DIBËR – I riu mbytet në ujërat e Drinit për të shpëtuar të fejuarën. Policia bëri të ditur se dje rreth orës 16:30 humbi jetën 24- vjeçari Ervin Karasani, nga fshati Brezhdan i Dibrës, teksa hyri në rrjedhën e lumit për t’i shpëtuar jetën të fejuarës së tij. Ngjarja ndodhi në një plazh të improvizuar nga banorët e zonës, te Ura e Muhurit, disa km larg Peshkopisë. Dëshmitarët pohuan se banorë të fshatrave buzë lumit laheshin çdo ditë aty. “Më i frekuentuar është vendi pranë Urës së Muhurit, pasi ka edhe rërë. Në njërën anë të lumit ndodhet Hurdha e Manes, mjaft e thellë dhe herë pas herë krijon dallgë. E fejuara e Ervinit u fut për t’u larë, por vetëm pak sekonda më pas u dëgjua të kërkonte ndihmë. Ervini hyri menjëherë dhe brenda pak çastesh e nxori në breg, por vetë humbi ndjenjat dhe ra përsëri në lumë. Ne e kishim të pamundur të ndërhynim, pasi e dinim se lumi në atë vend ishte mjaft i thellë”, u shprehën banorë të zonës që janë ndodhur në vend në momentin e ngjarjes. Kreu i Policisë, Izet Hysa, tha se ishte e pamundur të nxirrej viktima, pasi lumi ishte i rrëmbyeshëm, pasi me sa duket HEC i Spillesë në Maqedoni punonte me kapacitet të plotë. “Hymë në bisedime me Policinë e Shtetit fqinj dhe kërkuam mbylljen e portave për të paktën një orë, derisa arritëm të gjejmë trupin e Karasanit”, u shpreh Hysa. E fejuara e viktimës u dërgua në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë trupi i të riut, pas autopsisë mjeko-ligjore, iu dërgua familjes. h.p
Përgjaket autostrada, 2 vdesin, 9 plagosen
Makina e aksidentuar mbrëmë
KUKES- Ktheheshin nga plazhi në bregdetin e Durrësit, aksidentohen dy familje kosovare, duke shënuar një bilanc të rëndë me dy të vdekur dhe shtatë të plagosur. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00, kur mjetet që kishin të dyja drejtim Kosovën u përfshinë në aksident 800 m pasi kishin dalë nga Tuneli i Kalimashit. Agim Kurti, 54 vjeç, drejtues i njërës prej autoveturave dhe vajza e tij, Urata Kurti, 9 vjeçe, nga Mitrovica humbën jetën. Ndërkohë që mbetën të plagosur gruaja e tij, Naxhije Kurti, 50 vjeçe dhe djali, Man Kurti, 28 vjeç. Të plagosur mbetën edhe drejtuesi tjetër i mjetit, Rasim Istogu, nga Istogu i Kosovës, gruaja e tij dhe tre fëmijët. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Kukësit, por më rëndë paraqitet gjendja e 50-vjeçares Kurti. Sipas Policisë, sapo kanë dalë nga tuneli, dy makinat kanë qenë në të njëjtin drejtim për në Kosovë dhe me shpejtësi të madhe. Mjeti “Opel”, me targa 02770BB, që drejtohej nga viktima, ka goditur në tentativë për të parakaluar autoveturën “Wolksvagen”, me targa 91312CR, e cila përfundoi anës rrugës, duke u përplasur me shkëmbinjtë. Por, përplasja më fatale ka qenë e mjeti “Opel”, që është përplasur me trafikndarësen e më pas ka devijuar duke përfunduar te shkëmbi në anë të rrugës. Për pasojë, drejtuesi dhe 9-vjeçarja kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Burime të Policisë bënë të ditur se mjeti “Opel” ka qenë me shpejtësi gjatë gjithë rrugës. Drejtuesi i saj është ndaluar nga Policia Rrugore diku në afërsi të Milotit dhe i është vënë një gjobë për shpejtësi tej normave të lejuara. Por, gjoba e vendosur nuk e ka evituar dot tragjedinë. Një orë më pas një tjetër aksident ka ndodhur në rrugën e Kombit, ku mbetën të plagosur një çift kosovarësh. j.h