NGA SKËNDER DODA/ Kohët e fundit lexova me shumë kujdes librin “Jeta nuk i përket Agjentit” e autorit ish koleg Ndriçim Mesiti.
Pa u futur në prezantimin e hollësishëm të përmbajtjes për të mos shuar kërshërinë e lexuesit, më duhet të pranoj se për shkak të titullit mjaft intrigues që në faqet e para “rashë” në një kurth të këndshëm.
Një oficer i ri policie miqësohet e kërkon të mësojë nga përvoja e personazhit kryesor, të thellojë njohuritë profesionale e ti ballafaqojë ato me leksionet e në Akademi. Etja dhe pasioni për të mësuar, për të përmirësuar performancën duket si pikënisja e romanit. Ndërkohë oficeri “mentor” përmes fabulës rrëfen se një pjesë e përvojës së tij profesionale është trashëguar në të njëjtën linjë nga të mëparshmit. Për respekt të autorit vijova leximin me idenë se libri, siç ndodh me autorë të fushë së sigurisë, mund të jetë një agregat me prozë dokumentare, me terminologji juridike e procedurale ose histori policore të denja për film.
Në fakt faqe pas faqeje terminologjia profesionale vjen duke u zbehur dhe në skenë avitet “shërbëtori” i ligjit të asaj kohe. Por duket se është i gatuar disi ndryshe, një kapërcim nga tradita madje dhe nga i ati. Nuk e përfytyron veten thjesht shërbëtor i nënshtruar ndaj ligjit apo urdhrit, pa nerv, pa horizont, që kërkon të bëjë detyrën për të siguruar rrogën dhe “spaleta në supe”, me sensorë të ndjeshëm vigjilence, dredharak për të shmangur telashet, përgjegjësinë mbase edhe dinjitetin nga vetja. Kërkon të jetë disi ndryshe dhe shpesh herë dilemat i ka sfilitëse e kupton se idealet progresiste, karriera e ndershme në kontekstin e kohës ishin orvatje me kosto të lartë madje dëshpëruese.
Në libër autori në mënyrë elegante të shtjellimit të subjektit kërkon mirëkuptim nga lexuesi, nuk përpiqet të justifikojë të kaluarën për tu dukur i mençur pas kuvendit ose trim pas lufte. Thjesht ka rrëfyer se si ideologjia monopartiake sundonte në çdo qelizë të trurit, se nuk ishte individi që i shërbeu sistemit, përkundrazi ishte sistemi që përcaktonte mënyrën e të menduarit, të shprehurit dhe të vepruarit të individit në një vend ku diktatura ekzekutonte jo vetëm kundërshtarët, por edhe bijtë e saj. Sprova e fundit mbetej shpirti njerëzor. A mund të thyhej e të ndryshonte? Në librin 508 faqesh ndërthuren sakrificat familjare me vështirësitë e shumta të punës, përkushtimi në profesion, luhatjet e papritura të karrierës e cila mund të merrte të tatëpjetën për arsye të mosarsyes, arsyeja dhe shpirti njerëzor.
Lexuesi që ka jetuar vitet e diktaturës e kupton shumë lehtë kontekstin e të shkruarit, rrjedhën e ngjarjeve, dilemat sfilitëse që e shoqëronin njeriun e asaj periudhe. Ndërsa lexuesit e rinj që krijojnë idetë e tyre vetjake për sistemin e kaluar mbi bazën e leximeve të shumëllojta dhe nënkuptimit, mund të supozojë se ngjarjet e romanit janë një “fiction”, i bazuar në absurditete. Për shembull si mund ta gjykojë sot lexuesi i ri faktin se punonjësi i strukturave të sigurisë më parë duhej të merrte aprovimin me shkrim nga Partia për të krijuar familje me personin që dashuron. Nuk bëhet fjalë për qindra drama shpirtërore të dashurisë me vajzat e gratë ruse apo të vendeve lindore, jeta e të cilave shndërrohej në ferr sapo politika merrte kthesa të ndryshme.
Në libër personazhi kryesor njihet e dashurohet me një vajzë e cila veç bukurisë dhe zgjuarsisë kishte cilësi personale të larta, rridhte nga një familje e nderuar dhe me “biografi të mirë” që ishte një çelës magjik i qelizës së një familje të kohës. Por në terrenin ku frika ushqente diktaturën dhe anasjelltas, mjaftonte një copë letër inatçore, baltosëse nga një fshat i largët ose nga një “askush” që ngrehina e ëndrrave, lumturisë dhe idealit si me një magji të kobshme të rrëzohej fatalisht. Drini, personazhi kryesor, është një sy vigjilent që nuk fle, një mendje që punon pa u lodhur, që dashuron njeriun që ushqehet nga e vërteta. Një shpirt kritik që gradualisht “rebelohet” dhe paguan për këtë antikonformizëm për të mbrojtur të vërtetat e rëndësishme sepse ka një gen të trashëguar etik aq edhe njerëzor.
I vetëdijshëm për ambientin, nuk shkurajohet kur përballet me transferime e lëvizje që janë sinjale sulmi të hapura apo të maskuara Romani për shkak të përmbajtjes së tij duket se ka një lloj karakteri autobiografik shpirtëror të shkruar me sinqeritet maksimal. Me bukurinë e stilit, kapitull pas kapitulli prezantohen një galeri autentike personazhesh secili në vendin e duhur me karakteristikat e funksionalitet të spikatur, kësisoj romani kapërcen kufijtë e rrëfimit personal. Aty gjejnë veten pothuaj të gjithë nëpunës, kuadro të lartë, njerëz të zakonshëm, shkelës të ligjit breza prindërish dhe fëmijë që presin të lindin. Pavarësisht titullit në dukje policor, në roman i këndohet dashurisë si ndaj vendit, për vajzën e zemrës, për respektin e admirimin ndaj prindërve, kolegëve dhe pa asnjë mëdyshje edhe ndaj librit. Jo pa qëllim autori vajzën që dashuroi e njohu në librari te vendi i dijes dhe i ndriçimit madje kur shkon aty sillet jo si nëpunësi hijerëndë e i frikshëm i sigurimit por si një pacient në një farmaci që kërkon të gjejë ilaçin e nevojshëm të zemrës për kapërcyer pa pasoja “sëmundjet” e kohës.
Është fakt që brenda në librari edhe në kohë krizash të dashurisë njerëzore nuk ka vend për urrejtje. Penelata të holla ngjarjesh oshtima të cilave dëgjohej me vonesë të njerëzit e thjeshtë, të cilat mveshin herë pas here subjektin janë si drita të vogla të cilat ndriçojnë sa për tu orientuar në një rrugë plot kthesa. Të shkruash një libër me karakter autobiografik gjithëpërfshirës duke ju përmbajtur plotësisht realitetit të jetuar dhe ta botosh , është ngjarje e guximshme për autorin. Duke mos e ndjerë veten fajtor si nëpunës i një shteti diktatorial do të “presë” sulmin e individëve të cilët do të keqkuptojnë mesazhin ose kanë supozuar të lexojnë bëma për heronj çudibërës të kohës. Gjykoj se libri është një roman të arrirë, që ia vlen të lexohet dhe shpresojmë se do të vazhdojë të ketë jehonë të gjerë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al