
Pas 22 vjetësh tranzicion, ia vlen që media, e cila merr në analizë gjithçka ndodh përreth, të marrë në analizë vetveten. Ky ishte qëllimi i konferencës “Televizioni përballë audiencave: Sfidat mediatike në realitetin shoqëror shqiptar (1997-2012)”, e zhvilluar dje në Universitetin Europian të Tiranës (UET) nga Departamenti i Marrëdhënieve Publike-Komunikim. Të ftuar në këtë konferencë ishin moderatorë televizivë, gazetarë, antropologë e studiues të fushës, si Adi Krasta, Rezeart Xhaxhiu, Aleksandër Dhima, Bashkim Gjergji, Ilir Babaramo, Vehbi Miftari etj. “Kemi hyrë në dekadën e tretë të demokracisë shqiptare dhe kësisoj ka lindur nevoja të rimendohet një debat për median. Në këtë kontekst mund të ngrihen një sërë pyetjesh e dilemash si: A mund të flitet sot për një industri të medias në Shqipëri? A mund të debatohet mbi mënyrat e financimit të medias në vend? A janë problemet tona të ngjashme me ato të medias europiane…?”, tha në fjalën e hapjes rektori i UET Tonin Gjuraj, duke u paraprirë diskutimeve të mëtejshme. Duke ua lënë teoritë të tjerëve, gazetari Adi Krasta nuk është treguar aspak i butë në fjalën e tij “Pikëpamje mbi dy nocione kaotike, media dhe demokracia”. Teksa parashtroi qysh në fillim se ky debat duhet të jetë i gjatë, i përjetshëm në Shqipëri, u shpreh ndër të tjera se në median shqiptare “ka pak emra që i bëjnë shërbim të vazhdueshëm demokracisë në Shqipëri. Nuk janë të aftë. Janë shumë të vegjël, mendoj jo profesionalisht, por si njerëz fillimisht, me ca deficite të forta karakteriale, njerëzore. Mendoj se brenda medias në Shqipëri gjallojnë koka fshatareske, që nuk munden ta kuptojnë dot demokracinë, si një gjendje të përgjithshme të rregulluar të marrëdhënieve individ-individ”. Gati në të njëjtën frymë vijoi edhe gazetari Ilir Babramo, i cili foli për inflacion gazetarësh. Ai foli për gazetarë me gjuhë “facebook”-u, që s’kanë asnjë lidhje me librin, por edhe për fenomenin e “hermafrodizmit intelektual”, për gazetarë që nuk arrijnë të krijojnë profilin e tyre. Një referat mes praktikës në terren dhe thellimit studimor ka sjellë Belina Budini në “Televizioni, media që na bashkon”, duke ilustruar me shembuj konkret, përjetimin masiv të ngjarjeve që të mundëson ekrani i televizorit, duke iu referuar rastit të vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri. Në një këndvështrim krejt të kundërt e shikon Gilman Bakalli televizionin, të cilin ai në të vërtet e sheh si një “përçarës”. Të tjerë referues u ndalën në aspektin teorik të çështjes, duke ofruar modele nga eksperienca botërore.











