Protesta, Kurti: Do ketë ‘Pranverë kosovare’

Feb 27, 2012 | 19:36

PRISHTINE- Ka përfunduar pa incidente protesta katërorëshe e Vetëvendosjes para Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim të marrëveshjes me Serbinë rreth pjesëmarrjes në nismat rajonale, tashmë të njohur si “Marrëveshja Fusnota”. Në mbyllje të saj lideri i Vetëvendosjes ka paralajmëruar protesta të tjera. “Do të ndodhë Pranvera kosovare”, është shprehur ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur marrëveshje personale të kryeministrit Thaçi, për të cilën nuk duhet të obligohen institucionet e Kosovës. “Qeveria në këto bisedime po merr vendime në kurriz të qytetarëve të Kosovës, pra kjo protestë demokratizon Republikën të cilën na e hoqi kryeministri”, është shprehur Kurti në një prononcim për KTV-në.

Ai ka paralajmëruar se protesta e sotshme është vetëm fillimi i kundërshtimeve të kësaj lëvizje, sepse do të vazhdohet me protesta në të gjitha qytetet e Kosovës.

Kryeministri është i gatshëm të dalë para protestuesve për t’iu shpjeguar marrëveshjen për fusnotën, i tha KTV-së shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci. “Për ne çdo gjë është normale dhe e qetë. Ne reflektojmë edhe vullnetin e qytetarëve, atyre 600-700 qytetarëve që janë mbledhur aty. Ne nuk kundërshtojmë asnjë iniciativë të qytetarëve, por ne nuk mendojmë që duhet një gjë e tillë. Sapo dola nga zyra e kryeministrit dhe gjithçka është në rregull, puna nuk është pezulluar” , ka thënë ai për KTV-në.

© Panorama.al

Te lidhura