Komisioni Parlamentar i ngritur për hetimin e veprimtarisë së ish nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu pritet të miratoje në mbledhjen e ditës së sotme raportin përfundimtar.
Në mbledhjen e cila ka nisur disa minuta më parë, kreu i komisionit Enkelejd Alibeaj tha se, Kreshnik Spahiu nuk ka dorëzuar një akt përfundimtar të dorëheqjes së tij. Ai shtoi se hetimi do të vazhdojë, dhe se do t’i kërkohet Presidentit të Republikës, Bamir Topi, njëherësh kreu i KLD-së, një material për administrimin financiar të institucionit.
Kreshnik Spahiu pak ditë më parë dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të KLD-së, ndërsa në mbledhjen e sotme të KLD-së, nën drejtimin e Presidentit Topi u pranua unanimisht dorëheqja e Spahiut. Po sot u hodh poshtë kërkesa e ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi për shkarkimin e Kreshnik Spahiut.











