Arlind Bushati, i cili u vra në atentat me armë zjarri së bashku me Hamza Licin është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit për kryetar bashkie i Lulzim Bashës në zgjedhjet e pjesshme në Shkodër.
Pak ditë më parë, Arlind Bushati bëri një denoncim në polici se persona të maskuar e kishin kërcënuar duke i drejtuar automatikun, por nuk ka pasur të shtëna armësh.
Kërcënimi me armë ndodhi para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së Bushatit, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë.
Ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.
NGJARJA
Policia sqaron se Hamza Lici dhe Arlind Bushati kanë qenë duke lëvizur me një automjet tip Benz, kur janë sulmuar me breshëri kallashnikovi nga persona ende të pa identifikuar. Për pasojë Lici ndërroi jetë, ndërsa Bushati u plagos në gjendje të rëndë dhe nderroi jete me vonë.
Hamza Lici dhe Arlind Bushati ishin duke u kthyer nga Mali i Zi kur makines se tyre iu be pritë.
Si pasojë e të shtënave, makina e tyre ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një motor, ku po udhëtonin bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha. Për pasojë kjo e fundit ndërroi jetë, ndërsa burri i saj u plagos.
Në vendngjarje shkuan shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al