Mbyllet telenovela, firmos Eloj Robles

Jul 7, 2011 | 10:38

Të martën, klubi korçar vendosi të mos firmoste me spanjollin Robles, por më pas bëri prapakthehu. Dje, pas tratativave mes menaxherit të lojtarit, Elton Marini, dhe presidentit, Agim Zeqo, u arrit akordi për 3600 euro në muaj. Më parë lojtari kishte kërkuar 4 mijë euro. Pikërisht kjo ka qenë edhe si një lloj strategjie nga ana e drejtueseve të klubit, me qëllim që t’i ulnin rrogën që kishte kërkuar lojtari. Duke “i dhënë duart” një ditë më parë, presidenti Zeqo i ka bërë indirekt presion lojtarit, me qëllim që ai të pranonte ofertën e korçarëve. Kështu, një ditë më vonë ishin sërish drejtuesit e Korçës ata që përgënjeshtruan vetveten, duke rikthyer në skuadër spanjollin. Robles është futur direkt në listën e UEFA-s dhe pritet federimi i tij, ashtu si kroati Marko Radas, që do jetë në garë me spanjollin për një vend në krahun e djathtë të mbrojtjes. Spanjolli, i cili mbërriti në Korçë vetëm dy ditë para se ekipi të nisej për në Austri, është bërë krejt rastësisht pjesë e bardhekuqve. Jo për vlerat e tij, që duket se janë të padiskutueshme, por sepse duhej të mbërrinte pranë këtij ekipi një tjetër lojtar spanjoll. Një tragjedi familjare ka larguar spanjollin tjetër, teksa menaxherët kanë nisur një tjetër futbollist drejt Korçës. Në fakt, Eloj Robles vjen nga Akademia e Barcelonës, teksa është një lojtar që e ka nisur karrierën bashkë me Fabregas. Por, pavarësisht të gjitha këtyre, lojtari që i ka bindur menjëherë juglindorët është diskutuar së tepërmi për qëndrim të tij në një kontakt të parë në Shqipëri. U desh faza përgatitore në Austri, ku ai shpërtheu me lojën e tij në të tria miqësoret.

© Panorama.al

Te lidhura