Me profil në Facebook, 90% e fëmijëve 10-16 vjeç

Feb 8, 2012 | 11:20

Mbi 90% e fëmijëve të moshave nga 10-16 vjeç janë të regjistruar në një nga rrjetet sociale (Facebook, My space apo Hi5). Të dhënat vijnë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Dje, në Ditën Ndërkombëtare për Internet më të Sigurt, është kërkuar më shumë sensibilizim për të mbrojtur fëmijët e të rinjtë nga ky bum teknologjie. Rreth 46% e fëmijëve kanë pranuar se shikojnë çdo ditë profilin e tyre në rrjetet sociale dhe po kaq i shtojnë materiale të reja. Nuk mungojnë as miqësitë e reja me persona të panjohur. Plot 42% e fëmijëve dhe adoleshentëve pranojnë se kanë gjetur njohje të reja nëpërmjet rrjeteve sociale. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit thonë se nevojiten masa urgjente për reduktimin e këtij fenomeni, por edhe për ngritjen e strukturave që do të merren me kontrollin se si do të zbatohen këto masa. Ndërhyrjet do të fillojnë veçanërisht në shkolla, aty ku problemet janë më të mëdha. “Janë vendosur një sërë kërkesash në kontratat e reja për ndërgjegjësimin e mbrojtjes së komunitetit të nxënësve dhe mësuesve gjatë orës së mësimit, gjatë punës së pavarur dhe gjatë punës kërkimore. Sipas kontratës, do të ofrohet gjithashtu filtrimi i përmbajtjes sipas kërkesave të MASH-it, për t’i ndaluar nxënësit e mësuesit që të aksesojnë përmbajtje joedukative, do të mundësojmë bllokimin e adresave problematike, të cilat ofrojnë përmbajtje ofenduese apo fyese për nxënësit”, tha dje Halit Shamata, zv.ministër i Arsimit. Kjo deklaratë u bë në tryezën e rrumbullakët “Të gjithë për një internet më të sigurt”, në të cilën morën pjesë operatorët celularë dhe ISP-të, drejtues të TIK të ministrive, përfaqësues nga universitetet, përfaqësues nga OJF-të. “Ne ofrojmë bashkëpunimin tonë për arritjen e shprehjes së një vullneti të përbashkët nga të gjithë aktorët e industrisë, përkrah dhe praktikave më të mira europiane për nënshkrimin e kodeve të etikës. Duhet t’u ofrojmë fëmijëve tanë mundësinë e raportimit të një abuzimi të mundshëm gjatë kohës që qëndrojnë në internet”, u shpreh ministri i Teknologjisë dhe Informacionit, Genc Pollo.

statistikat
.    60 për qind e fëmijëve i janë përgjigjur me “po” pyetjes nëse prindërit janë dakord me profilet e tyre në Facebook.

.    24% e fëmijëve kanë pranuar se prindërit nuk janë dakord.

.    8% e fëmijëve nuk e dinë fare mendimin e prindërve për këtë çështje.

.    46 për qind e fëmijëve shikojnë çdo ditë profilin e tyre dhe po kaq i shtojnë materiale të reja

.    42% e fëmijëve dhe adoleshentëve pranojnë se kanë gjetur njohje të reja nëpërmjet rrjeteve sociale.

© Panorama.al

Te lidhura