Mediat maqedonase i quajnë fetare protestat

May 11, 2012 | 18:39
Foto nga protesta e sotme ne Shkup

SHKUP- Një vëzhgim i agjencisë  së lajmeve në Maqedoni, Iliria News Agency (INA) tregon se mediat maqedonase i kanë dhënë kahje fetare më shumë se sa etnike protestave të organizuara sot në Shkup, Tetovë dhe qytete tjera në Maqedoni.

“Dnevnik” raporton se mijëra besimtarë islam kryesisht të komunitetit shqiptar protestuan rrugëve të Shkupit dhe para Qeverisë.

Sipas gazetës, protestuesit e radikalizuar kanë tentuar që të hyjë në ambientet e Qeverisë, mirëpo ato nuk janë lejuar nga policia. Gazeta ka nxjerrë edhe disa nga parullat fyese të protestuesve “Vdisni kaurë”, “Nikolla Terrorist”, “Ali çetnik” “Ali dhe Gruevski homoseksualë”, etj.

Edhe televizioni proqeveritar “Sitel” raportoi se mijëra mysliman protestuan para qeverisë me moton “Myslimanët nuk janë terroristë” si dhe thirrje të tjera.

Sipas “Sitel” edhe në Tetovë dhe Gostivar është protestuar me flamujt islam  dhe thirrje islamike, por duke përmendur edhe shprehjen e revoltës kundër proceseve të montuara kundër shqiptarëve.

Portale dhe faqe të ndryshme informative gjithashtu kanë patur në qendër të vëmendjes fotografitë e protestës, duke nxjerrë protestues me flamujt fetar si dhe thirrjet fetare. Gjithashtu ato kanë informuar se protestuesit ishin besimtarë islam, duke reaguar kundër arrestimeve të fundit lidhur vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.

© Panorama.al

Te lidhura