqyer që mund t’i bëjë shumë punë skuadrës sonë përfaqësuese”, – pati thënë Edmond Kapllani, i cili luajti për dy sezone me Mehën te Paderborni. Menjëherë pas kësaj, trajneri De Biazi ka shkuar ta shohë nga afër lojtarin dhe nuk është zhgënjyer. Pikërisht javën e kaluar, kur Paderborni u eliminua në kupë nga Arminia, Meha shënoi një gol spektakolar në sytë e De Biazit. Menjëherë pas kësaj, trajneri ka njoftuar federatën që lojtari të mund të pajiset me dokumente shqiptare. Alban Meha shquhet për teknikë të lartë dhe mbulimin e disa pozicioneve. Ai mund të luajë në të dy krahët si mesfushor i avancuar, por edhe si mesfushor organizator pas dy sulmuesve. 26-vjeçari mund t’i shërbejë shumë De Biazit, pasi italiani është vënë prej kohësh në kërkim të një lojtari që të mund të marrë në dorë “regjinë” e skuadrës. Provat me Bakajn, Hykën dhe Zeqirin nuk e kanë bindur italianin. Pasaportë shqiptare ka edhe Migjen Basha, që luan te Torino, por futbollisti kosovar nuk mund të aktivizohet me kuqezinjtë, pasi në të kaluarën është aktivizuar me skuadrat e moshave të Zvicrës. Tani pritet një përgjigje nga FIFA, që Basha të mund të veshë fanellën kuqezi.

ALBAN MEHA
Datëlindja: 26.04.1986;
Vendlindja: Mitrovicë;
Pozicioni: Mesfushor;
Karriera: Eslingen, Shtutgart Kikers II, VfL Kirheim, SSV Reutlingen 05, Eintraht Trier, Paderborn

BURIM KUKELI
Datëlindja: 16.01.1984;
endlindja: Gjakova;
Pozicioni: Mesfushor,
Karriera: FC Solothurn, FC Olten, Zofingen, FC Schöt, FC Luzern, FC Zyrih

© Panorama.al

Te lidhura