SPIRO SAQELLARI
Pothuaj të gjithë, në fëmijëri, herë me lutje e herë me të qara, apo herë me urdhër e herë me naze, në prag gjumi, të strukur në shtrat pasi prindi mbaronte përrallën e parë a të dytë e besonte se na kishte zënë gjumi, dëgjonte kërkesën e mësipërme: “Edhe një tjetër”. E, ashtu i përgjumur edhe vetë, ia niste përsëri me fjalinë e dashur e plot kureshti: “Na ishte seç na ishte…” për të arritur tek… “e jetuan e mbretëruan përgjithmonë të lumtur”. Çfarë magjie fshihej në këto histori që edhe pse plot të papritura e kurthe nëpër të cilat “lëviznin” si Borëbardha e bukur e xhuxhat e mirë, ashtu edhe mbretëresha smirëzezë… apo si Kësulëkuqja e dhembshur e gjyshja e sëmurë, ashtu edhe ujku i babëzitur, na qetësonin e na vinin në gjumë?
Mos, vallë, jepeshim mbas zërit të ëmbël të mëmës dhe ujku na dukej qengj? Patjetër që jo! Edhe pse ai zë na jepte dashuri, siguri e gjithçka të mirë, ujku përherë na “tromakste” me ato bëmat e tij të çuditshme. ¨shtë një forcë tjetër e përrallave që vjen midis mijëvjeçarëve, e kurdisur dhe e ngarkuar me kuptim aq bukur sa di vërtet mirë ta qetësojë shpirtin tonë edhe të trazuar në atë moshë. ¨shtë mosha e anktheve dhe e një problematike të madhe psikologjike, si dhe e enigmave që bashkëjetojnë me fëmijërinë. Dhe ajo, përralla, pra, nuk i lufton e i zbukuron ato, siç do kujtonim, por na mëson të rritemi me to, të mos u bëjmë bisht, por të përballemi, që të rritur pastaj t’u bëjmë ballë vështirësive të jetës.
Pothuaj gjithmonë e kudo fillojnë njësoj, “na ishte njëherë…” me hyrje, vazhdim dhe fund; duke dhënë menjëherë fakte, pa intriga të stisura që do ta ndërlikonin; gjithmonë thjeshtëzim të situatave. Dhe bashkë me historinë, imagjinata jonë edhe ndizej, edhe qetësohej. Princi na dukej se ishte shumë i kapshëm; gjahtari gjithashtu: në çdo moment gati për t’i bërë gropën atij që do donte t’ua bënte të tjerëve; kecat e shkathët që dëgjonin e zbatonin porosinë e Mama Dhisë. Dhe ne, sipas gjinisë, ëndërronim princin e kaltër e Borëbardhën e bukur.
Fillesat e përrallave janë të lashta sa vetë historia. Shpirti i fëmijëve i kërkoi si mbrojtje dhe zgjuarsia popullore i “lindi”, i përpunoi e i rafinoi për t’i transmetuar brez pas brezi. Dobia e tyre është e madhe. Ato të edukojnë jo me receta, por në një përplasje të vërtetë midis së mirës dhe së keqes; të injektojnë në pavetëdije se gjithçka ka një zgjidhje. Rrisin duke vënë rregull në psikikën e fëmijës dhe e përgatisin atë realisht për këtë botë të trazuar.
Do të vazhdonim shumë me të mirat e tyre, por zilja e celularit më zgjon nga këto “ëndrra” e më kujton se realiteti i sotëm për fëmijët tanë është krejt ndryshe. Librat me përralla, edhe nëse i kanë shpëtuar batërdisë së ndonjë krijuesi mjeran që përçapjet e Mama Dhisë për ushqim i zëvendëson me abetare, celular apo kompjuter, u ka mbuluar pluhuri i harresës. Sa më të bukura dhomat e gjumit, aq më pak përralla dëgjohen në to! Ato janë trembur dhe strukur nga zilja e fuqishme e celularit, britmat e Supermenit dhe varavingot nëpër ekran të Marios që nuk kanë asnjë gjë njerëzore.
Tani në gjumë fëmijët i vë plaka-TV; më mirë shtriga-TV, që mumos me ato efekte dritash e zërash edhe më çapkënin. I zgjon zilja trembshumë e “mistrecit” të vogël dhe i shoqëron gjatë ditës kompjuter dijemadhi. Të bukur e të sofistikuar këta të fundit, por sa pa shpirt janë! Sa të lumtur do të ishin çiliminjtë pa to! Sa dëme po u shkakton burrave dhe grave të ardhshëm, të cilët, të mbetur vetë pa fëmijëri, nuk do dinë të transmetojnë te të vegjlit e tyre butësinë e Borëbardhës, dhembshurinë e Kësulëkuqes, ligësinë e shtrigës, dinakërinë e dhelprës e babëzinë e ujkut.
Ju lutem të më kuptoni në revoltën time. E di që çdo stad zhvillimi sjell dhe ritet e tij. Por çdo gjë me masë e, për më tepër, të mos heqim dorë nga themelet apo ligjet madhore të natyrës e të rritjes. Shtëpia buzë përroit është gjithmonë e rrezikuar. Po dhe fëmija buzë kaosit, duam s’duam, e tillë është bota dhe natyra njerëzore, është po kaq i rrezikuar. Ndaj duhet përgatitur të futet aty e të dijë të përballet, të zgjedhë e jetojë. Që nesër të transmetojë te të vegjlit e tij kuptimin e jetës duke i dhënë asaj kështu gjënë më të çmuar: vazhdimësinë.











