Zgjedhjet për kryetarin në degën PS-së në Tiranë, Kodi Zgjedhor, strategjia e komunikimit me mediat, dhe riorganizimi i Forumit të gruas janë katër pikat kryesore të cilat kanë nisur të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste. Mbledhja ka nisur rreth orës 18:45 minuta, ndërsa për shkakt të temave që do të diskutohen pritet të jetë një mbledhje e gjatë.
Një nga pikat më të nxehta është zgjedhja e kryetarit të Partisë Socialiste, dega Tiranë, ku Sajmir Tahiri, apo i rikthyeri Ilir Zela mund të jenë kandidatët kryesorë. Mediat kanë përfolur gjithashtu edhe emra si Andis Harasani, apo së fundi edhe Erjon Braçe. Ilir Gjoni është gjithashtu një kandidat potencial.
Në këtë mbledhje pritet të miratohet një strategji e re e PS-së për komunikimin me median, si dh riorganizimi i Forumit të Gruas, një forum i cili aktualisht është ende pa një drejtuese.
Zgjedhjet për drejtuesit socialistë të kryeqytetit duhet të ishin përfunduar para Kongresit të 5 nëntorit 2011. Por numri i madh i kandidaturave për kreun e PS në disa minibashki shtyu dhe zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ende nuk janë zhvilluar zgjedhjet për kryetarët e Asambleve të PS në njësitë bashkiake të Tiranës. Zgjedhja e tyre pritet të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve për kryetarin e PS-së së kryeqytetit.
11 asamblete e njësive bashkiake të Tiranës kanë dhënë propozimet e tyre për kryetarin e degës socialistë të kryeqytetit. Propozimet u janë marrë anëtarëve të asambleve përmes telefonit, ndërsa emrat e tyre janë dërguar në PS të Tiranës.
© Panorama.al











