Mblidhte skrap për bukën e gojës, vdes 18-vjeçari

Jul 18, 2011 | 10:56
Viktima, Emanuel Mara

Familja Mara në fshatin Katund i Ri të komunës Bradashesh përcolli dje për në banesën e fundit djalin e saj të vetëm.Ai  ra nga një lartësi e konsiderueshme, në tentativë për të siguruar skrap për ta shitur. Banorët e lagjes ku ai jetonte shprehen se “vdiq për bukën e gojës”. 18-vjeçari Emanuel Mara gjeti vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, sapo autoambulanca kaloi superstradën Elbasan-Metalurgji. Sipas burimeve të Policisë, 18-vjeçari kishte shkuar mesditën e së shtunës tek Uzina 12, në ambientet e ish-Uzinës së Kobaltit Metalurgji, me qëllim për të marrë hekur për skrap. Gjatë kryerjes së punës, ai aksidentalisht ka rënë nga një lartësi rreth 14 metra e godinës tejet të amortizuar, pronë e shtetit, por që prej 20 vjetësh nuk vihej në përdorim. Ka qenë babai i tij që ka lajmëruar të afërmit për aksidentin. Ai kishte pësuar plagë të rënda,

Banesa e familjes Mara në fshatin Katund i Ri

kryesisht në kokë, por dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së shtunës, kur atë e bir kishin shkuar në këto objekte të ish-Kombinatit Metalurgjik. Djali ishte ngjitur në godinën rreth 14 metra të lartë dhe çante murin me mjete si çekiç dhe daltë, ndërsa babai i tij invalid, Rrahman Mara, rrinte poshtë objektit dhe mblidhte hekurat që i biri i hidhte nga lartësia. Për një moment, djalit i ka rrëshqitur këmba dhe, për pasojë, ai ka humbur ekuilibrin duke rënë nga lartësia. Policia e cilësoi ngjarjen si aksidentale, ndërsa veprimin e të riut si “vjedhje”. Por, familja e viktimës, prindërit dhe dy motrat, 15 dhe 13-vjeçe, nuk kishin asnjë burim tjetër të ardhurash. Shtëpia e tyre është e rrënuar. Varfëria lexohet shumë metra larg. Të afërm të 18-vjeçarit, pasi e përcollën për në banesën e fundit, u mblodhën në banesën e të ndjerit për të ngushëlluar babanë. Ai kishte mbetur invalid, si pasojë e një aksidenti disa vite më parë në shtetin fqinj Greqi, ku edhe punonte për të mbajtur familjen e tij, bashkëshorten, djalin dhe dy vajzat. Daja i viktimës, Ismail Çuli, u shpreh dje se gjendja ekonomike në të cilën ndodhet familja e motrës së tij është mjaft e rëndë. Ngushëllime familja Mara ka marrë edhe nga kryetari i komunës Bradashesh, Sabri Sollaku, i cili ishte pjesëmarrës në ceremoninë mortore. Dajallarët e djalit pohuan se kryekomunari u ka premtuar se do t’i ndihmojë financiarisht, por ata thonë se dhimbja për humbjen e djalit të vetëm është e madhe.

Precedenti, tre burra mbetën në rrënoja

Ngjarja e djeshme është rasti i dytë brenda këtij viti, ku fenomeni i vjedhjes së skrapit ka shkaktuar viktima. Një prej precedentëve të rëndë është shënuar në muajin maj të këtij viti, ku tre shtetas u gjetën të vdekur në një ish-magazinë të vjetër në qytetin e Gramshit. Godina e amortizuar i zuri të tre brenda, teksa prishnin murin për të marrë skrapin. Ata u gjetën disa ditë më pas nga banorë të zonës, të cilët dyshuan për viktima në gërmadha teksa panë murin e shembur, ndërsa një makinë para saj që prej disa ditësh nuk kishte lëvizur. Në qytetin e Elbasanit ndodhen dy pika të licencuara për skrap, ku një kilogram e hekurit shitet me 28 lekë. Ende nuk është konfirmuar nëse adoleshenti e shiste skrapin që mblidhte tek Metalurgjiku, në këto pika të licensuara.

Daja: Emanueli nuk ishte hajdut, me lekët e skrapit blinte ushqime

Dajat e viktimës, duke rrëfyer për gazetën

Ismail Culi, daja i viktimës rrëfen tragjedinë e familjes dhe vështirësitë ekonomike të saj. Ai i bën apel shtetit për ndihmë.
Si e përballonte jetesën familja Mara?
Rrahmani, babai i djalit prej 15 vjetësh, ishte vendosur këtu në këtë banesë të rrënuar të fshatit Katund i Ri. Erdhi nga Pogradeci, me qëllim që familja të ishte më pranë nesh këtu në Elbasan. Të dy baba e bir dilnin çdo javë dhe kërkonin skrap në godinat e ish-Kombinatit Metalurgjik, të cilat aktualisht janë të rrënuara dhe në pronë të shtetit. Djali gërmonte apo prishte edhe muret për të marrë hekurin dhe më pas i shiste për të jetuar. Kjo gjë ka dy vjet që ndodh në familjen Mara, pasi nuk kishin me çfarë të jetonin.
Babai i Emanuelit kishte kërkuar punë?
Babai i Emanuelit u aksidentua në Greqi vite më parë dhe aktualisht është invalid, nuk mund të punojë dot. Por ai gjithnjë shoqëronte djalin dhe e ndihmonte sa të mundte për të mbledhur skrap bashkë. Edhe pse ka kërkuar të marrë ndihmë, deri më tani nuk ka mundur ta sigurojë atë qoftë edhe si invalid. Dhe ja pasoja, i iku djali i vetëm që e kishte rritur me aq mund, burri i shtëpisë.
Si jetonte familja?
Ishin shumë të varfër dhe vetëm me skrapin që Emanueli mblidhte në godina të amortizuara mund të jetonin të pesë anëtarët e familjes, dy motrat, nëna dhe babai i tij. Janë shumë të varfër, vetëm bukë gjen në familjen e tyre. Emanueli mundi të përfundojë shkollën 8-vjeçare dhe më pas vendosi që të mbajë familjen, pasi si pasojë e gjendjes shëndetësore të të atit, barra i ra atij. Ai ishte djalë i zgjuar dhe gjithnjë thoshte se një ditë do ta vazhdonte shkollën, por priste që motrat e tij të vogla të dilnin vetë në jetë dhe të mos kishin më nevojë për kujdesin e tij. Ai ishte bërë burrë i shtëpisë dhe kjo tragjedi që ndodhi në familjen Mara mos i ndodhtë askujt.
Si do të jetojë familja tani me vdekjen e Emanuelit? Çfarë apeli keni për shtetin?
Nuk e dimë ç’do të bëhet me ta…, ne edhe pse përpiqemi që herë pas here t’i ndihmojmë, është e pamundur. Shteti duhet të vërë dorë mbi ta. Emanueli nuk ishte hajdut, ai nuk vidhte, mblidhte skrap për të jetuar, me lekët që shiste skrapin, shkonte blinte ushqime për shtëpinë. Komuna dhe shteti duhet t’i ndihmojë prindërit e Emanuelit, pasi në rast të kundërt edhe fati i tyre do të jetë ashtu si i djalit.

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura