‘Politika të marrë përgjegjësitë. Po ecim ngadalë’

May 3, 2012 | 18:20
Ne nje nga takimet e Metes me anetaret e LRI-se

“Tani është koha e klasës politike për të marrë përgjegjësitë e saj,për të mos u bërë më pengesë për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian”. Kështu u shpreh kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në fjalën e tij në Konventën Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste Rinore.

Meta tha se Shqipëria është në drejtimin e duhur, por ende jo me ritmin e duhur, prandaj sipas tij, duhet të ecim më shpejt, duhet të ecim me ritmin atyre që lindin pas dhjetorit të vitit 90, kohë kur u ndanë njëherë e mirë dy epoka.

“Për shkak të një politike konfliktuale me tepri dhe të padrejtë Shqipëria dhe shqiptarët, e në veçanti gjeneratat më të reja kanë vuajtur jo pak. Imazhi është dëmtuar në mënyrë të padrejtë, dhe ne kemi vënë re se ekziston sot  një diference midis përgjegjshmerisë së elitës politike dhe kërkesave të shoqërisë shqiptare, për standarde më të larta, jo vetëm ekonomike dhe sociale, por edhe të elitës politike, në radhë të parë të Kuvendit, por edhe të gjithëve ne.”- tha kreu i LSI-së.

Duke iu referuar mesazhit të sotëm të Komisionerit të për Zgjerimin, Stefan Fule, Meta tha se ishte shumë i qartë, inkurajues, se ky vit, duhet të jetë viti i mundësisë së realizuar evropiane për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky është një moment i shkëlqyer, tha ai, pasi përkon me 100 vjetorin.

“Forcat politike, qeveria dhe opozita, shoqëria civile, mediat dhe të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje për të kurorëzuar një proces që duhet të ishte realizuar më parë, ndaj duhet të ecim më shpejt.”- shtoi ai.

Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) ka mbledhur sot Konventën e saj Kombëtare Zgjedhore, ku pritet të zgjidhen drejtuesit e rinj të forumit.

Erisa Xhixho u shpreh se ”sot ne do të zgjedhim drejtuesit e rinj të LRI-së, të cilët kanë për detyrë të vazhdojnë punën e nisur nga nismëtarët e LRI-së.”

Janë rreth 2000 delegatë që janë të pranishëm në Pallatin e Kongreseve ku dhe po mbahet tubimi i LRI-së. Ndër të tjera sot do të zgjidhet edhe kreu i ri i foumit, ku janë përballë dy kandidatë, Endrit Brahimllari dhe Klejdi Mehmetaj.

© Panorama.al

Te lidhura