Mbyllet numërimi, Basha 95 plus

Jun 24, 2011 | 10:30
Dje gjate numerimit ne KQZ

Lulzim Basha fiton zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës me një diferencë prej 95 votash ndaj rivalit të tij, Edi Rama.Në një kohë rekord prej pesë ditësh, KQZ-ja përfundoi numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, nga ku rezultoi se kandidati i mbështetur nga “Aleanca për qytetarin” kishte 14 vota më shumë se kreu i Partisë Socialiste. Pasi u hapën 1793 kuti në të gjithë Tiranën, Lulzim Basha mori 256 vota, Edi Rama 242 dhe 5 vota shkuan për Hysni Milloshin e Partisë Komuniste. Diferenca prej 14 votash pas hapjes së këtyre kutive do t’u shtohet 81 votave që Basha siguroi gjatë operacionit të parë të ndërmarrë nga KQZ-ja pas hapjes së 117 kutive ku kishte indicie për ekzistencën e votave të gabuara. Në ato kuti Basha kishte 91 vota më shumë dhe pasi iu zbritën 10 votat që kishte Rama më shumë, diferenca u bë 81 vota. Gjatë ditës së sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të miratuar aktin që do të përgatisë administrata për rezultatin përfundimtar në Tiranë. Në të njëjtën kohë do të përcaktohet nëse 29 vota të gjetura (16 për Ramën dhe 13 për Bashën) për kryetarin e Bashkisë, pas kërkesës ankimore të PD-së, do të përfshihen në tabelën përfundimtare. Ky rezultat u rrëzua në KQZ pak javë më parë për shkak se kërkonte 5 vota për të ndryshuar tabelën përfundimtare. Kuorumi nuk u arrit pasi tre anëtarët e majtë votuan kundër propozimit. Në total, nga hapja e të gjitha kutive, rezulton se Lulzim Basha ka marrë 125 042 vota, Edi Rama 124 947 vota dhe Hysni Milloshi 1399 vota. Gjatë këtyre pesë ditëve dolën 2983 vota, të cilat ishin hedhur në kutinë e gabuar dhe që deri sot nuk ishin pasqyruar në tabelat e grupeve të numërimit. Nga miratimi i vendimit që pritet të bëhet sot, Partia Socialiste do të ketë pesë ditë kohë për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor për padinë e radhës. Nga qëndrimi i mbajtur gjatë këtyre ditëve në KQZ, duket i sigurt fakti se përpara se të shpallet rezultati për Tiranën, PD dhe PS do të përballen edhe njëherë me trupën prej pesë gjyqtarësh të Kolegjit. Sa u përket votave të marra nga partitë për Këshillin Bashkiak, Partia Socialiste ka marrë 19 vota më shumë se Partia Demokratike, ndërkohë që koalicioni i djathtë është përpara atij të majtë. Përfundimi i numërimit u shoqërua me duartrokitje dhe thirrje “Basha, Basha” nga vëzhguesit e PD-së, ndërsa ata të PS-së, nuk reaguan.
Njësia 11
Në njësinë Bashkiake Nr. 11, e cila kishte 55 qendra votimi, ose 209 kuti, rezultoi të ishin 68 vota të hedhura në kutinë e gabuar. Nga këto, 43 vota i mori kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, 24 kandidati i PS-së Edi Rama dhe një votë kandidati i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi. Përsa i përket garës për kryetarin e Minibashkisë, ndonëse këto vota nuk do të jenë pjesë e tabelave përfundimtare, Haki Mustafa mori edhe 119 vota të tjera, ndërsa Naim Asllani i Aleancës për të Ardhmen mori 75 vota. Gjatë hapjes së kutive rezultoi se në dy qendra votimi, 2009/1 dhe 2008, mungonte zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme, ndonëse në procesverbal ishte shënuar se kishte fletë të kësaj natyre. Në njërin zarf duhet të ishin 34 vota dhe në tjetrin gjashtë vota. Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, ky rast duhet të hetohej më shumë, ndërkohë që anëtarët e djathtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u shprehën se kutia është me integritet përderisa numrat e kodeve të sigurisë korrespondojnë me ato të shënuara në tabelat e grupeve të numërimit.

503 vota
Gjatë pesë ditëve të numërimit të 1793 kutive në KQZ, u gjetën 503 vota për kryetarin e Bashkisë që ishin hedhur në kutinë e gabuar. Pas numërimit të tyre rezultoi se Basha ka marrë 256 vota, Rama 242 vota, ose 14 më pak, e Milloshi 5 vota.

2983 vota pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ-ja numëroi të gjitha fletët e votimit të hedhura gabim, jo vetëm ato të kryetarit të Bashkisë. Nga kjo rezultoi se në total janë rreth 2983 vota që nuk janë hedhur në kutinë e saktë.

319 vota
Përsa u përket votave të hedhura gabim për Këshillin e Bashkisë, numri i tyre ishte 319. Shumicën e këtyre votave e kanë marrë PD-ja dhe PS-ja. Në të njëjtën kohë, 1527 vota janë hedhur gabim për kryetarin e minibashkisë.

Rezultatet e KQZ

Rezultati i përgjithshëm
Lulzim Basha 125 042 vota
Edi Rama      124 947 vota
Hysni Milloshi     1399 vota
Basha, fitues me
95 vota më shumë

Njësia Nr. 1
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     28 vota
Edi Rama     26 vota
Hysni Milloshi     1 votë

Kryetari i Minibashkisë
Lindita Nikolli     46 vota
Agron Seseri     39 vota

Njësia Nr. 2
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha    21 vota
Edi Rama     12 vota
Hysni Milloshi     0 vota

Kryetari i Njësisë
Artemon Cukalla     61 vota
Elez Gjoza     84 vota

Njësia Nr. 3
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     20 vota
Edi Rama     34 vota
Hysni Milloshi     0 vota

Kryetari i Njësisë
Enver Sulollari     76 vota
Ilir Kokona     67 vota

Njësia Nr. 4
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     53 vota
Edi Rama     53 vota
Hysni Milloshi     0 vota

Kryetari i Njësisë
Hysen Gjura     133 vota
Vaid Kalaja     101 vota

Njësia nr. 5
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     7 vota
Edi Rama    3 vota
Hysni Milloshi     0 vota

Kryetari i Minibashkisë
Jeta Seitaj     74 vota
Erisa Xhixho     60 vota

Njësia Nr. 6
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     19 vota
Edi Rama     27 vota
Hysni Milloshi     0 vota

Kryetari i Njësisë
Luzhiana Abazaj     100 vota
Krenar Cenollari     69 vota

Njësia Nr. 7
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     20 vota
Edi Rama    23 vota
Hysni Milloshi     1 votë

Kryetari i Njësisë
Krenar Alimehmeti 75 vota
Erion Koka     61 vota

Njësia Nr. 8
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     7 vota
Edi Rama     6 vota
Hysni Milloshi     0 vota

Kryetari i Njësisë
Arben Tafaj     46 vota
Sadi Vorpsi     27 vota

Njësia Nr. 9
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     27 vota
Edi Rama     26 vota
Hysni Milloshi     1 votë

Kryetari i Njësisë
Indrit Fortuzi     87 vota
Armond Halebi     82 vota

Njësia Nr. 10
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     11 vota
Edi Rama     8 vota
Hysni Milloshi     1 votë
Kryetari i Njësisë
Altin Fuga     25 vota
Enada Alikaj     20 vota

Njësia Nr. 11
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     43 vota
Edi Rama     21 vota
Hysni Milloshi     1 votë

Kryetari i Njësisë
Haki Mustafa     119 vota
Naim Asllani     75 vota

Rezultati nga
hapja e kutive
Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha     256 vota
Edi Rama     242 vota
Hysni Milloshi     5 vota

Këshilli Bashkiak
PS         124 vota
PD         105 vota
LSI         33 vota
PR         7 vota
PDIU         6 vota
PBK         4 vota
PDMRE         3 vota
PSD         3 vota
PSV         91 3 vota
LZHK        3 vota
PPAK         3 vota
ADS         3 vota
AD         2 vota
PLL         2 vota
AAK         2 vota
PBKD        2 vota
PLiDr         2 vota
G99         3 vota
AEE         1 votë
AAP         1 votë
P. Gj.         1 votë
PBD         1 votë
PAK        1 votë
P. Myslym.     1 votë
BLD         1 votë
PDMSH         1 votë
PDK         1 votë

Lapraka, 15 votat e Bashës të pavlefshme se ishte shënuar “po”

Gjatë numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar në Njësinë Bashkiake Nr. 11, në një grup numërimi në KQZ, kurioziteti i bëri anëtarët e këtij grupi të hapnin dhe të shikonin zarfin e votave të pavlefshme. Në kutinë nr. 2003/1 për kryetarin e Bashkisë, që ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, u pa një numër i madh votash të pavlefshme. Ndonëse vendimi i Kolegjit ishte për të numëruar vetëm votat e hedhura në kutinë e gabuar, dy anëtarët e grupit të numërimit të emëruar nga KQZ-ja dhe vëzhguesit e PD-së dhe PS-së nisën t’i shikonin 15 votat e këtij zarfi. Aty doli se 13 prej këtyre votave që ishin shpallur të pavlefshme, në kutinë pranë emrit të Bashës ishte shënuar “po” në vend të kryqit, ose plusit, siç e përcakton edhe Kodi Zgjedhor. Ndërsa dy vota të tjera ishin shpallur të pavlefshme pasi kryqi kishte dalë jashtë kutisë së përcaktuar. Sipas standardit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këto dy lloje votash duhet të ishin shpallur të vlefshme. Por, paradoksi në këtë rast qëndron në faktin se në KZAZ-në Nr. 55, shumica ka qenë e Partisë Demokratike dhe anëtarët e saj duket se kanë dashur të ruajnë harmoninë gjatë numërimit dhe i kanë shpallur këto vota të pavlefshme. Në të gjithë Tiranën janë shpallur rreth 6 mijë vota të pavlefshme, në 485 kuti dhe rreth 3 mijë vota janë ato të hedhura në kutinë e gabuar.

KQZ: Procesi, transparent

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, u shpreh se i gjithë procesi i numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar ishte transparent. “Vendimmarrja është më transparente sepse është publike. Janë procedurat që ka parashikuar ligji dhe Kodi Zgjedhor. Pra, saktësia me transparencën janë dy elemente të ndryshme. Saktësia nuk mund të diskutohet në një Komision Qendror të Zgjedhjeve, në institucionin më të lartë të administrimit dhe certifikimit të zgjedhjeve në vendin tonë, pra në Shqipëri. Nëse dikush mund të ketë paqartësi, mund të vijë dhe të ankohet dhe në KQZ, por mund të shkojë më pas edhe në shkallën e dytë të ankimit, në Kolegji”, tha Olli.

PS: Procesi ishte qesharak
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, reagoi menjëherë pas mbylljes së numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara duke e quajtur atë qesharak. “Paraprakisht mund t’ju them, siç e kam thënë edhe në ditët e kaluara, që ishte një proces qesharak, një proces që në çdo pjesë të tij tregoi parregullsitë dhe me keqardhje konstatuam faktin që materiali zgjedhor nën administrimin e KQZ-së u fut në procesin e këtij hetimi të këtij komisioni, i pasigurt, shpeshherë i deformuar, me probleme të natyrave të ndryshme, ku më tipikja ishte ajo që ju e keni parë dhe të gjithë njerëzit kanë parë, basti i humbur i zotit Ristani për integritetin e një kutie që mishëronte gjithçka ndodhi në Komision, ku vëzhguesit tanë nxorën një zarf nga një kuti thuajse e sigurt sipas përcaktimit të KQZ-së”, tha Gjonçaj.

“Për numërimin të presim raportin e ODIHR”

Eurodeputetja Doris Pak tha dje se pavarësisht pretendimeve të palëve në Tiranë për mënyrën se si janë numëruar votat, ai që duhet pritur është raporti i OSBE/ODIHR-it. “Opozita pretendon se votat në Tiranë nuk janë numëruar si duhet, qeveria thotë që ky numërim ishte në rregull dhe prandaj duhet të presim derisa të numërohen votat e fundit, pastaj duhet të kemi besim tek ODIHR-i nëse është dakord me këtë. Atëherë edhe opozita duhet ta pranojë përfundimin e votimit. Pra, në rast se ODIHR-i dhe OSBE-ja e pranojnë vendimin e Komisionit Zgjedhor, atëherë opozita nuk ka asnjë shkak se përse duhet ta vazhdojë ta bojkotojë Parlamentin dhe të refuzojë dialogun. Kjo është njëra gjë, por tjetra është nëse ata vërtet do të veprojnë kështu. Unë vetë nuk besoj se do të kemi një dialog të vërtetë”, u shpreh Pak. Sipas saj, “probleme do të ketë i gjithë vendi dhe opozita duhet ta mbajë parasysh që vetëm synimi për të rrëzuar qeverinë, gjë që është e kuptueshme kur je në opozitë, nuk mund ta mbajë peng të gjithë vendin. Dhe unë mendoj se një gjë e tillë është e dëmshme”.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura