
Këshilltarët socialistë thyejnë vendimin e së majtës për të mos marrë pjesë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Qarkut në Berat. Vetëm pak orë para mbledhjes së Qarkut, në një takim me deputetin Erjon Braçe, zhvilluar në selinë lokale të PS-së, përfaqësuesit e majtë të këshilltarëve deklaruan se do ta bojkotojnë mbledhjen e djeshme. Sipas tyre, bojkoti ndërmerret si shenjë proteste ndaj vendimeve të Këshillit të Qarkut, më i fundit për një gjobë ndaj komunës Vërtop, në lidhje me punimet e një shkolle në fshatin Mbrakull. Ata e kanë cilësuar Këshillin e Qarkut, drejtuar nga Petrit Sina i LSI-së, se ka kapërcyer kompetencat në ushtrimin e kontrolleve në këtë komunë. Po ashtu, akuzat ndaj Qarkut kanë vazhduar nga e majta, duke e quajtur bllokues në miratimin e buxhetit të komunave, më konkretisht në komunën Sinjë. Nisur nga këto shkelje sipas tyre të Këshillit të Qarkut kanë vendosur të mos shkojnë në mbledhjen e paralajmëruar, ku për miratimin e një pjese të propozimeve të rendit të ditës duheshin votat e më shumë se gjysmës së këshilltarëve. Në fakt, në këtë Këshill Qarku me 51 këshilltarë, ku Aleanca për Qytetarin ka 24, ndërsa Aleanca për të Ardhmen 27 këshilltarë, ishte e pamundur që të arrihej shumica. Por, surpriza ka qenë gjatë mbledhjes, kur në sallë kanë mbërritur 4 këshilltarë të majtë, duke çuar në 28 numrin e këshilltarëve. Ata kanë votuar pro pikave të rendit të ditës, që kishin objekt kryesisht zhvillimin e njësive vendore, promovimin e agro-turizmit apo dhe ndryshime në zërat e buxhetit. Kreu i Këshillit të Qarkut, Petrit Sina, deklaroi pas mbledhjes se u arrit miratimi i të gjitha pikave të parashikuara. “U miratuan dhe pikat ku duhej të ishte të pranishëm në votim më shumë se gjysma e këshilltarëve. Këtu u kapën fillimisht këshilltarët e majtë, por u tradhtuan nga shokët e tyre”, u shpreh Sina. Sipas tij, Këshilli i Qarkut nuk ka faj në mosmiratimin e buxhetit nga ana e këshillit të komunës Sinjë.
Sina: E vërteta për gjobën e shkollës
Kreu i Qarkut të Beratit, Petrit Sina, u shpreh dje për gjobën në komunën Vërtop që u shfrytëzua për bojkotin nga këshilltarët e majtë. “Me një shkresë të KLSH-së kemi kryer kontroll sipas ligjit ‘për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’. Bazuar këtu, KLSH rekomandoi Inspektoratin Urbanistik pranë Këshillit të Qarkut, që të gjobisë me 50 mijë lekë komunën Vërtop në lidhje me punimet në ndërtimin e objektit të shkollës, në fshatin Mbrakull”, deklaroi Sina.
BERAT/ DILAVER XHELILI











