Mbyten në Shkumbin burrë e grua

Jul 18, 2011 | 10:49
Vendi ku ndodhi ngjarja

Futen për t’u freskuar në lumë pasi kishin punuar në arë, mbyten burrë e grua.Ngjarja është shënuar në rrethin e Lushnjës, në fshatin Sulzotaj. Sipas Policisë, e cila bazohet edhe në dëshminë e familjarëve të viktimave, çifti i bashkëshortëve kishin shkuar për të punuar tokat që në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Tokat e tyre ndodheshin anës lumit Shkumbin. Në orët e pikut të vapës, Rexhep dhe Saje Shehu, përkatësisht 57 dhe 49 vjeç, të detyruar nga puna e lodhshme dhe temperaturat tepër të larta, kanë shkuar të freskohen në lumë. Nga të dhënat e para dyshohet se viktimat, prindër të tre fëmijëve, kishin hyrë në ujë njëri pas tjetrit. Në fillim dyshohet se ka qenë gruaja viktima e parë.  Meqenëse lumi afër pronave të tyre ishte disi i cekët, ajo ka shkuar edhe pak më tej, derisa këmbët nuk i kanë prekur më tokë. Por, në ketë moment, rrjedha e Shkumbinit e ma marrë atë me vete. Dyshohet se pikërisht në këtë moment, kur ka dëgjuar thirrjet për ndihmë të së shoqes, është futur në thellësi edhe Rexhep Shehu. Ai ka tentuar t’i shkojë asaj në ndihmë, por ka pësuar të njëjtin fat, pasi sipas të afërmve ai nuk dinte not mirë. Një bari i ka parë ata teksa janë futur në ujë, por ai është larguar më pas duke menduar se ata ishin futur për t’u larë. Djali i çiftit, me inicialet A.SH., i ka pritur prindërit gjer vonë, por ata nuk kanë shkuar në shtëpi si zakonisht. Dje në mëngjes, ai sinjalizoi policinë, ndërsa nisi kërkimet bashkë me të afërmit e tij. Duke dyshuar si pistë të mundshme atë të mbytjes, djali dhe të afërmit i nisën kërkimet anës brigjeve të lumit. Rreth 2 orë pas kërkimeve, ata vunë re pak metra larg vendit ku mendohet se janë larë, dy trupat e pajetë, të cilët i kishte nxjerrë vorbulla e ujit në anë. Ndërkohë, në ndihmë të tyre kishin shkuar edhe banorë të zonës. Në vend mbërriti edhe policia që ishte sinjalizuar më parë nga të afërmit e çiftit Shehu. Por blutë dhe polumbarët nuk e kanë pasur të nevojshme të ndërhyjnë me kërkime, pasi trupat e tyre ishin gjetur më parë nga i biri. Paraprakisht, policia e Lushnjës, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe nisi hetimet, pohoi se shkak i vdekjes së dy bashkëshortëve dyshohet të ketë qenë një pakujdesi e treguar nga 49-vjeçarja. Dyshohet se ajo është futur në thellësi dhe uji i rrjedhshëm e ka rrëmbyer atë. Pas saj, është futur i shoqi për ta shpëtuar, por fatkeqësisht as ai nuk mundi të dalë më nga lumi. Policia ka marrë në pyetje edhe bariun e zonës, i cili ka rrëfyer se i kishte parë teksa po laheshin pasi ikën nga tokat, por ai më pas ishte larguar pa e menduar tragjedinë që do t’u ndodhte. Banorët e kësaj zone e përdorin lumin Shkumbin për plazhin veror, meqenëse uji i tij nuk është shumë i ndotur. Djali i viktimave ka pohuar për policinë se prindërit e tij ishin larguar që mëngjesin e një dite më parë për të punuar tokat. Ai i kishte pritur gjer vonë në darkë. Pasi nuk ishin kthyer, kishte dyshuar për një mbytje të mundshme, pasi thuajse çdo drekë, në pikun e vapës, çifti i lodhur nga puna në arë, futej për t’u freskuar në lumë.

BANORET

Banorët e fshatit Sulzotaj pohuan se në stinën e verës, ata e bënin plazhin në ujërat e Shkumbinit. Edhe dy ditë më parë, jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja, janë gjendur banorë që janë futur në lumë për t’u freskuar. Por askush nuk e ka vënë re çiftin që është futur në lumë, të cilët më pas janë mbytur njëri pas tjetrit. “Të gjithë banorët futen në lumë, jo vetëm për plazh, por edhe për t’u freskuar, sidomos ata që punojnë në arë”, u shpreh një banor i fshatit, i cili kishte shkuar dje në ndihmë të familjes Shehu për gjetjen e trupave të dy viktimave.

Sarandë, 14-vjeçari maqedonas rrezikoi mbytjen

SARANDE- Një 14-vjeçar maqedonas rrezikoi mbytjen dje në plazhin e Sarandës. Ngjarja ndodhi në plazhin e ri rreth orës 09.00, kur Sllobodan Petrovski kishte shkuar bashkë me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët për të kaluar pushimet në qytetin bregdetar. Djali 14 vjeç dhe e motra janë nisur për t’u larë. Djali Antonio, sapo ka hyrë në pak thellësi, ka humbur ndjenjat dhe ka nisur të zhytet në ujë. Pushues të shumtë dhe familjarët që ndodheshin në breg kanë nxituar duke arritur ta nxjerrin atë nga uji. Pas sinjalizimit të dhënë, mbërriti edhe një autoambulancë, e cila bëri transportimin e tij në spitalin e qytetit. Pas marrjes së ndihmës së parë, 14-vjeçari nisi të përmendej, por mjekët konstatuan se ai kishte marrë ujë dhe, për rrjedhojë, i ishin krijuar probleme me mushkëritë, ndaj kërkohej një mjekim më i specializuar. Dyshohet se shkak i ngjarjes ishte bërë edhe sëmundja e epilepsisë nga e cila i mituri vuante prej vitesh. Për këtë shkak u njoftua helikopteri dhe rreth 30 minuta më pas, ai u transportua drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Mësohet se 14-vjeçari Antonio Petrovski e ka kaluar rrezikun për jetën. Familjarët e tij deklaruan se kishin ardhur nga Maqedonia për pushime, vetëm një ditë më parë.                                                       sh.d

 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura