Pretenca e Mihal Delijorgjit: Ekspertiza amerikane, e parregullt, nuk u hetua shpërthimi i qëllimshëm.
Avokati Veleshnja: Gërdeci, prapavijë politike në dëm të Shqipërisë.
Biznesmeni Mihal Delijorgji, një nga të akuzuarit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, i kërkoi dje Gjykatës së Tiranës pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij. I akuzuari i prokurorisë për shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008 pretendoi se akuzat e ngritura ndaj tij, ato të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shkatërrim të pronës me eksploziv”, janë të pabazuara dhe tendencioze.
Vetë Delijorgji nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Argumentet mbrojtëse të tij, në një material prej 119 faqesh, iu shprehën gjykatës përmes avokatit të tij mbrojtës, Gëzim Veleshnja. Përveç pushimit të akuzave ndaj klientit të tij, avokati Veleshja i kërkoi gjykatës edhe çlirimin nga sekuestrimi konservativ i pasurive dhe llogarive bankare të Mihal Delijorgjit. Në diskutimin përfundimtar të akuzës më 1 nëntor 2012, prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Mihal Delijorgjit dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. PRAPAVIJA
Sipas avokatit Veleshnja, shpërthimi tragjik i Gërdecit nuk ishte i rastësishëm dhe as pakujdesi e punëtorëve. Avokati shkoi edhe më tej duke e cilësuar atë si të parashikuar. “Ngjarja dhe pasojat e shkaktuara më datë 15.3.2008 në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec, në vështrim të mbrojtjes së të mbrojturit prej meje, Mihal Delijorgji, nuk ka ndodhur nga pakujdesia e punëtorëve që punonin në fabrikën e çmontimit dhe çmilitarizimit. Ngjarja dhe pasojat e ardhura kanë një prapavijë të theksuar politike në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë”, tha avokati. Sipas avokatit, kjo ngjarje me pasoja të rënda njerëzore dhe ekonomike tregoi se masat e sigurisë në vend, me gjithë përpjekjet e mëdha të bëra nga individët, janë me mangësi të mëdha. EKSPERTËT
Mbrojtësi i të pandehurit Delijorgji shprehu rezerva në lidhje me ekspertimin e ekspertëve amerikanë, që nuk japin një variant shkencor për shkakun e fillesës së zjarrit në Gërdec, por pesë variante relative. Po sipas avokatit, për mënyrën se si është marrë kjo ekspertizë, nuk janë respektuar ligjet shqiptare. “Përgjegjësia e ekspertëve të thirrur nga akuza gjatë kryerjes së ekspertimit ka qenë inekzistente, pasi mënyra e thirrjes, shtetësia e ekspertëve dhe vendi ku është kryer ekspertimi e bëjnë ekspertimin e tyre të pakontrollueshëm”, u shpreh Veleshnja. Në argumentin e tij, avokati Veleshnja pohoi se akti i ekspertimit është kryer nga ekspertët në territorin e Ambasadës Amerikanë në Shqipëri, pra në territor amerikan. Sipas mbrojtësit, kjo i imunizon ekspertët nga përgjegjësia penale për ekspertim të rremë. Mbrojtësi iu referua një vendimi të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të dosjes “Meta”, i cili shpalli të pavlefshëm ekspertimin e amerikanit Glen Burt dhe anglezit Ardian Philips për videon “Meta-Prifti”, pasi ekspertët nuk e kishin marrë detyrën sipas ligjeve. EKSPERTIMI
Avokati theksoi edhe një herë para gjykatës nevojën e një eksperimenti hetimor për të vërtetuar shkakun e zjarrit në Gërdec. “Në disa dhjetëra seanca gjyqësore, mbrojtja ka paraqitur kërkesën për të bërë një eksperiment hetimor për t’iu afruar me rrugë shkencore sa më shumë së vërtetës dhe, për fat të keq, në të gjitha rastet kjo kërkesë është injoruar”, tha avokati. Sipas tij, kundërshtimi për kryerjen e këtij simulimi shumë të rëndësishëm hetimor, gjithnjë e më shumë do të vonojë zbulimin e së vërtetës.
Delijorgji: Henri ishte i gjithëpushtetshëm në fabrikën e Gërdecit
“Ai firmosi gjithë kontratat, ka përgjegjësi”
Avokati i biznesmenit: Procesi u ideua dhe kontrollua nga amerikani.
Shperthimi ne Gerdec
Administratori shqiptar i shoqërisë “Albademil” në Gërdec, i akuzuari Mihal Delijorgji, ia “faturoi” dje amerikanit Patrik Henri fajin për pasojat fatale të shpërthimit në fabrikë. Mbrojtësi ligjor i Delijorgjit, Gëzim Veleshnja, paraqiti para gjykatës dhjetëra argumente që tregonin se nismëtari dhe ai që “ngriti” Gërdecin ishte amerikani Henri. Sipas avokatit, pas kontratës me MEICO-n për demontim në Shqipëri, për shkak të ligjeve shqiptare, shoqëria amerikane “SAC” krijoi shoqërinë “Albademil”, ku do të ishin dy administratorë, ai vetë dhe Mihal Delijorgji. “Për aktivitetin e çmontimit dhe çmilitarizimit ishte administrator ortaku i shoqërisë, Patrik C. Henri III, ndërsa për aktivitetin e investimit dhe organizimit, në aspektit organizativ dhe logjistik të procesit të çmontimit, ishte administrator ortaku i shoqërisë, Mihal Delijorgji”, tha avokati. Sipas mbrojtësit, SAC, ndër të tjera, do të siguronte jo vetëm tregjet, por do të realizonte dhe transportin deri në shitjen e produkteve të dala nga procesi i çmontimit. HENRI, PERGJEGJËS
Sipas mbrojtjes, kishte qenë Henri ai që ka kërkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, jo vetëm me dokumente, por edhe me praninë e tij, të kryente çmontim dhe çmilitarizim. “Gjatë seancave gjyqësore janë evidentuar fakte që tregojnë se është shtetasi amerikan Patrik Henri, i cili, jo vetëm me dokumente, por edhe i pranishëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ka kërkuar për të kryer çmontimin dhe çmilitarizimin, dhe në këto takime ka demonstruar me pajisje kompjuterike mënyrën dhe makineritë që do të përdorte në këtë proces pune. Kështu, ai vetë, në mënyrë të vazhdueshme, ka mbajtur marrëdhënie zyrtare dhe institucionale me administratën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturat e saj gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti”, pohoi avokati përpara trupit gjykues. Sipas avokatit, pas verifikimit të dokumenteve dhe mënyrës që do të kryhej çmontimi, strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes kanë dhënë miratimin, duke u mbështetur në ligj. Në vijim të mbrojtjes së klientit të tij, avokati Veleshnja hodhi poshtë çdo aludim të prokurorisë, se i pandehuri Delijorgji ka ndikuar te Ministria e Mbrojtjes në vendimet mbi Gërdecin. “Aludimi i bërë nga përfaqësuesi i akuzës në diskutimin e tij përfundimtar, se i mbrojturi prej meje, me ndërhyrjet e tij, ka ndikuar në marrjen e vendimit të mësipërm nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes, bie në kundërshtim me të gjitha dokumentet shkresore dhe deklarimet e dëshmitarëve, si dhe me gjithë kronologjinë e ecurisë që nga fillimi i procesit të çmontimit deri në ditën e shpërthimit”, tha avokati. TË GJITHEPUSHTETSHMIT
Mbrojtësi i Delijorgjit u shpreh në seancë se amerikanët ishin të gjithëpushtetshëm në fabrikën e demontimit në Gërdec. Sipas avokatit, procesi i demontimit në Gërdec nuk mund të realizohej pa makineritë, drejtimin, ndihmën dhe asistencën teknike të specialistëve amerikanë. “Praktika deri ditën e ngjarjes, si dhe vetë rrethanat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, tregojnë se ekspertët amerikanë jo vetëm që kanë qenë të pranishëm në kantier, por ata ishin të gjithëpushtetshëm në drejtim të administrimit të procesit të çmontimit dhe nënprodukteve të tij në përgjithësi, dhe të barutit në veçanti”, u shpreh avokati. Duke përmendur mjetet e punës në Gërdec, pinca, darë dhe karroca dore për transportin e produkteve, avokati pohoi se këto ishin mjetet e kërkuara nga specialistët amerikanë. “Këto janë të vetmet mjete me të cilat mund dhe duhej të punohej në një proces të tillë pune. Këto janë veglat që u kërkuan dhe u përdorën nën drejtimin e specialistëve të huaj të sjellë nga larg prej shoqërisë amerikane ‘Southern Ammunition Company Inc’ (SAC)”, tha mbrojtësi. Sipas avokatit Veleshnja, ndonëse për funksionimin e aktivitetit kujdesej Mihal Delijorgji, gjithçka monitorohej rreptësisht nga amerikanët. “Është e vërtetë se për funksionimin e gjithë këtij aktiviteti kujdeseshin i mbrojturi prej meje, Mihal Delijorgji dhe drejtuesi i caktuar në këtë proces, bashkë-i-pandehuri tjetër, Dritan Minxolli. Por, e gjithë veprimtaria e tyre ka qenë nën monitorimin e rreptë të specialistëve të huaj që qëndronin gjatë gjithë kohës në kantierin e punës. Kontrolli i punimeve, veçanërisht procesi i çmontimit dhe sigurisë në punë, ishin që në fillim e deri në fund ekskluzivitet i aktivitetit të specialistëve të huaj, të rekrutuar dhe sjellë në vendin tonë për llogari të saj, nga shoqëria amerikane ‘SAC’”, tha avokati.
Argumentet e Delijorgjit
. Provat e administruara nga Gjykata nuk të çojnë në konkluzionin e ndonjë lidhjeje të pozicionit të të pandehurit Mihal Delijorgji, qoftë si person fizik apo si bashkadministrator dhe bashkortak i shoqërisë “Albademil” sh.p.k., me shkakun e shpërthimit.
. Edhe nëse pranohet versioni i shpërthimit të ardhur nga karroca e salduar, në asnjë rast në këtë hark kohor nuk mund të realizohet ndezja e barutit, edhe nëse futet karroca e salduar në një pirg baruti.
. Edhe mundësia e paraqitur në raportin hetimor të ekspertëve amerikanë, e rënies së zjarrit nga “…burim i hapur flakë, zjarrvënia nga jashtë, si një rast diversioni…”, e përjashton të mbrojturin prej meje, Mihal Delijorgji, nga përgjegjësia për pasojat e ardhura.
. Prokuroria nuk sjell prova të mirëfillta në lidhje me akuzën e “vrasjes”, por u referohet kryesisht elementeve të veprës penale.
. Si mund të qëndrojë akuza e vrasjes me dashje kur bashkë-i-pandehuri tjetër në këtë proces, drejtuesi ekzekutiv i shoqërisë “Albademil” sh.p.k., Dritan Minxolli, punonte dhe jetonte non stop 24 orë në repartin ushtarak në Gërdec, ku zhvillohej aktiviteti i çmontimit?
Kuliçaj: “Amerikani Tejlor filmoi shpërthimin” TIRANE – Avokati Veleshnja i kërkoi gjykatës të merrte parasysh një shkresë të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në lidhje me një veprim të një prej specialistëve amerikanë të Gërdecit pak para shpërthimit. “Një material shumë i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë nga ana juaj, të nderuar anëtarë të trupit gjykues, është shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e nënshkruar nga zv.drejtori Përgjithshëm, zoti Agron Kuliçaj, ku thuhet se “… 30 minuta para se të ndodhte shpërthimi, në ballkonin e dhomës ku flinte Rod Tejlor, përfaqësues i shoqërisë ‘SAC’, ka instaluar një kamera me drejtim nga ndodhej fabrika e çmontimit në Gërdec dhe ka filluar të filmojë…”, tha avokati.
Përfundon paraqitja e mbrojtjes
Mbyllet shqyrtimi gjyqësor, më 6 mars vendimi përfundimtar
Mihal Delijorgji
TIRANE – Gjykata e Tiranës do të shpallë më 6 mars 2012 vendimin gjyqësor mbi 29 të pandehurit e akuzuar për shpërthimin tragjik të Gërdecit. Pas më tepër se tre vjetësh që nga nisja e procesit, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, i dhanë fund dje shqyrtimit të kësaj dosjeje. Procesi u përmbyll me leximin e diskutimit përfundimtar të mbrojtësit të të pandehurit Mihal Delijorgji. Dosja “Gërdeci” nisi të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës më 15 korrik 2009. Që prej seancës së parë, ky proces ka regjistruar mbi 200 seanca gjyqësore, një pjesë e mirë e të cilave të dështuara për shkak të mungesës së mbrojtësve në proces. Në nisje të tij, katër nga të pandehurit ishin në gjendje “arresti me burg”, por në vijim, për shkak të tejkalimit të afateve, gjykimi i tyre u vijua në gjendje të lirë.
Pa përfundim shkencor
Ekspertët e thirrur nga përfaqësuesi i akuzës nuk kanë bërë një përcaktim shkencor të shkakut të rënies së zjarrit në fabrikën e çmontimit të municioneve. Ata nuk kanë analizuar të gjitha shpjegimet e dhëna prej dëshmitareve, por në të gjitha rastet e dhëna si të mundshme për shkaktimin e rënies së zjarrit, u referohen dëshmitarëve të veçantë.
Eksperti teknik, jo korrekt
Avokati Veleshnja tha dje se akti tekniko-ushtarak për llogari të hetimeve të dosjes “Gërdeci” është kryer nga persona që kanë qenë nën përgjegjësi penale. “Akti tekniko-ushtarak është kryer nga persona që kanë qenë nën përgjegjësi penale, si dhe persona që, për shkak të vendit ku punojnë, nuk duhej ta kryenin këtë veprim shumë të rëndësishëm procedural”, tha avokati. Sipas mbrojtësit, njëri prej tyre, menjëherë pas marrjes së detyrës, ka punësuar djalin në Prokurorinë e Përgjithshme.