Mediu: Të rishikohet sistemi zgjedhor, dëmtoi demokracinë brenda partive

Aug 18, 2011 | 10:28

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, shprehet se sistemi zgjedhor në Shqipëri mund të përmirësohet nëpërmjet rishikimit të mënyrës së votimit dhe ndarjes së deputetëve nëpër qarqe. Në një prononcim për mediat, ai thotë se sistemi aktual ka dëmtuar demokracinë brenda partive. “Sistemi zgjedhor ka rritur ndjeshëm konfliktin politik në vend dhe ka ulur ndjeshmërinë e atyre që zgjidhen, në raport me votuesit që i kanë zgjedhur. Po ashtu, ka dëmtuar rëndë demokracinë partiake, konkurrimin brenda partive politike. Duhen parë këto aspekte të Kodit Zgjedhor se si duhen zgjidhur dhe brenda kësaj i gjithë administrimi zgjedhor, i cili përbën një kusht të domosdoshëm për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shprehet Mediu. Në të njëjtën kohë, ai thotë se sistemi proporcional rajonal me votim preferencial jep më mundësi për bashkëpunim dhe rrit demokracinë brenda vetë forcave politike. “Është shumë e rëndësishme për mendimin tim një ndarje më e drejtë e numrit të deputetëve në zona të caktuara dhe i rëndësishëm po ashtu është konkurrimi politik. Deputetët që vijnë  për shkak të emërimit politik nuk kryejnë të njëjtin funksion me po të njëjtin përkushtim, si ata që zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët. Është e domosdoshme të ngelemi në konkurrimin brenda partive politike, në mënyrë që vlerat përfaqësuese në Kuvend të përcaktohen nga vota e qytetarëve. Një proporcional rajonal me një sistem votimi preferencial do të hapte shumë herë më tepër mundësi dhe hapësira që të kishte bashkëpunim më të qenësishëm politik në nivelin lokal, sepse ky ishte një nga qëllimet që u bë ky Kod, por edhe për sa i përket demokracisë së brendshme partiake”, thekson Mediu.

© Panorama.al

Te lidhura