
Regjistrohet viktima e parë në ujërat e Adriatikut për këtë vit. Ende pa u çelur zyrtarisht sezoni turistik veror në Durrës, një 19-vjeçar nga kryeqyteti është mbytur në plazhin e Gjirit të Lalëzit. Policia tha se Andi Sharra nga Tirana ishte duke u larë me bashkëmoshatarët e tij, por herën e fundit është kredhur në ujë pa mundur të dalë prej tij. Megjithëse shokët dhe pushuesit e tjerë që u ndodhën në ato momente pranë vendit ku po notonte 19-vjeçari janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, ajo nuk kishte më vlerë për jetën e tij. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë për policinë se Sharra ishte futur në det në thellësi dhe duke mos e ditur mirë notin është dorëzuar përballë thellësisë, që ishte rreth katër metra dhe dallgëve të mëdha. Sipas Policisë, 19-vjeçari kishte shkuar në plazh së bashku më shokët e tij për të kaluar fundjavën. Në një moment ai është dalluar nga shokët teksa përpiqej të dilte nga uji, por megjithëse ndihma e këtyre të fundit ka qenë e menjëhershme, djali nuk ka mundur të jetojë. Policia, e cila u ndodh në vendin e ngjarjes, pasi mori deklarimin e shokëve të 19-vjeçarit, nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së tij, nëse ka pësuar ndonjë atak nga uji i ftohtë apo është mbytur si pasojë e dallgëve të mëdha dhe nga mosditja mirë e notit. Viktima që u nxor menjëherë nga deti u transportua për në morgun e qytetit të Durrësit, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ngjarja e rëndë, e para për vitin 2012, u regjistrua rreth orës 15:00, në një zonë që shquhet për ngjarje të tilla, e ndihmuar edhe nga pozicioni gjeografik në të cilin ndodhet plazhi. Pas mesditës, në zonën e Gjirit të Lalëzit jo vetëm plazhi në të cilin u mbyt 19-vjeçari, por e gjithë vija bregdetare përfshihet nga një erë e fortë e cila krijon një anomali duke bërë që i gjithë bregdeti të mbulohet nga dallgë mbi dy-tri metra. Në vijën bregdetare, e cila nis në veri të qytetit të Durrësit dhe përfundon në afërsi të Lezhës, ku përfshihen plazhet e Gjiri të Lalëzit, Hamallaj, Rrushkull dhe Kepi i Rodonit, një vit më parë u shënuan 14 viktima dhe të gjitha rastet janë regjistruar pas orës 14:00, pikërisht në momentin kur nis të fryjë erë dhe deti trazohet. Zonat në fjalë njihen për një det të trazuar dhe të rrezikshëm në orët e pasdites, ndërkohë që në asnjë prej plazheve të zonave të lartëpërmendura nuk ka kulla vrojtimi dhe roje bregdetare.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











