Mbytet në gropën e inerteve 15-vjeçari

Jun 29, 2011 | 11:11

Rrëshqet në gropën e hapur nga firmat e inerteve, gjen vdekjen 15-vjeçari.Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, buzë lumit Vjosë, në fshatin Hekal të Mallakastrës. Adoleshenti me inicialet K. M. ka qenë me shokët e tij dhe pasi kishin luajtur bashkë, rreth orës 12:45 kanë shkuar për t’u freskuar në lumin që kalonte pranë fshatit të tyre. Nga banorë të zonës dhe nga policia mësohet se kanë qenë pesë shokë që kohët e fundit shkonin përditë për t’u larë në ujërat e lumit Vjosë. Keli, siç i flisnin shokët, nuk dinte not, por qëndronte gjithmonë aty ku lumi ishte më i cekët. Sipas dëshmisë së shokëve të tjerë që kanë të pranishëm, 15-vjeçari sapo kishte dalë nga lumi dhe po tentonte të vishej, kur papritur i rrëshqiti këmba dhe u rrëzua në njërën prej gropave të hapura, vetëm rreth 4 metra larg rrjedhës së lumit. Megjithëse të gjithë shokët tentuan ta nxirrnin, thellësia e gropës ishte shumë e madhe, aq sa djali s’ka mundur të dalë më prej aty. “U mundova unë i pari që ta shpëtoj. Hyra edhe unë në gropë pas tij, por ishte shumë thellë. Edhe unë e kërkova poshtë, por kishte rënë thellë, në fund. Nuk pata mundësi ta prekja fare. Uji ishte i ndotur, jo shumë i pastër, dhe s’po e shihja. Dola pa të. Vetëm kur erdhën banorët me shkallë dhe hynë në fund të gropës. Ata e nxorën, por më kot. Ishte mbytur. Keli nuk dinte not. Ai po mësonte këtu tek ana e lumit”, ka treguar Fatjon L., një tjetër bashkëmoshatar i viktimës, i cili, përveç të tjerash, tregon se përherë ishin të rrezikuar nga këto gropa, të cilat, sipas djaloshit, janë të panumërta. “Disa herë kemi rrezikuar këtu. Ne vetëm këtu mund të lahemi, se detin e kemi larg. Këtu vijmë në verë, kur vapa është e madhe. Asnjëherë nuk i mbushin këto gropa, por po i shtojnë më shumë”, ka treguar për policinë djali i ri.
Policia, nga ana e saj, ka deklaruar se ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas një telefonate nga banorët e zonës. Menjëherë ka shkuar grupi hetimor dhe specialistët e hetimit dhe parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Fier, për kryerjen e veprimeve hetimore. Ndërkohë, policia ka deklaruar: “Në vendin e quajtur Fushë-Hekal të rrethit Mallakastër, buzë lumit Vjosë, në një gropë të thellë rreth 4-5 metra të krijuar për marrjen e inerteve, duke luajtur me disa shokë është mbytur 15–vjeçari me inicialet K. M., banues në fshatin Kash të rrethit Mallakastër”. Tashmë policia ka marrë në pyetje të katër fëmijët e tjerë që kanë parë ngjarjen. Po sipas uniformave blu, po punohet me qëllim që të zbardhen rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë që të afërm dhe bashkëfshatarë të të rinjve kanë deklaruar për policinë se të rinjtë laheshin gjithmonë në lumin Vjosë, por nuk kishin pasur probleme. Madje, në këtë vend behej plazhi, në pamundësi për të frekuentuar detin.

Rregulli, firmat duhet t’i mbyllin gropat

Sipas rregullores, në rast hapjeje të gropave të tilla, firma duhet ta bëjë mbulimin e tyre sërish, me qëllim shmangien e ngjarjeve të rënda. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe duket se vdekja e 15-vjeçarit shërbeu për sensibilizim e banorëve të zonës që të ruhen dhe për institucionet e shtetit që të kryejnë kontrollet e duhura.

5 metra
sipas dëshmitarëve të ngjarjes së rëndë ka qenë e thellë gropa ku ra dhe humbi jetën 15-vjeçari. Shoku i tij, që tentoi ta shpëtonte, pohoi se nuk mund të shihte dot fundin e saj.

Banorët: Ka 15 gropa të tilla

Ngjarja e rëndë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të institucioneve. Tashmë policia po heton të gjitha subjektet që operojnë në zonë, me qëllim shfrytëzimin e inerteve buzë lumit Vjosë. Burime brenda policisë deklarojnë se po merren dëshmi nga banorë të zonës për të gjetur ndonjë emër konkret të firmës dhe pranë basenit ujor janë sekuestruar të gjitha dokumentet e subjekteve të licencuara për shfrytëzim inertesh. Mësohet se do të shihet periudha e ushtrimit të aktivitetit dhe kriteret e përcaktuara. Sipas banorëve, janë më shumë se 15 gropa të shpërndara gjithandej përgjatë shtratit të lumit, të hapura këto shpeshherë natën nga bizneset. “Kemi kërkuar edhe më parë vënien përpara ligjit të subjekteve abuzuese, të cilat, siç ndodhi sot, me papërgjegjshmërinë tyre morën jetën e djalit”, thotë Qerim Fusha, një banor i zonës. Në fakt, ata pohojnë se kjo gropë duhet të ketë rreth 3-4 vjet e hapur.

 

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura