Mbyten duke u larë tre fëmijë

Jun 11, 2012 | 13:49

Fundjavë tragjike për tre fëmijë, 11 dhe 10 vjeç, të cilët u mbytën në ujë, në tentativë për t’u freskuar nga temperaturat e larta. Dy fëmijë, kushërinj të parë, u mbytën në një gropë të madhe e krijuar nga një firmë ndërtuese, e cila pasi kishte marrë çakëll, e kishte lënë vendin të pambuluar. Ndërsa një 11-vjeçar u mbyt dje në Berat, pasi u fut në lumë për t’u freskuar me bashkëmoshatarët e tij.
BURREL
Pasditen e së shtunës, në komunën e Martaneshit, teksa laheshin në një oaz me ujë u mbytën dy minorenë, djem xhaxhallarësh. Viktimat, Gjon Rrushi 11 vjeç, nxënës i klasës së pestë dhe Rugen Rrushi, 10 vjeç, nxënës i klasë së katërt në shkollën “Jani Fullani” në Krastë kishin dalë shëtitje në drejtim të vendit të quajtur “Kodra e Dervishajve”, në perëndim të qytezës së minatorëve. Në momentin e nisjes kanë qenë katër fëmijë, por dy të miturit që humbën jetën tragjikisht i kanë bindur moshatarët e tyre të kthehen në rrugë, duke u thënë atyre se “ka gjarpërinj” apo “rruga është e vështirë”. Në anë të aksit rural Krastë-Gjon, firmat ndërtuese të rrugës kanë gërmuar vite më parë për të siguruar çakëll për trasenë e rrugës, duke krijuar kështu një gropë që më vonë është mbushur me ujë. Rreth orës 16:00, mendohet që djemtë janë futur në gropën e ujit për t’u larë. Temperaturat e larta kanë bërë që ata, njëri pas tjetrit, të tentojnë të freskohen pa e ditur sa e thellë është gropa dhe se në fundin e saj ajo kishte llucë të madhe. Vetëm rreth orës 20:00, prindërit dhe të afërmit janë shqetësuar për mungesën e fëmijëve të tyre në shtëpi. Dy fëmijët që u kthyen në rrugë kanë dhënë koordinatat e lëvizjes së tyre. Banorët u vunë në kërkim të fëmijëve dhe pranë gropës me ujë ata gjetën rrobat e tyre. Menjëherë ata kontrolluan gropën e ujit dhe pa shumë vështirësi i gjetën të dy të mbetur në llucë, pa asnjë shenjë jete. Në vendin e ngjarjes janë ndodhur bashkë me banorët edhe efektivë të postës së Policisë Martanesh, të cilët i kanë transportuar dy fëmijët drejt morgut të spitalit Bulqizë, për të kryer hetimet e plota të ngjarjes tragjike. Mësohet se të dy familjet Rrushi i kishin djem të vetëm viktimat.
BERAT
Një fëmijë 11 vjeç është mbytur në ujërat e Devollit, ndërkohë që trupi i tij ende po kërkohet. Nxënësi i shkollës 9-vjeçare të fshatit Banaj të komunës Poshnjë, Klodian Tafa, është rrëmbyer nga ujërat e lumit, ndërkohë që trupi i tij po kërkohet nga polumbarët. Burime të Policisë bënë të ditur se 11-vjeçari është mbytur në vendin ku bashkohen Osumi dhe Devolli, në kufirin midis fshatit Banaj dhe Arrzës, 25 kilometra larg qytetit. Fëmija ka shkuar në lumë për t’u larë me shokët e tij të klasës pasditen e djeshme. Por, pasi është hedhur në lumë, nuk ka dalë më. Kur shokët kanë vërejtur se ai nuk po dilte në sipërfaqe, janë hedhur për t’i ardhur në ndihmë, por ata nuk kanë arritur dot ta gjejnë atë. Më pas ata dhanë alarmin në fshat. Familjarët e banorët e tjerë nisën kërkimet, ndërsa në vend mbërriti edhe policia e polumbarë, por deri në orët e mbrëmjes, trupi i 11-vjeçarit ende nuk është gjetur.                         h.p/d.xh

Viktimat
• Gjon Rrushi,

11 vjeç, nga Krasta

• Rugen Rrushi,
10 vjeç, nga Krasta

• Klodian Tafa,
11 vjeç, fshati Banaj, Berat

Gropa ku u mbytën kushërinjtë, rrethore dhe 1.5 m e thellë
Gropa ku u mbytën dy kushërinjtë nga Krasta e Martaneshit, Gjon dhe Rugen Rrushi, sipas burimeve të Policisë, ka një formë rrethore, me një diametër rreth 8 metra. Ndërkohë që thellësia e gropës, së paku me ujë, nuk është më shumë se 1.5 metra, gjithsesi thellësi e mjaftueshme për t’i mbuluar të dy fëmijët. Dyshohet se shkak është bërë lluca që i ka mbajtur të miturit në thellësi, pa iu dhënë atyre mundësinë të dalin më në sipërfaqe në momentin që janë zhytur në baltë. Gropa ndodhet rreth 50 metra larg aksit rural Krastë-Gjon. Ndërkaq, nuk ka të dhëna nëse policia do të nisë hetime për firmën që e ka lënë të hapur gropën, pa marrë parasysh se ajo përbënte rrezik për banorët e zonës, kryesisht për fëmijët.

© Panorama.al

Te lidhura