Mbyllet në KQZ, Basha merr mandatin në Gjykatë

Jun 7, 2011 | 12:48

Vendimi i pak ditëve më parë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në rolin e KZAZsë së madhe të Tiranës, ku nxori fitues për Bashkinë e Tiranës Lulzim Bashën me 81 vota më shumë se Edi Rama, është votimi i fundit që është bërë në KQZ për kryeqytetin dhe pas tij nuk do të ketë një të dytë. Burime nga KQZ-ja, por edhe juristët e PD-së, sqarojnë për gazetën se vendimmarrja në një KZAZ është me katër vota, pasi Kodi nuk parashikon votim të cilësuar për këtë nivel komisioni. Në të njëjtën kohë ata shtojnë se shpallja e kandidatit fitues për bashkinë ose komunën bëhet me shumicë të thjeshtë. Kodi Zgjedhor parashikon se një nga kompetencat e KZAZ-së (Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve) është edhe shpallja e kandidatëve fitues. “KZAZ-ja kryen këto detyra: shpall kandidatët fitues për kryetar të njësisë vendore”, thuhet në germën “g” të nenit 33 të Kodit Zgjedhor. Në këtë mënyrë, pas përfundimit të shqyrtimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor të kërkesë-padisë për Vendimin 711 të KQZ-së lidhur me rezultatin e Tiranës, nuk do të ketë më votim në KQZ-së, por Lulzim Bashës i hapet rruga për të marrë detyrën e re. Kjo detyrë, në fakt, merret përmes një procedure të përcaktuar. Në nenin 40 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”, thuhet se mandati vërtetohet nga Gjykata e Faktit në Tiranë. “Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga gjykata në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”, thuhet në pikën 1 të nenit 40 të këtij ligji. Juristët e PD-së shpjegojnë se pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes nga Kolegji, Basha duhet t’i drejtohet KQZ-së ku të kërkojë nëse ka ende çështje të tjera ankimore për rezultatin e Tiranës. Me përgjigjen e KQZsë (sipas së cilës nuk ka më proces ankimor), Vendimin 711, që e shpall atë fitues dhe vendimin e fundit të Kolegjit, Basha i drejtohet Gjykatës së Faktit, e cila i konfirmon mandatin

© Panorama.al

Te lidhura