
Vdes në spital 84-vjeçari që ekzekutoi Liljana Arapin
Mbyllet përgjithmonë ngjarja makabre e 11 gushtit të shkuar, kur Liljana Arapi, 42 vjeçe, u masakrua në qytetin e Korçës. Autori i vetëm i akuzuar për këtë krim, Gaqo Dumka, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, duke shënuar edhe vulosjen e dosjes. Vetëm pak ditë para se Gjykata e Korçës të jepte vendimin për dënimin e të moshuarit, Dumka ka pësuar një atak kardiak ndërsa ishte i shtruar në spitalin e burgut në Tiranë. Ai ndodhej në këtë spital prej rreth 2 javësh, në të njëjtën ditë kur në sallë prokuroria do të jepte pretencën për 84-vjeçarin. Në këtë mënyrë, krimi makabër i 6 muajve më parë, ku një grua u gjet e masakruar si në skenat e filmave horror, mbeti i padënuar nga Drejtësia. Dosja e Prokurorisë për vrasjen e 42-vjeçares Liljana Arapi është mbyllur, pasi i vetmi i dyshuar për vrasjen e paprecedentë ka ndërruar jetë. Pikërisht tri ditë para se t’i jepej pretenca, Gaqo Dumka ka vdekur në spitalin e burgut. I dyshuari për vrasjen makabre të Liljana Arapit në gusht të vitit të kaluar mësohet se ka vdekur si pasojë e komplikacioneve kardiake. Prej dy javësh, 84-vjeçari, i cili e copëtoi trupin e gruas dhe më tej e hodhi atë të mbështjellë në qese plastmasi, ishte shtruar në spitalin e burgut në kryeqytet. Ai kishte shfaqur shqetësime të shumta në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore, si pasojë e temperaturave të ulëta, të cilat i kishin krijuar një gjendje jo të mirë fizike. “I burgosuri Gaqo Dumka ka ndërruar jetë në spitalin e burgut në Tiranë. Prej fillimit, kohë kur u arrestua, Dumka ka pasur një gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje specifike, por së fundmi nisi të evitonte kontaktet me të burgosurit e tjerë, rinte vetëm dhe refuzonte madje edhe ushqimin. Duke e parë në këtë gjendje, ne kontaktuam me mjekun dhe pas vizitës u arrit në përfundimin se temperaturat e ftohta kishin ndikuar në gjendjen e të burgosurit, duke i shkaktuar atij shqetësime me zemrën. Nisur nga fakti se gjendja po rëndohej, u transportua drejt Tiranës”, ka sqaruar

drejtori i burgut të Drenovës, Ilir Frashëri. Mbrëmjen e së premtes, 84-vjeçari ka ndërruar jetë në spitalin e burgut, por familjarët dhe të afërmit e tij nuk kanë pasur dijeni në lidhje me vdekjen e tij. Vetë vajza e tij, Marjana Trebicka, e vetmja që është përkujdesur për Dumkën gjatë gjithë kësaj kohe, e ka mësuar lajmin nga mediat dhe mësohet se është nisur menjëherë drejt Tiranës për të tërhequr trupin e të atit. Ende nuk dihet se ku do të zhvillohet ceremonia mortore e 84-vjeçarit nga fshati Dardhë, i cili prej disa vitesh ishte zhvendosur në Korçë dhe jetonte në një banesë në Lagjen numër 4 të qytetit. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, Gaqo Dumka mungoi edhe në seancën e fundit ku pritej të jepej pretenca nga organi i akuzës, duke bërë kështu që çështja e masakrimit të Liljana Arapit të mbyllet, pasi nuk është arritur të jepet dënimi ndaj të dyshuarit kryesor, i cili e vrau atë për shkaqe xhelozie. Burime nga Prokuroria e Korçës sqaruan se ndaj 84-vjeçarit Gaqo Dumka do të kërkohej dënimi me burgim të përjetshëm për shkak se ky i fundit kishte pranuar autorësinë, duke kërkuar edhe gjykimin me procedurë të shkurtuar. Përmes kësaj kërkese, e cila u pranua edhe nga gjykata, Dumka përfitonte një ulje të dënimit në masën një e treta, duke rrezikuar kështu dënimin me 25 vite burg.
Krimi që tronditi vendin
Ngjarja e ndodhur mesnatën e 11 gushtit 2011 në qytetin e Korçës tronditi të gjithë vendin. Liljana Arapi, 42-vjeçarja nga Devolli, u masakrua dhe trupi i saj u hodh në vendgrumbullimin e mbeturinave. Ajo bashkëjetonte me të moshuarin Gaqo Dumka, i cili u akuzua për krimin. Vetë 84-vjeçari Dumka ndryshoi disa herë dëshminë. Fillimisht tha se e kishte kryer ai masakrën në kushtet e xhelozisë e më pas se në krim kishin marrë pjesë disa persona.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











