Reforma, skadon afati, s’ka marrëveshje PD-PS

May 16, 2012 | 9:45
Komisioni i Reformës Zgjedhore

Dështon marrëveshja PD-PS për të miratuar reformën zgjedhore brenda afatit, që ishte data 15 maj. Komisioni i posaçëm Parlamentar nuk ka mundur të përfundojë miratimin e reformës në mbledhjen e djeshme, që përkonte dhe me fundin e mandatit të dhënë nga Parlamenti.

Demokratët dhe socialistet bënë të ditur se nuk do të kërkojnë shtyrje të afatit në Kuvend për Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe se pikat problematike do t’i zgjidhin në rrugë parlamentare. Burime pranë Komisionit bënë të ditur se debati për pikat e mbetura pezull do të zhvillohen në Komisionin e Ligjeve dhe se palët të vijojnë negociatat për të arritur një marrëveshje politike.

PËRPLASJET

Anëtarët e Komisionit të posaçëm janë ndarë dje në qëndrime dhe nuk kanë mundur të gjejnë dakordësinë për një sërë çështjesh të rëndësishme. Ashtu siç ka rekomanduar ODIHR-i ditë më parë, edhe maxhoranca në Komision nuk ka dhënë votën pro miratimit të kapitullit për numërimin elektronik të votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2013. Burime pranë Komisionit bënë të ditur se maxhoranca e ka kundërshtuar numërimin elektronik me argumentin se tagri i Komisionit është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR- it dhe, si e tillë, të djathtët janë tërhequr nga numërimi elektronik i votave për shkak të pamjaftueshmërisë së kohës për zbatimin e kësaj teknologjie. Një tjetër pikë ku palët kanë hasur kundërshti në Komisionin e Reformës është identifikimi i zgjedhësve me kartat e identitetit. Edhe pse palët kishin miratuar në mbledhjen e shkuar kapitullin për identifikimin e zgjedhësve, shumica parlamentare është tërhequr dhe nga dhënia e konsensusit për këtë pikë që është kundërshtuar nga ODIHR-i.

KQZ

Kapitulli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vazhdon të mbetet “plaga” e procesit të reformës zgjedhore. Të majtët kanë propozuar një sërë variantesh për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, por dakordësia ka mbetur pezull për zgjedhjen e anëtarit të shtatë. PS-ja ka propozuar që gjashtë anëtarët e KQZ-së të emërohen me variantin aktual, ku nga dy kanë partitë e mëdha dhe nga një partia e dytë më e madhe e opozitës dhe partia e dytë më e madhe e maxhorancës. Ndërsa i shtati (kryetari) të jetë një kandidat i Gjyqësorit. Sipas opozitës, KLD-ja, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatëve të propozojnë nga dy kandidatë. Parlamenti, nga tetë emra që do t’i vijnë, të zgjedhë dy prej tyre dhe ata t’i hedhë në votim. Pezull ka mbetur kërkesa e PS-së për hapjen e kutive. Të majtët kërkojnë që procesi i hapjes së kutive të realizohet në çdo rast kur dy anëtarë të KQZ-së kërkojnë verifikimin e materialeve zgjedhore. Burime pranë Komisionit bënë të ditur se maxhoranca ka rrëzuar dhe disa propozime të PS-së në Komision që sipas opozitës janë kërkesa të OSBE/ODIHR-it. Demokratët kanë kundërshtuar përfshirjen e bojës matrikulluese në qendrat e votimit, heqjen e transmetimit online të të thënave të zgjedhësve dhe zbatimin pjesor të numërimit elektronik.

REFORMA ZGJEDHORE, PIKAT E MBETURA PA MIRATUAR

–  Numërimi elektronik i votave në zgjedhjet e 2013-s.

– Identifikimi i zgjedhësve në qendrat e votimit.

– Procesi i ankimikimi në KQZ kur dy anëtarët kërkojnë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore.

Kërkesat e PS që nuk u pranuan

– Nuk pranohet përfshirja e bojës matrikulluese në qendrat e votimit.

–  Heqja e transmetimit online e të dhënave të zgjedhësve.

– Zbatimi pjesor i numërimit elektronik.

–  Zgjedhja e anëtarit të shtatë të KQZ-së.

Propozimet për zgjedhjen e KQZ

– Anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

–  4 anëtarë propozohen nga dy partitë e mëdha në Kuvend.

– Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga partitë aleate të maxhorancës.

–  Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga partitë aleate të opozitës.

– Anëtari i shtatë, ose kryetari i KQZ-së, propozohet nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe KLD, të cilët i paraqesin Kuvendit të paktën dy kandidatë.

– Pozita dhe opozita përzgjedhin dy kandidatë, të cilët i kalojnë në Komisionin e Ligjeve në seancë dëgjimore.

– Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvend.

Varianti 2 për zgjedhjen e kryetarit të KQZ:

– Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZsë, zgjidhet nga Presidenti i Republikës. Përpara emërimit, Presidenti konsultohet me partitë politike parlamentare.

© Panorama.al

Te lidhura