
Te Pas Janina, Andi Lila luan si mesfushor shkatërrues dhe me shumë gjasë mund t’i duhet ta bëjë këtë rol edhe në Kombëtaren shqiptare. Megjithatë, ish-kapiteni i Tiranës thotë se është përshtatur shpejt te ekipi grek dhe se është gati për sfidën e radhës me Malin e Zi. I ngacmuar se mos përfundon sërish në krahun e majtë (aspak natyral për të), 25-vjeçari thotë se është gati që të japë gjithçka në fushë, me qëllim që skuadra të fitojë. “Në miqësoren e vitit të kaluar fituam 1-0. Mendoj se ka qenë një nga ndeshjet e mia më të mira në Kombëtare. Njoh shumë lojtarë të Malit të Zi, pasi kemi vetëm një vit nga ndeshja e mëparshme. Është një skuadër shumë e mirë dhe këtë e ka treguar gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian 2012. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën për Kombëtaren, të kënaqim tifozët në Shkodër dhe të fitojmë ndeshjen”, tha dje në konferencën për shtyp ish-mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila.











